Prof. Gjergj Sinani: Totalitarizmi ka vetëm një armik; lirinë, të vërtetën, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artin dhe letërsinë

70
Sigal

-Dita e Kujtesës një thirrje që totalitarizmi vë në rrezik demokracinë

-Liria dhe institucionet demokratike nuk do të jenë të qëndrueshme pa aksionin moral.

– Qeveritë totalitare, kanë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet.

Prof. Gjergj Sinani

Dita e kujtesës na thërret të reflektojmë se si u arrit në racionalitetin e tmerrshëm të shfarosjes e mishëruar kjo në kampet e përqëndrimit. Veçanësia e këtyre kampeve ishte drejtimi i tyre i pastër administrativ dhe teknik që fshiu çdo lloj humaniteti. Qeniet njerëzore nuk ishin gjë tjetër veçse mallra që i hypnin në trena drejt një shkatërrimi të programuar. Duke e bërë industrial këtë shkatërrim të qenieve njerëzore dhe pastaj në kufoma, kjo i bëri nazistët që të mendojnë në mënyrë teknike, domethënë vetëm e vetëm në funksion të rezultatit të kërkuar; shkatërrimin masiv dhe ekonomik për maksimumin e popullsisë. Prandaj, sot na duhet që të kuptojmë katastrofën e djeshme, pasi, siç shprehej Niçe, të vërtetat që harrohen kthehen në katastrofa. Të tregosh se e vërteta e sistemit nazist funksiononte në një moment pavarësisht nga qeniet njerëzore që e bënë të ishte, kjo do të thotë që të mohohet përgjegjësia e secilit dhe lirinë që duhet të na karakterizojë. Është kollaj të quhet barbari ose monstruozitet ajo që ndodhi me nazizmin, por ajo që ndodhi u krye përmes përdorimit të metodave industriale që u përdorën në mënyrën sa më pak spektakolare të mundshme që synonin një “seleksionim biologjik” sa më afikas. Por, a jemi në të lirë sot nga një marrëdhënie biologjike me qenien njerëzore? A jemi ne të lirë nga perspektiva e operimit të një seleksioni efikas ndërmjet atyre që kanë të drejtë për të jetuar dhe atyre që nuk e kanë? A jemi ne të lirë në raport me sëmundjen, të bazuar me çdo çmim te efeikasiteti, duke mohuar dimensionin me të vërtetë njerëzor të mjeksisë? A jemi ne të lirë nga një marrëdhënie totalitare me natyrën, me kafshët dhe tërë gjallesat, domethënë a jemi ne të lirë për t’i parë jashtë skemës së rentabilitetit ku ne i shikojmë këto gjëra? Këto pyetje, që shtrohen në shoqërinë e teknologjisë së lartë, do të thotë se brishtësia e kushtit tonë nuk është një aksident i thjeshtë, por është fytyra e ekzistencës njerëzore. Prandaj ne kemi nevojë për sjelljen në kujtesën europiane të aksioneve morale që tregojnë humanitetin e një populli, pasi aksioni moral e përpunon individin. Në këtë kuptim, aksioni moral i shqiptarëve vlen të theksohet e të ritheksohet për gjeneratat e reja, pasi liria dhe institucionet demokratike nuk do të jenë të qëndrueshme pa aksionin moral.

Shpesh dëgjohet se e kaluara duhet të harrohet për të parë nga e ardhmja.

Në fakt e kaluara duhet menduar për të kuptuar se çfarë lloj njerëzish jemi. Për shoqëritë që dalin nga totalitarizmi kjo është një detyrë themelore me qëllim që njerëzit të mos vazhdojnë të mbeten viktima të mashtrimit dhe iluzionit. “Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, shkruante Hanah Arendt, ka qenë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet që nuk mund të flitet, ndërmarrje e gjerë që mund të realizohej vetëm duke vrarë miljona njerëz që kishin qenë aktorë ose dëshmimtarë të të kaluarës. E kaluara ishte e dënuar sikur nuk kishte ekzistuar kurrë”. Nuk duhet të harrojmë se totalitarizmi, kudo ku u realizua përfshirë dhe Shqipërinë, duhet të konsiderohet si i vetmi rrezik i madh që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Totalitarizmi mbështetet mbi shkëputjen e lidhjeve që e lidhin njeriun me disa pika referimi të qëndrueshme dhe duke e privuar nga çdo referencë, sidomos çdo referencë morale, njeriu aspiron nga hiçi dhe anarkia brenda tij. Totalitarizmi i premton çdo njeriu atë që ai dëshiron me qëllim që ta joshë sa më mirë. Në këtë kaos human, që nuk kuptohet si një kaos i brendshëm, sepse së jashtmi rendi ekziston, por që ka si pasojë një ndjenjë pakënaqësie të thellë, totalitarizmi shfaqet si një rrugë shpëtimi. Totalitarizmi nuk u kërkon njerëzve që të jenë vetvetja, por u kërkon një bindje të pakushtëzuar. Totalitarizmi përdor gjithçka për ta përfshirë në aparatin e pushtetit të tij, për ta dominuar individin sipas rolit që legjenda i atribuon gjarprit; ta joshë viktimën, me qëllim që ta gëlltitë sa më mirë. Kështu, njerëzit, të privuar nga çdo pikë reference, që nuk kanë më ndërgjegjen e vetvetes dhe të lirisë së tyre, por që aspirojnë që të pohohen në mënyrë të verbër duke ndjekur një rregull të imponuar, e lenë veten të bien në kthetrat e kësaj makine që i trajton thjesht si një material dhe kështu humbasin gjithçka që kishin besuar se e kishin fituar dhe e ruanin. Prandaj totalitarizmi ka vetëm një armik; vetë lirinë, domethënë të vërtetën, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artin dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë që të depërtojmë në tokat e panjohura të shpirtit, gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, gjithçka që te çdo qenie njerëzore nuk lejon që të udhëhiqet nga diçka tjetër; ndërgjegja për të qenë vetvetja. Jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje. Historia që ndikon në emancipimin do të ndikojë në një ripërtëritje shpirtërore, sidomos për shoqëritë e sapo dala nga regjimet totalitare. Prandaj, çdo vullnet që nuk do të mendojë rreth rreziqeve që na tregojnë historia dhe aksioni politik, atëherë ai do të përballet me surpriza të çuditshme në të ardhmen. Detyra e kujtesës është që të përjetësohet liria brenda një vendi të lirë. Në rendin shpirtëror të drejtat e pensionit nuk ekzistojnë. Më lejoni ta mbyll këtë diskutim me fjalët e Levinas: “Ekziston vetëm kjo: kohë pas kohe, muzgje të çuditshme e ndalojnë historinë e ndriçuar, drita copëtohet në flakëra të vogla të panumërta luhatëse dhe ambige, toka e fortë ju rrëshqet nën këmbë, ngjarjet fillojnë të rrotullohen në rrathë ferri rreth një ndërgjegjeje përsëri pa vend. Dhe siguri që tallen nga konfrontimi ju ngrenë nga një thelb i harruar. Shkurt, duhet ndriçuar historia për të mos harruar thelbin tonë.