Prof. Genc Sulçebe; Hamendja e Z. Brataj, që Tirana ka një përqindje infeksioni prej maksimum 25% është e gabuar

526
Sigal

 

 

Dëgjova me datë 9 Janar 2021, prononcimin në media të Zotit Brataj lidhur me studimin e Akademisë së Shkencave mbi seroprevalencën e infeksionit COVID-19 në qytetin e Tiranës.

Lidhur me këtë studim, në rradhë të parë duhet vënë në pah dhe lavdëruar inisiativa e Akademisë së Shkencave, që në kushtet e vështìra të pandemisë dhe me mundësi modeste financiare, mundësoi realizimin e këtij studimi të vetëm në Shqipëri, i cili hedh dritë objektivisht mbi shtrirjen e infeksionit COVID-19 në qytetin e Tiranës.

Studimi i Akademisë së Shkencave u realizua në 2 faza dhe është programuar me parametra të rreptë shkencorë. Dihet që kriteret epidemiologjike dhe statistikore në rradhë të parë i vejnë rëndësi përzgjedhjes së duhur të kampionit përfaqësues të popullatës se sa madhësisë së këtij kampioni. Kriteri kryesor në të dy fazat, ishte përzgjedhja e rastësishme e një kampioni popullate që të përfaqësojë sa më mirë popullatën e moshave 20 deri 70 vjeç që janë përdorues të mbulimit shëndetësor publik në qendrat shëndetësore të qytetit të Tiranës. Në të dy fazat studimi u realizua me përzgjedhjen “random” të qytetarëve nga regjistrat e katër qendrave shëndetësore të Tiranës urbane që mbulojnë 258 000 banorë.

Në fazën e parë, në fund të qershorit 2020, seroprevalenca e antitrupave IgG anti SARS-CoV-2 në këto grup mosha rezultoi 6,4%, ndërsa në fazën e dytë, në fund të dhjetorit 2020, 49,6%. Kampioni i popullatës i selektuar në këtë mënyrë në fazën e dytë ishte prej 818 individësh dhe ai përfaqëson me interval të besueshëm sigurie popullatën e moshave 20 deri 70 vjeç të zonave urbane të qytetit të Tiranës.

Me çuditi denigrimi krejt subjektiv që Z. Brataj i bën këtij studimi. Ai nuk e pranon shifrën e mësipërme për qytetin e Tiranës dhe thotë, sigurisht vetëm me hamendjen e tij, që seroprevalenca e vërtetë në qytetin e Tiranës eshtë 20 deri 25%. Këtu ai i referohet dhe burimeve epidemiologjike nga SHBA, të cilat konfirmojnë që prevalenca e vërtetë e infeksionit në populate, është 10 herë më e lartë se sa numri i individëve të deklaruar zyrtarisht.

Pra, duke u nisur nga kjo referencë e përmendur nga vetë Z. Brataj, dhe siç pohon dhe vetë ai në prononcimin e tij, në qoftëse numri i personave të deklaruar në Shqipëri si të infektuar me COVID-19 deri tani është rreth 60 000, atëherë numri real i individëve të infektuar duhet të jetë në fakt 600 0000, që korrespondon me rreth 21 % të popullatës shqiptare. Deri këtu ne jemi dakord me Z. Brataj, por përsa i përket qytetit të Tiranës, ai është krejt gabim, pasi kjo përqindje nuk mund te jetë e vlefshme për kryeqytetin.

Dihet që Tirana, sipas të dhënave zyrtare të deritanishme, përbën gjysmën e rasteve me COVID-19 të gjithë Shqipërisë. Atëherë, në zonat urbane të Tiranës duhet të jenë deri tani të paktën 300 000 te infektuar nga COVID-19. Kjo vlerë korrespondon dhe me shifrën afër 50% të seroprevalencës së antitrupave anti SARS-CoV-2 që nxori dhe studimi i Akademisë së Shkencave në qytetin e Tiranës. Pra hamendja e Z. Brataj, që Tirana ka një përqindje infeksioni prej maksimum 25%, është e gabuar.

Përgëzoj pa dyshim punën e Z. Brataj për organizimin e Urgjencës Mjekësore, por e ftoj atë të konsultojë ekspertizën shkencore, përpara se të prononcohet publikisht për studime jashtë fushës së tij operacionale.