Prof. Ethem Ruka – Krejt e re: Bimët komunikojnë me ultratinguj

163
Sigal

Asnjë qenie e gjallë nuk jeton e vetmuar. Individët e një lloji formojnë popullata dhe kanë nevojë të komunikojnë mes tyre për të përmbushur nevojat jetësore. Nëse njeriu ka zhbiruar format e komunikimit në llojet e botës së gjallë shtazore, deri para pak vitesh ka menduar se bimët janë memece dhe secila jeton për vete pa ditur se çfarë ndodh me simotra që jetojnë rrethe saj.

Studimet kanë treguar se bimët kanë mënyrat e tyre të komunikimit me anë të sinjaleve kimike, prekjes etj. Këto sinjale bëhen më të forta kur bima stresohet, për shëmbull, nga thatësira ose kur presim pjesë të saj. Sinjalet e bimëve, që vuajnë kapen nga simotrat e tjera për të marrë masa mbrojtëse siç mund të jetë rritja e rezistencës. Kaq dhe shumë më tepër kaq dihej. Kjo temë më ka intriguar gjithmonë dhe kam lexuar e shkruar për të. Gjithmonë i kam imagjinuar bimët si qenie që komunikojnë aktivisht mes tyre, por kurrë nuk e kisha imagjinuar që bimët të komunikojnë edhe me zëra që veshi ynë nuk ështe në gjendje t’i perceptojë. Disa kërkues izraelit kanë bërë një zbulim krejt të veçantë rezulatatet e të cilit i kanë botuar së fundmi në revistën “Cell”. Ata kanë mundur të kapin ultratingujt që emëtojnë bimët e domates dhe duhanit kur stresohen nga mungesa e ujit ose këputen pjesë të trupit të tyre. Përmes mikrofonësh speciale dhe me ndihmën e Inteligjencës artificiale ata kanë zbuluar natyrën dhe gjatësinë e valës së këtyre ultratingujve. frekuenca e tingujve është shumë e lartë dhe e pakapshme nga veshi i njeriut, por ndoshta mund të perceptohet nga qenie të tjera shtazore. Kërkuesit janë duke zhbiruar frekuencat e ultratingujve të bimëve të tjera dhe janë në kërkim të mekanizmit që i prodhon ata. Po aq interesante është edhe zhbirimi i mekanizmit se si perceptohen këto sinjale zanore nga bimët e tjera për të vënë në lëvizje mekanizmat mbrojtës. Nuk duhet të habitemi që një ditë shkencëtarët të zbulojnë edhe kujtesën te bimët, mekanizëm që pa asnjë dyshim do të ishte krejt i ndryshëm nga ai i botës shtazore. Vetë shkenca mbështet mbi hipoteza, të cilat përmes eksperimentit vërtetohen ose hidhen poshtë. Ku i dihet mbase- mbase një ditë do të jemi në gjendje edhe të komunikojmë me bimët për të kuptuar më mirë nevojat e tyre.