Prof. Dr. Sokrat Jani/Politikat agrare për të stimuluar zhvillimin e bujqësisë

883
Sigal

Disa nisma në kuadrin e politikave agrare për të stimuluar zhvillimin e bujqësisë dhe për zbutjen e problemeve sociale në zonat rurale më shumë kanë qenë për show mediatik  se sa për të ndihmuar zhvillimet në këto zona.

Sektorët jetik të bujqësisë, pylltarisë, ujërave, etj, janë trajtuar si plaçkë e keqe tregu. Në asnjë vend të përmasave të vendit tonë dhe me kushte klimatike, tokësore, ekonomike e tradicionale si ne, nuk i kanë ndarë këto degë të ekonomisë bujqësore në dy ministri, në atë të bujqësisë dhe në ministrinë e mjedisit, pyjeve dhe ujërave. Bujqësia, pyjet e ujërat janë gjymtyrë të pandashme të një trupi dhe menaxhimi i mirë e harmonik i tyre ndikon në prodhimin, të ardhurat e banorëve në zonat përkatëse, zbutjen e problemeve sociale, punësim dhe treguesit mjedisor. Nuk do ishte e tepërt, madje do ishte domosdoshmëri e kohës, qe edhe vendi ynë,  si shumë shtete me kushte të ngjashme me tonat, të kishte një konceptim më të plotë e më real në strukturën e qeverisë, të kishte Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 Aktet ligjore

Shumë akte ligjore e nënligjore nuk arritën edhe pas 23 vjetëve të zgjidhin problemet e pronësisë për tokën në përgjithësi dhe atë bujqësore në veçanti. Mijëra ha kanë mbetur djerrë, shumë kullota e shkurreta digjen edhe në dimër, e për ironi të fatit pyjet shqiptare trajtohen si mall pa zot, kushdo pret dhe djeg.

  •  Nuk u frenua procesi i zënies së tokës arë me ndërtime; sipërfaqe të gjera të tokës bujqësore sot janë të zëna me shtëpi banime dhe objekte të tjera, sa që po ti shikosh nga ajri nuk kupton se ku fillon e ku mbaron një qendër banimi.
  • Disa politika në mbështetje të sistemit të ujitjes mbetën në mes të rrugës, ndonëse për to nga Banka Botërore u harxhuan disa dhjetëra milion dollar; sot atyre investimeve nuk u ka mbet asnjë gjurme.
  • Politikat e mbështetjes së prodhimit bujqësor, të peshkimit, etj, me subvencionim të çmimit të karburanteve, ndonëse në raste të veçanta pati edhe abuzime në zbatim, por që në tërësi i dhanë impuls e nxitje sektorëve ku u përdorën, u denigruan e u bllokuan nga qeveritë e periudhës 2005-2013, pa u thelluar e pa menduar për ti përsosur ato. Ka tetë vjet e deri më sot traktori që punon në bujqësi, në ato ngastra 0,2-1,0 ha, në të cilat efektiviteti i përdorimit të karburantit është 80-200% më i ulët se në ngastrat me sipërfaqe 5-10 ha, e blen karburantin me të njëjtin çmim si ai që furnizon veturën e që shkon për të pirë një kafe në bregdet. Anijet shqiptare të peshkimit e kanë harruar furnizimin në distributorët e vendit tonë, por shkojnë e furnizohen në portet e huaja, pasi atje trajtohen me çmime më të favorshme.
  • Politikat mbështetëse të prodhimit bujqësor në mjedise të mbrojtura, në frutikulturë, në prodhimet Bio, prodhimin e bimëve eterovajore, agro-përpunim, etj, që u zbatuan këto 2-3 vjet, kanë qenë thërrime pa ndikim në këto fusha dhe në prodhimin bujqësor në tërësi; gjithë fondi i mbështetjes nuk e kaloi shifrën e 6-8 milion eurove në vit, kur fqinji jonë lindor, Maqedonia, çdo vit mbështet bujqësinë me 80-120 milion euro.
  • Ndonëse pas viteve ’90 Shqipëria dallohej për nivele  më të ulëta në investimet për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e ekonomisë bujqësore, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, reformat politike për kërkimin shkencor, divulgimin dhe zhvillimin në zonat rurale, të ndërmarra me nxitim në vitin 2006, qenë hapi më shkatërrues që ka përjetuar ndonjëherë ky vend. Kërkimin shkencor, i trashëguar nga e kaluara me një sistem institutesh, pasi e kishin baltosur prej vitesh si një “krijesë sovjetike”, qeveria e PD shpalli reformën e saj për integrimin e kërkimit shkencor në universitete, në vend që të kalonte në një reformim të ngjashëm me atë që bënë vendet e tjera. Madje për ironi të fatit, një ministër servil i shefit të tij, që më pas i doli nami për mbërtheckat, në mbledhje që qeverisë shprehu habi dhe pyeti ” pse paska edhe institute për perime e patate?”. Pas kësaj, në vend që të përqendroheshin forcat kërkimore e shkencore, mjetet e pajisjet laboratorike,  në një qendër kombëtare të kërkimit bujqësor dhe divulgimit, çka do të rriste efektivitetin, cilësinë e punës, minimizonte shpenzimet e të bëhej më i dobishëm për kushtet e reja të bujqësisë shqiptare dhe problemet e reja në zonat rurale, kërkimi shkencor në bujqësi u shkri me një të rënë të lapsit. Sot jemi i vetmi vend evropian pa institute të kërkimit shkencor në bujqësi, duke e justifikuar me djallëzi se këtë kërkim na e bëjnë universitetet. Askush nuk u kujtua pas 8 vjet të bënte një analizë se çfarë efekte pati një politike e tillë idiote. Vende të tjera në Evropë, madje edhe me bujqësi e fshat më të zhvilluar se ne, me një trashëgimi të kërkimit shumë më të vjetër e më të pasur se ne, me universitete me përvojë akademike e shkencore qindra vjeçare, në politikat e tyre për bujqësinë vend me rendësi i dhanë ngritjes së instituteve të kërkimit shkencor të aplikuar, institute nën ombrellën e ministrisë së bujqësisë.
  • Reforma, në administratën shtetërore dhe në institucionet publike në shërbim të bujqësisë dhe zhvillimit të zonave rurale,  ka qenë një nga zhvillimet që edhe në kohë pushtimesh nuk ka ndodhur ndonjëherë. Mbushja e administratës në të gjitha nivelet me militantë, të betuar për besnikëri ndaj pashait dhe portës së lartë, të cilët përgjatë periudhës së pushtetërimit morën nga dy-te diploma universitare dhe madje brenda natës morën kartonin e “masterit shkencor” dhe “doktorit të shkencave”,  për të marrë rroga më të majme, ani se edhe vetë nuk e dinë se çfarë detyra dhe shërbime duhet të kryejnë në atë vend pune, në gjurmë kjo të praktikës së ndjekur më parë për mbushjen e sistemit të drejtësisë me juristë të plepave.

Refleksione: perspektivat e ardhshme

Nga  një sondazh i Eurobarometrit (dhjetor 2011), rezulton se shoqëria pret një politikë agrare që promovon bujqësinë e qëndrueshme duke ofruar produkte me cilësi dhe të sigurta, ndërsa mbron mjedisin. Një politikë e tillë bujqësore duhet të mbështesë rolin shumë funksional të fermerëve si furnizuesit e të mirave materiale në shoqëri, në nxit rritjen dhe krijimin e vendeve të punës në zonat rurale dhe të përforcojë aftësinë konkurruese të sektorit bujqësor.

Në zonat rurale në vendet e BE-së jeton gati 55% e popullsisë, duke mbuluar më shumë se 90% të territorit, gjeneron 48% të vlerës së shtuar bruto dhe ofron 56% të punësimit (KE Bujqësia dhe zhvillimi rural, 2010 ). Peizazhi rural mbetet qendror në prodhimin e të mirave pasurore Evropiane dhe mirëqenien e popullsisë së saj. Megjithatë, zonat rurale kanë tendencë për të mbetur prapa në disa tregues socio-ekonomik dhe prandaj zhvillimi rural është me rëndësi jetike për këto vende. Bujqësia dhe pylltaria kanë qenë e janë përdoruesit kryesor të tokës dhe luajnë një rol të rëndësishëm: ato janë baza  e një strukture të fortë sociale, ato menaxhojnë burimet natyrore dhe të peizazhit dhe përcaktojnë qëndrueshmërinë ekonomike të rajoneve përkatëse. Konsumatorët po tregojnë një interes në rritje lidhur me cilësitë e produkteve ushqimore dhe autoritetet e BE-së janë duke kërkuar një rol më të madh në rritjen dhe ruajtjen e këtyre atributeve të cilësisë së lartë, për shembull nëpërmjet masave që rritin sigurinë dhe higjenën e ushqimit dhe etiketimin e qartë, rregulloret që kanë të bëjnë me mbetjet e pesticideve dhe aditivëve në ushqimin e popullatës.

 Lipset të ndërhyhet për të përgatitur nisma stimuluese të prodhimit bujqësor

 Nga sa më sipër për kushtet e vendit tonë lipset të ndërhyhet për të përgatitur nisma stimuluese të prodhimit bujqësor, nëpërmjet futjes së teknikave e teknologjive të reja, duke rritur efektivitetin shpenzimeve, përmirësuar treguesit social ekonomik dhe përkujdesjen për mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë e të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit në tërësi. Me rëndësi të dorës së parë mbetet kërkimi shkencor për problemet në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme  të prodhimit, marketingut, të sigurisë ushqimore, të mjedisit dhe ruajtjes e miradministrimit të biodiversitetit, por edhe për të ndihmuar politikë bërjen për problemet e prodhimit, mjedisit dhe tregueseve socio-ekonomik në zonat rurale e më gjerë. Studimet duhet të japin zgjidhjet e duhura të zonave e mikro-zonave, në përshtatje me kushtet klimatike e tokësore të tyre, të burimeve natyrore, humanitare dhe traditës, infrastrukturës së rajoneve, etj. Rol me rëndësi merr trajnimi i prodhuesve me koncepte bashkëkohore, metoda prodhimi dhe marketingu, etj, etj. Për këto e të tjera, lipset të zbatohen politika mbështetëse më fleksible dhe më të ndjeshme në aktivitetin jetësor dhe atë prodhues të fermerëve. Për të realizuar këto objektiva le ti referohemi asaj që bënë BE-ja në programet e veta për bujqësinë dhe problemet rurale.

box

Bujqësia  është prioriteti i dytë më i rëndësishëm

Në aspektin  e politikave të BE-së, bujqësia  është prioriteti i dytë më i rëndësishëm dhe e vetmja politikë plotësisht e integruar në nivel të unionit. Ajo luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e qëndrueshëm me produkte ushqimore të sigurta dhe në menaxhimin e burimeve natyrore. Në të njëjtën kohë kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit, të peizazheve, si dhe të ujërave, tokës dhe ajrit të pastër. Shprehur në treguesit e buxhetit të BE-së këto politika kanë gjetur një mbështetje të fortë e të qëndrueshme; po ti referohemi shifrave të vitit 2012,  buxheti për bujqësinë zë 40,8% të të gjithë buxhetit të BE-së, ku:

  • 44,0 miliard Euro ishin në dispozicion për ndihma të drejtpërdrejta të mbështetjes me të ardhura për fermerët, 91.8% e të cilave nuk lidhen me nivelin e prodhimit.
  • 15,9 miliardë Euro ishin vënë në dispozicion nëpërmjet Fondit Evropian të Bujqësisë  për Zhvillimin Rural, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të inkurajuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, duke krijuar vende të reja pune dhe për të kontribuar në nivel të përshtatshëm për zhvillim të shërbimeve në favor të ekonomisë rurale.  Këtu përfshihen edhe 4.9 miliard Euro (+ 1.2%) të tjerë për aktivitete të tilla si trajnime, projektet të modernizimit në ferma, projektet e ndërmarrjeve dhe pjesëmarrja e fermave në ‘skemat e cilësisë “.

Evropa është një lojtar i madh në tregjet bujqësore të botës

 Evropa është një lojtar i madh në tregjet bujqësore të botës: në vitet 2007-2010 BE-ja ka qenë eksportuesi i dytë më i madh i produkteve të shumta ushqimore, me vlerë  76 miliard Euro. Por, BE-ja në këtë periudhë është edhe importuesi më i madh i produkteve bujqësore në botë, me vlerë rreth 81 miliard Euro. Pozicioni eksportit neto i BE-së ka rënë në çdo sektor që nga viti 1990 e në vijim. A është e mundshme që intensifikimi i bujqësisë së qëndrueshme, të aftë për të shfrytëzuar diversitetin biologjik dhe mjedisor, ta kthej në kahun e duhur(kahun tjetër) këtë rënie historike? Sigurisht që është e mundur; platformat politike të komisionit evropian këtu synojnë.

Në këtë vizion duhet parë e duhet synuar edhe bujqësia e vendit tonë. Kushtet dhe një sërë treguesish të vlerësuar e bëjnë të mundur që të prodhojmë më shumë, të përpunojmë më shumë në industrinë tonë agro-përpunuese, të eksportojmë më shumë, por edhe të ushqehet më mirë konsumatori shqiptar, të siguroj më shumë të ardhura nga aktivitetet dhe të përmirësohet jeta e komuniteteve në zonat rurale, duke i dhënë vlera, ruajtur e menaxhuar më mirë burimet natyrore e mjedisin. Ekonomia shqiptare duhet të bëhet një ekonomi e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Intensifikimi i bujqësisë, duke përshtatur e futur në prodhim teknika e teknologji të kohës, arritjet më të mira të kërkimit, të afta për të shfrytëzuar diversitetin biologjik dhe mjedisor, duhet ta kthej në kahun e duhur raportin eksport-import, në favor të të parit.