Prof. Dr. Shenasi Rama/ “Programi qeverisës i Ramës, do të mbetet në letër”

587
Sigal

Politologu Prof. Dr. Shenasi Rama, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se, konfliktualiteti shterpë, pozitë-opozitë në Kuvendin e ri  “frymëzohet” dhe ushqehet nga filozofia e sherrit politik, pasi këto nuk kanë çfarë t’i japin shqiptarëve. Ndërsa, programi qeverisës i Ramës, nuk ka asnjë bazë financiare, pohon Prof. Rama, ndaj ka për të mbetur në letër. Shqipëria, më parë duhet të ndërtojë shtetin normal, atëherë BE-ja do të na respektojë.

– Zoti Rama, ardhja e së Majtës në pushtet pas 8 vjetësh, mund të quhet rotacion në politikëbërje, me shpresën se, mund të kemi një hop cilësor për një politikë konsensuale midis forcave politike?

 – Ky është rrotacion në drejtim të shtetit, por jo ndryshim në drejtim të formulimit të politikave të ndryshme. Këta janë dy krahët e parisë së Tiranës dhe do të bëjnë të njëjtën gjë, që dinë të bëjnë më mirë, d.m.th. të mjelin lopën e shtetit, të shtrydhin para sa të munden, të pasurohen shpejt e shpejt dhe të mbajnë të gjithë shqiptarët e tjerë nën sundimin e tyre. Në lidhje me hop cilësor në marrëdhëniet konsensuale midis tyre, nuk besoj. Këta grinden edhe për krundet. Janë nga e njëjta mendësi, por nuk i besojnë njëri -tjetrit.

Politika shqiptare, qoftë e Majta, qoftë e Djathta, mendoni se e kanë deshifruar qartë mesazhin e 23 Qershorit, duke gjykuar se qysh në seancën e parë të Kuvendit të ri mungon vullneti politik për të arritur konsensus, edhe për gjëra më të thjeshta?

– Mesazhi i vërtetë erdhi nga masa e shqiptarëve, që shkuan me pushime, që nuk votuan dhe që tashmë e shohin sistemin politik dhe partitë politike, si dhe parinë e Tiranës, si një masë parazitare, që thith gjakun e shoqërisë. Nëse e keni fjalën për mesazhin e votuesve që votuan, atëherë mesazhi i votuesve ishte dy llojesh. Njëra palë votuan se donin një vend pune e një kafshatë bukw për familjen dhe këta do të bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur frymën gjallë. Pala tjetër, e shiti votën për një zarf me një grusht lekë sa të shtynte muajin. Mesazhi që erdhi nga të tre palët është shumë domethënës dhe shumë i zymtë, sepse tregoi se sa keq është gjendja, se sa poshtë është mendësia, se sa lirë shitet e ardhmja dhe sa cinike, kriminale dhe e poshtër është paria oligarkike sunduese e Tiranës.

– Cila është fryma që ushqen konfliktualitetin, si produktin e politikbërjes në Shqipëri?

–  Logjika e sherrit politik është një logjikë e mbështetur në mendësinë katundare, të cilën këta e njohin mirë dhe të cilës nuk i ikin që nuk i ikin dot. Në kohën e sistemit të mëparshëm, roja dhe hajni vidhnin misrat dhe i ndanin bashkë. Kur kapej njëri, tjetri e akuzonte për gjithçka dhe  prapë vazhdonin të ishin miq. Kështu edhe këta, ditën shahen dhe rrihen, d.m.th., sillen si prostituta politike, në darkë hanë bashkë dhe bizneset i bëjnë bashkë, si vëllezër të një prindi. As telefon nuk kanë nevojë të përdorin, se e dinë mirë se si mendon njëri e tjetri. Mirëpo, nga që janë të poshtër e maskarenj, mendojnë se tjetri do të sillet si maskara dhe ja këtu fillon sherri i pashmangshëm.  Kjo që ndodhi ditët e para të këtij  Kuvendi, është ilustrimi më i mirë. Nuk pritet tjetër nga këta politikanë të sotëm.

– Sa shpresëdhënës do të jetë marrja e statusit kandidat të Shqipërisë në dhjetor, në mënyrë të tillë, që përfundimisht Shqipëria dhe shqiptarët të futen në rrugën e normalitetit të proceseve demokratike dhe të integrimit për në BE?

– Be nuk është rruga e jonë. Nga një lloj statusi i tillë nuk fitohet gjë, veç parave që mund të vjedhë paria e Tiranës. BE-ja është në krizë, ekonomia është e shkatërruar, ne nuk na duan, dhe ne nuk jemi sprovuar me kenë ashtu si duhet. Shkurt, ne na duhet shteti i jonë, na duhet ligji, drejtësia, e drejta e pronës, mbrojtja shoqërore, edukimi, kujdesi për të moshuarit e jo një mënyrë për pasurim të parisë. Ne na duhet shteti i shqiptarëve. Këta duan që të ngopemi me lugë të zbrazur, d.m.th. prit gomar të mbijë bar … në Bruksel. Duke pritur integrimin, kemi përjetuar shkatërrimin, krimin, vjedhjen e degjenerimin ekstrem. Ne na duhet një shtet normal, atëherë edhe BE-ja do të na konsiderojë me respekt. Por tanimë këtyre as nuk duhet Brukseli, por e thonë se e dinë që po të binden shqiptarët se është një mashtrim i pastër, atëherë do t’i vënë më kryq këta vetë. Se ndryshe, dikush duhet të përgjigjet për 23 vjet që kanë shkuar dëm, për gjysmën e shqiptarëve që kanë tretur kockat në kurbet, dhe për vjedhjen e shkatërrimin masiv të shtetit e të kombit. Atëherë, flasim për Europën.

– Cilat duhet të jenë reformat që duhet të ndërmarrë PD-ja, në mënyrë të atillë, që të kapërcejë humbjen elektorale dhe të bëhet sërish forca protagoniste dhe pretenduese për qeverisje?

– PD-ja është një parti që e ka kryer misionin historik me kohë dhe që tani është vegël e vullnetit politik të Berishës. Nuk do të bëhet ndonjëherë parti e mirëfilltë, sepse nuk ka ideologji, nuk ka vlera,  ka zhgënjyer elektoratin e vet. Shqiptarët kanë nevojë për një forcë të re. Ajo nuk është PD-ja. Ajo është një forcë që synon ndërtimin e shtet-kombit modern shqiptar. Kur ta kuptojnë edhe ata pak militantë të PD-së se janë mashtruar, përdoruar, degjeneruar, do të jetë fundi. Parti të tilla vdesin me ngadalë, por perëndimi i tyre është i shmangshëm.

– Megjithë mendimet kontradiktore të udhëheqësve të partive të së Djathtës, a është momenti politik, që e Djathta duhet të reformohet, të bashkohen të gjitha forcat, pavarësisht së shkuarës politike, në mënyrë që opozita të jetë e bashkuar, dhe aktive?

– Po çfarë opozite! Këta janë në ankand për shitje, i shiten prurësit më të parë dhe që ofron çmimin më të lartë. Opozita e vërtetë duhet të jetë e mbështetur në një ideologji të caktuar kombëtariste, me djem e vajza të reja që nuk kanë bagazhe krimi e zvetënimi si këta, që janë të edukuar mirë, dhe që duan t’i shërbejnë popullit, e që shpresojnë të bëjnë atë që bëjnë, sepse duan nderim e respekt. Këta që janë në krye të opozitës janë uzurpatorë të së vërtetës, të opozitës së vërtetë. Shteti që na duhet, do të ndërtohet nga djem e vajza që do të hyjnë në politikë, me besimin se ata e duan kombin me shumë se këta e duan pasurinë. Sepse, kur je duke u mbytur, e hedh arin që ke vjedhur. Por, kur e do kombin me zemër, do të shpëtosh, a do të mbytesh me kombin tënd, sepse pa zemrën nuk ke jetë. Kjo është opozita që na duhet e që nuk e kemi.

Programi qeveritar nuk ka asnjë mbështetje financiare

– Sa besueshmëri ka programi i qeverisjes të së Majtës, se do të jetë i realizueshëm?

– Njeriu do të besojë, se ka gjëra të mira që janë thënë aty, mirëpo nga do të dalin paratë? Kur nuk ka para, kur nuk ka një politikë të qartë se si do të dalë shteti nga falimentimi, kur nuk thuhet se do të taksohemi si duhet, atëherë duket si një program elektoral e jo qeveritar. Shqiptarëve iu duhet thënë e drejta dhe e vërteta. Jemi të falimentuar dhe shteti është në borxh deri në fyt. Kjo rrugë na ka çuar në ekstrem. Shoqëria është e kriminalizuar, një grusht pasunarësh kanë në dorë shtetin shqiptar. Puna është se këta janë një bandë e lidhur me lloj -lloj interesash të brendshme e të jashtme. Puna është se të gjithë këta në opozitë e në qeveri punojnë kundër shqiptarëve. Pra, nuk ka asnjë shpresë për realizim të programit.

– Mendoni se, të gjitha këto objektiva të qeverisjes Rama kanë themel edhe një buxhet të mjaftueshëm, apo thjesht janë zotime, që në kohë do të mbeten në letër?

 – Do të mbesin në letër.

 – Faleminderit!