Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur, të mërkurën në 25.01.2023, furnizimin e tankeve të tipit Leopard 2 në Ukrainë në një takim të kabinetit qeveritar dhe më pas në seancën plenare të Bundestagut (Parlamentit). Në një “hap të parë” do të dërgohen 14 tanke Leopard nga rezervat e Bundeswehrit. Javën e kaluar në një takim të zyrtarëve të NATO-s që u mbajt në Gjermani, Berlini tha se do të konsideronte furnizimin me ‘Leopard 2’, që shihen si tanket më të avancuara, vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin të furnizonin Kievin me ‘M1 Abrams’. Kievi ka bërë thirrje prej disa muajsh për tanke prodhim perëndimor, me argumentimet se janë tejet të dosmosdoshme, për t’u siguruar trupave ukrainase fuqinë e zjarrit dhe lëvizshmërinë për të thyer mbrojtjen ruse, e për të rimarrë ato pjesë të pushtuara të territorit në lindje dhe jug të vendit. Ukraina u ka kërkuar vazhdimisht vendeve perëndimore ta furnizojnë atë me tanke për t’u mbrojtur kundër Rusisë. Aleanca Perëndimore është e vendosur për të ndihmuar Ukrainën. Me këtë qëllim, Gjermania dhe partnerët e tjerë duan që “shpejt të grumbullohen dy batalione tankesh me tanket e tipit Leopard 2 për Ukrainën”. Së bashku do të dërgoheshin 90 tanke. Scholz ka thënë se, se ky vendim është “rezultat i këshillimeve intensive që janë zhvilluar me partnerët më të ngushtë europianë dhe ndërkombëtarë të Gjermanisë”. Sipas kancelarit gjerman, “ky vendim ndjek vijën e njohur politike gjermane për të mbështetur me të gjitha fuqitë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të kancelarit gjerman. Për Scholz ka pasur rëndësi që të merrte pjesë në këtë proces edhe partneri më i rëndësishëm i NATO-s, SHBA. Në të njëjtën kohë, burime të qeverisë amerikane kanë treguar se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë përfundimisht tanket luftarake Abrams në Ukrainë.
Më parë kancelari gjerman Olaf Scholz ishte shpehur, se ai dëshironte absolutisht një qasje të koordinuar ngushtë transatlantike për dërgimin e një kategorie të re armësh, siç janë tanket e betejës. SHBA po zgjeron ndihmën e saj ushtarake për Ukrainën duke përfshirë tanket e rënda të betejës M1 Abrams. Siç njoftoi sot qeveria amerikane, 31 tanke Abrams duhet të vihen në dispozicion të Kievit. Sipas presidentit amerikan Joe Biden, ushtarët ukrainas duhet të trajnohen sa më shpejt që të jetë e mundur për pajisjet. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të bashkuara për të ndihmuar Ukrainën. Pas vendimit për të furnizuar Ukrainën me tanke kryesore luftarake, kancelari Olaf Scholz ka tërhequr vija të kuqe për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për vendin e sulmuar nga Rusia. Scholz përjashtoi dorëzimin e avionëve luftarakë ose vendosjen e trupave tokësore të mërkurën në Bundestag. E kam thënë shumë herët se nuk bëhet fjalë për avionë luftarakë dhe këtë po e bëj edhe këtu”, -tha politikani i SPD-së. Kur u diskutua për zonat e ndalim-fluturimit menjëherë pas fillimit të luftës, ai dhe presidenti amerikan Joe Biden thanë: “Ne nuk do ta bëjmë këtë. Dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë qëndrim dhe asgjë nuk do të ndryshojë”. Furnizimi me tanke sulmuese është në fakt një përshkallëzim i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Koalicioni opozitar më i madh CDU-CSU kanë mbështetur vendimin e Qeverisë Federale. Ndërsa ka patur kundërshtime nga disa parti opozitare. AfD ka shprehur qëndrimin se qeveria gjermane nuk duhet të përfshijë më tej Gjermaninë në luftën në Ukrainë. Politikanët e majtë deklarojnë se interesi ekzistencial i Gjermanisë është që të mos përfshihet në këtë luftë dhe duhet të jetë shumë më e kujdesshme sesa tani. Disa senatorë kryesorë amerikanë mbështetën të martën hapin tjetër madhor në ndihmën e Uashingtonit për Ukrainën, duke inkurajuar Shtëpinë e Bardhë të bëjë përpara me një plan për të dërguar tanke ‘M1 Abrams’ për të luftuar agresionin rus. “Treqind tanke u janë dhënë ukrainasve, të cilët kanë një aftësi për të goditur çdo sistem armësh dhe për të maksimizuar avancimin në terren”, u tha gazetarëve republikani Lindsey Graham të martën pas kthimit nga një udhëtim në Ukrainë “Ukrainasit mund të fitojnë nëse kanë mjetet e nevojshme, duke filluar me tanket”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili ishte gjithashtu pjesë e delegacionit që u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Ukrainë. “Tanket Leopard 2 janë të rëndësishme, sepse janë atje, në Evropë, mijëra prej tyre mund të transportohen e mbushen me karburant me lehtësi dhe po kështu kjo lehtëson edhe stërvitjen mbi këto lloj tankesh. Ato janë thelbësore. Por nëse duhen tre, pesë apo dhjetë tanke Abrams atje (Ukrainë) ta bëjmë”.
Pentagoni tha më herët, të martën, se ‘M1 Abrams’ janë “sisteme komplekse armësh, janë të shtrenjta, kërkohet përgatije ushtarake për përdorimin, motorët duan shumë karburant dhe mirëmbatja e tyre është sfiduese. Dorëzimi i tankeve Abrams kohët e fundit ishte objekt polemikash. Për shembull, u tha se tanket ishin shumë të rënda dhe kërkonin karburant të veçantë për shkak të turbinës së tyre, gjë që mund të komplikonte logjistikën në zonën e luftës. Megjithatë, sipas një raporti, tanket Abrams mund të funksionojnë edhe me naftë të zakonshme. Më në fund, ishte bërë e dukshme dorëzimi i një batalioni me rreth 30 tanke kryesore luftarake nga SHBA. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch Mçonnell, paralajmëroi të martën në Senat se dështimi i Perëndimit për të vepruar mund të ketë pasoja shkatërruese.
Udhëheqja ruse ka paralajmëruar tashmë kundër përfshirjes gjermane. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov ka paralajmëruar Gjermaninë kundër dërgimit të tankeve kryesore të betejës Leopard në Ukrainë. Ai tha në Moskë se kjo në mënyrë të pashmangshme do të linte gjurmë në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai nuk dha detaje. Peskov paralajmëroi në deklaratat e mediave se tanket amerikane “do të digjen si gjithë të tjerët” dhe argumentoi se kostot e vendimeve të tilla politike do të përballoheshin nga publiku, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. Ai aludoi gjithashtu në debatin publik midis qeverive mbi mundësinë e furnizimit të forcave të armatosura të Ukrainës me tanke, duke thënë se kjo tregon se “nuk është gjithçka mirë” në marrëdhëniet midis vendeve aleate të supozuar. Ministri i Jashtëm Lavrov deklaroi se Rusia ndodhet faktikisht në luftë me Evropën Perëndimore. Në median gjermane ka pyetje nëse Putin po e deklaron tani Gjermaninë armike? Sipas publikimit nga dpa, dy ekspertë rusë vlerësojnë situatën në internet për FOCUS. “Scholz ndoshta kishte frikë se lufta do të përshkallëzohej kur të dorëzohej Leopard 2” “Nëse shikoni dorëzimin e tankeve gjermane të betejës në sfondin e kërkesave ushtarake të Ukrainës, sjellja e ngadaltë dhe hezituese e kancelarit Scholz ishte padyshim e justifikuar në kritika”, shpjegon eksperti rus Gerhard Mangott, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Innsbruck-ut. FOKUS on-line. Lidershipi gjerman i kërkuar nga shumëkush mungon plotësisht në këtë fushë. Mangott dhe paralajmëron: “Lufta mund të përshkallëzohet horizontalisht nëse ofensivat ukrainase duke përdorur këto armë janë të suksesshme dhe Rusia kërcënohet me humbje”. Kjo mund të tërheqë vende të tjera në luftë.” “Kjo do të thotë se Rusia gjithashtu mund të përdorë armët taktike bërthamore në nevojë ekstreme.” Përshkallëzimit i ndihmës së Aleancës Perëndimore do të rrisi forcën ushtarake të Ukrainës për realizimin e qëllimit të rimarrjes së rajoneve të pushtuara. Njëkohësisht do të rritet edhe mobilizimi i ushtrisë ruse në ofensivën e pritshme të pranverës. Në këto kushte nuk mund të mendohet për bisedime. Megjithatë, mendoj se është e domosdoshme që diplomacia të vazhdojë për të gjetur zgjidhje paqësore.