Prof. Dr. Lush SUSAJ/ Përbindëshat e heshtjes dhe nepotizmit

838
Prima Levi (i mbijetuar i Holokausit) ka shkruar: “Vërtet se ka përbindësha, por ata janë shumë pak për t’i menduar rrezik. Rreziku i vërtetë janë ata të cilët ne i mendojmë si njerëz normalë”.
Në këtë periudhë, për shkak të nepotizmit të lartë në administratë dhe institucione si dhe heshtjes së thellë e të pakuptimtë përballë dhunës, babëzisë dhe abuzimit me ligjet, me pronat e të drejtat e tjera të njeriut, përbindëshat janë shtuar e janë bërë shumë të pushtetshëm e të kudondodhur. Janë shtuar në politikë, në ekonomi, në arsim, në kulturë, në mjedis e kudo. Duart dhe dhëmbët e tyre kanë arritur deri tek kafshata e bukës sonë të përditshme, deri tek shkumësi, tek librat dhe bankat e shkollës së fëmijëve tanë. Përbindëshat jetojnë e sundojnë duke mbjellur dhunë, çorientim, kaos e pasiguri sepse në këtë mënyrë ata dhe ato e sigurojnë e ushqejnë dhe e mbajnë të gjallë habitatin e tyre gjeografik, social dhe ekonomik.
Për nga format metamorfike e mutacionale, përbindëshat ngjasojnë aq shumë me larvat e krimbave. Kjo për faktin se përbindëshat, njëlloj si krimbat, kur nuk trazohen nga ligji dhe reagimi shoqëror, shtohen dhe zvarritën duke brejtur e shkatërruar çdo gjë të mirë e të bukur. Në këtë mënyrë, përbindëshat e nepotizmit dhe heshtjes, ndotin e shkatërrojnë çdo rajon e shoqëri, denatyrojnë dhe zhvlerësojnë çdo fillesë rritje e zhvillimi, degradojnë çdo ligj dhe reformë demokratike.
Në këtë shkrim nuk e kam fjalën për ata përbindëshat e njohur që dhunojnë e vrasin hapur, që përdhunojnë e vjedhin bankat, aeroportet, etj. Përbindëshat e këtij grupi, ndonëse shquhen për dozat e larta të agresivitetit dhe dhunës (si mjeti kryesor për arritjen e suksesit dhe qëllimeve të tyre të mbrapështa),janë më të dukshëm e më të lexueshëm se sa përbindëshat e tipit “skuth”. Duke qenë më të hapur dhe më të lexueshëm, janë edhe më të lehtë për tu identifikuar, stopuar dhe izoluar nga shoqëria dhe nga aktiviteti i tyre kriminal. 
Dëmi më i madh
Ndërsa dëmin më të madh në shoqëri dhe institucione e shkaktojnë përbindëshat e “padukshëm”. E shkaktojnë njerëzit me personalitet (karakter) të dëmtuar, nepotistët, hipokritët dhe skuthët përballë të cilëve shoqëria jonë hesht dhe i toleron duke i konsideruar si njerëz normal. Njerëzit me karakter të dëmtuar janë një problem i madh social në të gjithë botën për shkak të sjelljes së tyre konjukturale dhe abuzive ndaj shoqërisë, mjedisit dhe dijes njerëzore. 
Për ti identifikuar e publikuar këta njerëz, mjafton vetëm pak vëmendje e kujdes në drejtim të analizës së sjelljes së tyre servile e hipokrite, etjes së tyre për pushtet të pakufishëm dhe mungesës totale të mëshirës, modestisë dhe sherbesës njerëzore. Të tillë njerëz manipulojnë dhe kërkojnë të marrin e të përfitojnë duke mos afruar asgjë përveç injorancës, vulgaritetit dhe flliqësisë së produktit të vepres dhe qenies së tyre.
Të tillë njerëz shkatërrimtarë, duhen identifikuar e publikuar me kurajë sepse shoqëria dhe shteti zhvillohen vetëm përmes reagimit dhe përpalljes me ta dhe me bëmat e tyre. 
Të tillë përbindësha janë ata që shkatërruan pyjet e kullotat e Shqipërisë duke filluar nga bregu i detit e deri në Parkun e Lurës që nuk do të jetë kurrë më si ai që kemi patur e vizituar në vitet 1975-1991. Përbindësha janë edhe ata që shkatërruan tokën bujqësore duke e përvetësuar e copëzuar dhe duke e vjedhur në investime, kullim, sistemime, etj.
Përbindësha janë edhe ata
Përbindësha janë edhe ata që në emër të monopoleve në import, shkatërruan industrinë e plehrave kimike, koleksionet dhe strukturat kombëtare të prodhimit dhe shpërndarjes së të farës dhe fidanëve.
Përbindësha janë edhe ata që organizojnë mbjelljen dhe tregtimin e drogës, e më pas, me parat e sajë ndërtojnë makinerinë e dhunës e frikës si dhe blejnë votat për tu bërë deputet, ministra, drejtorë, etj. Një popull që manipulohet nga përbindëshat dhe e shet votën e tij, është i destinuar të dhunohet, shantazhohet, varfërohet, injorohet njëlloj si ajo tufa e kecave që ndiqet me thupër e britma baritore drejt fabrikës së sallamit. 
Përbindësha janë edhe ata që shkatërrojnë administratën me atë rrjetën e njohur të bashkëvjedhësve të tenderimit, supervizionit, rekrutimit, financimit, etj. Të tilla rrjeta nepotike janë ndërtuar dhe po ndërtohen me anëtarët dhe grupet e bashkëfajësisë, bashkëabuzimit dhe me klanet e besuara e të ngushta të familjes dhe katundit, si të tilla janë tepër primitive dhe stopuese të zhvillimit dhe maturimit tonë politik e shtetëror.
Peshqeshe për klanin dhe diplomat
Përbindësha janë edhe ata që shkatërruan shkollën dhe universitetin duke i katandisur stafet në klane familjare, kurrikulat mësimore në peshqeshe për klanin dhe diplomat në letra pa vlerë dhe pa besueshmëri. Shkolla dhe universiteti (dhe të gjitha institucionet shoqërore, ekonomike, kulturore e politike e shtetit tonë), problemin më të madh e kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë me kancerin që e ka emrin nepotizëm dhe heshtje përballë dekadencës në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të procesit mësimor dhe edukativ.
Në Shqipëri, nuk besoj se ka njeri që nuk e ka kuptuar dhe provuar faktin se si nepotizmi, si asnjëherë tjetër është bërë tepër i rrezikshëm dhe i padurueshëm, është bërë shkatërruesi e degraduesi më i madh i shkollës dhe universiteteteve tona. Kjo për faktin se familjet dhe grupet e njohura nepotike e bashkëvjedhëse, përmes konspiracionit dhe fasadave të numrave dhe zgjedhjeve të manipuluara të këtyre 20 vjetëve, kanë siguruar sundimin e tyre nepotik. Në këtë mënyrë janë nxjerrë jashtë loje të gjitha ligjet dhe mekanizmat demokratike të drejtimit, administrimit dhe funksionimit transparent të jetës arsimore, kulturore, akademike e shkencore të vendit. 
Përbindësha janë edhe ata që e katandisën shëndetësinë në korrupsion, inkopetencë e mungesë shërbimesh për popullin e varfër e që aktualisht ka vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë.
Përbindësha janë edhe ata që shkatërruan hartat, kadastrat, titujt e pronësisë, ata që deklaruan se dinë të bëjnë teknologji, shkencë, strategji e programe e që në të vërtetë bën asgjënë, madje bën më pak se sa një vrimë në ujë. 
Përbindësha janë edhe ata që shkatërruan drejtësinë, energjetikën dhe pasuritë natyrore, bregdetin dhe zonat me patenciale të larta turistike, historike, minerale, etj. 
Është koha të kuptojmë faktin se nga heshtja dhe përkulja e mëtejshme përball përbindëshave të dhunës, hajdutërisë, nepotizmit dhe injorancës, buron vetëm stresi, ligësia, varfëria dhe degradimi i potencialeve tona njerëzore, ekonomike, politike e shtetërore. Shqiptarët kanë shumë beteja për të zhvilluar, por beteja e parë për nga radha dhe dendësia është beteja kundër nepotizmit dhe mungesës së reagimit ndaj dhunës, injorancës dhe hajnisë. 
Sigal