Prof. Dr. Lush SUSAJ
- 15 Marsi 2022, studentët i bashkohen qytetarëve që protestojnë
- Studentët e bashkuar me qytetarët e Tiranës janë garda mbrojtëse dhe garancia më e madhe e demokracisë shqiptare.
- Rinia studentore ka ditur të reagojë me forcë kundër rregjimeve arbitrare, shtypëse, denigruese e mashtruese.
- Studentët e Shqipërisë, nuk mund të gënjehen e as të kërcënohen më sikurse u gënjyen në vitet 1990 dhe 2018.
- Viti 1990, qytetarët e Tiranës bashkohen me studentët që protestonin
Në vitin 1990, në kulmin e mynxyrës ekonomike, shoqërore dhe politike, që kishte shkaktuar sundimi komunist, ishin studentët e Universitetit të Tiranës, e më pas edhe të universiteteve të tjera, që filluan lëvizjen studentore, e cila u kurorëzua me ndryshimin e sistemit politik dhe me rrëzimin e busteve dhe kokave të diktaturës. Por për fatin e keq të shqiptarëve, në mënyrë tinëzare u arrit që të shpëtojë e të ruhet mendësia dhe modeli komunist i qeverisjes me krime dhe kriminalitet, me fiktivitet dhe hajdutëri, me shantazh e korrupsion. Në këtë mënyrë, sot kemi një qeverisje 32 vjeçare, totalishtë të dominuar nga përçarja kombëtare, dhunimi i votës së lirë, sundimi njëpartiak dhe mungesa totale e përfaqësimit politik. Që do të thotë se jemi aty ku ishim, në llucën e një diktature të vërbër, në mesin e një zjarri degradues e përvëlues për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Në atë kohë të vështirë e pothuajse të pashpresë, kujtojmë që ishte rinia studentore ajo që reagoi e që i tregoi popullit dhe botës përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e lartë që e karakterizon. Ishte rinia studentore ajo që e filloi betejën me strukturën kriminale dhe antishqiptare të diktaturës komuniste. Në këtë betejë, sikurse edhe në betejat e tjera, duket që Zoti nuk e braktisi kurrë Shqipërinë e as studentët e saj. Sepse në shekuj, dekada dhe vite, pavarësisht nga rregjimet totalitare, që kemi kaluar, shqiptarët kanë ditur të mbijetojnë, të ngrihen e të ringrihen duke u mbështetur e besuar fort tek njëri tjetri. E kështu të bashkuar ja kanë dalë që të shpëtojnë Shqipërinë dhe shtetin shqiptar nga kakistokratët, të korruptuarit, egoistët dhe diktatorët e etur për krime, përçarje dhe hajdutëri. Në vitin 1990, e gjithë Shqipëria dhe bota demokratike pa edhe njëherë shpirtin dhe qytetarinë e pashoqe të popullit të Tiranës, që shkoi menjëherë në krah të studentëve të lirisë, duke u bërë kështu drita dhe forca e fitores demokratike mbi diktaturën. Sot e gjithmonë, do të kujtojmë që ndryshimet demokratike në Shqipëri ndodhën në momentin e bashkimit të popullit të Tiranës me studentët hynorë të Shqipërisë, të cilët e kishin vrarë frikën dhe thërrisnin “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Poshtë diktatura”, etj.
Që të gjitha këto parulla, thirrje dhe oshtima, janë të njëjtat me ato që kemi përjetuar e dëgjuar edhe në protestën studentore të vitit 2018, dhe në protestën studentore të filluar në, datë 11 mars 2022, e sidomos në protestën e datës 15 mars 2022. Unë e di që studentët dhe rinia shkollore ka ndjeshmërinë shoqërore dhe politike më të lartë, ka trimërinë dhe kurajon më të lartë, ka arsyen më të madhe për të mos qëndruar gojëkyçur e as duke bërë sehir përballë degradimit të punës dhe jetës shoqërore, ekonomike e politike të vëndit. Ditën e Premte (11.03.2022), pashë dhe komunikova me dhimbëshuri dhe dashamirësi të lartë me studentët e Universitetit Bujqësor, të cilët u bashkuan përpara godinës së fakultetit të Agronomisë dhe e nisën marshimin e tyre drejt qendrës së Tiranës, për t’u ndalur përpara godinës së kryeministrisë. Unë e kam parë nga afër dhe e kam përjetuar edhe mënyrën se si është sabotuar, kërcënuar, mashtruar, përçarë dhe mbyllur protesta studentore e vitit 2018. Ka qënë një protestë që nuk pati përkrahjen e popullit, e duket që për këtë arsye dështoi për ta zhytur vëndin dhe shoqërinë edhe në 4 vite të tjera (2018-2022) fiktivitet, korrupsion dhe shpopullim të frikshëm. Por nuk duhet të harrojmë që protesta studentore e vitit 2018, do të kujtohet edhe si testimi apo fushëbeteja e parë e patronazhistave apo spiunëve të partisë shtet, ku si gjithmonë vunë partinë mbi Shqipërinë, klanin nepotik e hajdutërorë mbi shkollën dhe universitetin, byronë e partisë mbi studentët, e si gjithmonë mashtrimin mbi të vërtetën. Për fatin e keq, në këtë protestë arritëm që të kuptojmë, të shofim dhe të përjetojmë edhe pasojat e mungesës së dekomunistizimit të shkollës dhe universiteteve. Pamë dhe përjetuam faktin e trishtë apo mënyrën se si askund tjetër në botë, disa nga pedagogët që kishin kryer 3 vitet e stazhit të ish partisë së punës, nuk u lodhën dhe nuk u ndalën duke shantazhuar dhe kërcënuar hapur studentët dhe kolegët e tyre për të heshtur e për të mos dalë në protestë. Ky mobilizim i strukturës së partisë shtet, një strukturë e llahtarshme totalitare, arriti që ta mbyllë protestën studentore, edhe duke ua gjetur studentëve protestues prindërit dhe duke ua kërcënuar me largimin e tyre nga puna. Si askund tjetër në botë, partia shtet, përdori mjerimin dhe frikën për kafshatën e bukës.
15 Marsi 2022, studentët i bashkohen qytetarëve që protestojnë
Me 15 Mars, ora 17:00, isha duke punuar në studio kur me njoftuan që në qendër të Tiranës janë bashkuar studentët, e janë nisur drejt kryeministrisë për t’u bashkuar me qytetarët e Tiranës. Ky ka qënë momenti kur jam përhumbur nga gëzimi, sepse bashkimi i studentëve me qytetarët krijon atë forcë transformuese për të cilën ka aq shumë nevojë Shqipëria. Bashkimi i studentëve me qytetarët e Tiranës është fundi i diktaturës dhe diktatorëve, që guxojnë e shkallmojnë votën e lirë, e që endërrojnë e punojnë për monizëm, për partinë shtet dhe për sundimin harbutëror të pakicës mbi shumicën. Studentët tanë janë në ditën e tyre më të zezë. Si kurrë më parë janë të margjinalizuar e në pikën e hallit. Jetojnë e mësojnë në kushtet kur në dosjet e fiktivitetit dhe korrupsionit është zbukuruar e qëndisur çdo gjë, ndërsa në realitetin e jetës së tyre të përditshme, nuk ka mbetur asgjë përveçse harresës, mashtrimit, mizerjes administrative, mungesës së dijeve bashkëkohore e konkuruese e deri edhe klasave dhe zyrave të ftofta akull në dimër, e të nxehta si zjarri në verë.
Nënë Tereza, thoshte: “Sëmundja më e rëndë e ditëve tona nuk është gërbula, as tuberkulozi. Njeriu e ndjen veten të sëmurë kur është i braktisur nga të gjithë, kur mbetet pa dashuri e pa mbrojtje. Sëmundja më e rëndë është mungesa e dashurisë dhe e mëshirës, indiferenca e tmerrshme e të gjithëve për të gjithë, e, në radhë të parë, për ata që janë viktima të shfrytëzimit, të korrupsionit, të mashtrimit e të varfërisë”. Unë nuk di tjetër vend në rajonin e Ballkanit e as në Europë, ku studentët dhe nxënësit trajtohen me kaq mungesë ndjeshmërie, me kaq brutalitet, arrogancë, burokraci, shpërfillje, grabitje dhe frikë, që ua shkatërron cilësinë e jetës. Shqipërisë nuk i duhet për asgjë ky raport me dijën e me rininë shkollore dhe studentore. Akademik Rexhep Qosja, në analizën e tij me titull: Pse Shqiptarët Nderojnë Gjysmë Analfabetët dhe Mashtruesit, ka shkruar se: “Robëria e gjatë shumëshekullore, nën Perandorinë Otomane e, mandej nën regjimet absolutist dhe tiranike të përbëra prej satrapësh që mendojnë se-politika është kurvë, pushteti është pasuri, atdheu është pronë, e kanë vrarë pavarësinë e mendimit dhe pavarësinë e nismës në shpirtin tonë! Për këtë arsye ne e pranojmë ose në eufori, ose në heshtje edhe sjelljen më shpërfillëse të njerëzve të politikës; për këtë arsye ne vihemi në mënyrë të përkorë edhe në anën e regjimeve shtypëse, edhe në anën e regjimeve mashtruese; për këtë arsye ne nderojmë edhe gjysmëanalfabetin, edhe mashtruesin politik; për këtë arsye për të nesërmen politike ne më shumë punojmë duke e ëndërruar atë se duke e ndryshuar të tashmen. Harrojmë se ata që duan t’i sendërtojnë ëndrrat më parë duhet të zgjohen”.
Sot dhe në të gjitha momentet e vështira të Shqipërisë, rinia studentore ka ditur të reagojë me forcë kundër rregjimeve arbitrare, shtypëse, denigruese e mashtruese. Studentët e Shqipërisë, nuk mund të gënjehen e as të kërcenohen më sikurse u gënjyen në vitet 1990 dhe 2018, kohë kur studentët u ngritën kundër diktaturës, dhe pa kaluar shumë kohë, e pane vetën të tradhëtuar, të mashtruar, të menjanuar e të shpërdoruar nga klanet dhe elitat politike orientale që e kanë degraduar shkollën dhe jetën tonë shoqërore e politike në një mizerje të panjohur e të paimagjinuar nga askush. Studentët e bashkuar me qytetarët e Tiranës, do të dinë të ja kthejnë nderin dhe lirinë shtetit dhe popullit të tyre. Studentët nuk e lënë shkollën e as kombin e tyre që të turpërohët e tërhiqet zvarrë nga partitë shtet apo nga klan diktaturat.
Studentët e bashkuar me qytetarët e Tiranës janë garda mbrojtëse dhe garancia më e madhe e demokracisë shqiptare.