Prof. Dr. Ismet ELEZI / Dekreti i shkishërimit në vështrimin juridik

757
Sigal

Pse Kodi i së Drejtës Kanonike dhe dekreti për shkishërim bien ndesh me traditën juridike kombëtare shqiptare

Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, krahas fitoreve të pakrahasueshme, shteti dhe shoqëria shqiptare ndeshen edhe me plagën shoqërore të gjakmarrjes, të trashëguar nga e kaluara. Për parandalimin dhe luftimin e saj është e interesuar shoqëria shqiptare në tërësi dhe, posaçërisht ato zona ku ende ndodhin vrasje të tilla.

Për interesimin e besimtarëve të saj, edhe Ipeshkvia Metropolitane e Shkodrës – Pult e Lezhë, shpallën dekretin për shkishërimin më datën 14 shtator 2012 (botuar në gazetën Shekulli datë 2 tetor 2012) me përmbajtje si vijon: “Kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme, që ajo të ndodhë, në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike (kishtare) ndëshkohet me shkishërim (d.m.th. Ekskomunikim). Arsyetimi se përse lindi nevoja e këtij dekreti, sipas tyre, është se në Veri të vendit, kohët e fundit kanë ndodhur mjaft vrasje, veçanërisht për gjakmarrje, shumica e të cilave justifikohen me rregullat e Kanunit të Lekë Dukagjinit e nga moszbatimi i ligjit. Le të reflektojmë pak, sikur kleri katolik i Shkodrës së bashku me klerin e besimeve të tjera fetare dhe me shoqërinë civile të ishin angazhuar gjatë viteve me veprimtari edukuese bindëse me besimtarët (dhe jo me dekrete) sa jetë njerëzish do kishin shpëtuar, sa persona nuk do ishin dënuar me burgim dhe sa njerëz të pafajshëm nuk do ishin të ngujuar dhe sot nuk do ishte nevoja as për dekrete e shkishërime. Nuk mohohet që kërcënimi për shkishërim ka një farë ndikimi parandalues te besimtarë të moshës së mesme e lart, por duke marrë parasysh se mosha mesatare e popullsisë që kryen vrasje është 25 – 27 vjeç, kuptohet që ndikimi i ndëshkimit me shkishërim është tepër relativ. Pasi u njoha me përmbajtjen e dekretit, bazuar në nenin 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike, unë kam shprehur opinionin tim se, Kanuni dhe e drejta kanonike i përkasin së kaluarës, se shteti ynë sot qeveriset me Kushtetutë e me ligje, që mbrojnë jetën e njeriut dhe dënojnë rëndë krimin e vrasjes. Qëllimi i shprehur në dekret nuk justifikohet me mjetet e përdorura. Duke shpallur dekretin e shkishërimit krijohet imazhi i gabuar se në një “kanton” të Shqipërisë së Veriut – në qarkun e Shkodrës kthehet shekuj prapa dhe për gjakmarrjen qeveriset me Kodin e së Drejtës Kanonike dhe Kanunin në shekullin XXI dhe jo me ligjet e shtetit laik. Ndërkohë lind edhe pikëpyetja se cili është qëllimi i vërtetë i dekretit – shkishërimi apo me këtë rast të legjitimohet vënia në zbatim e së drejtës kanonike. Kodi i së Drejtës Kanonike dhe gjykatat fetare, në Shqipëri, të cilat gjykonin vetëm çështje të caktuara lidhur me martesën e familjen, por në asnjë rast, krimin e vrasjes apo krime të tjera të juridiksionit ligjor, me hyrjen në fuqi të Kodit Civil të shtetit shqiptar (1929) pushuan së vepruari. Pas botimit të dekretit të shkishërimit janë botuar një sërë artikujsh nga autorë të ndryshëm. Disa prej tyre e mbështesin si një akt humanitar, të tjerë shprehen kundër, sepse kisha me këtë dekret futet në juridiksionin e ligjit të shtetit laik, derisa vrasja në tërësi dhe për gjakmarrje në veçanti parashikohet e dënohet nga Kodi Penal. Ndonjë autor tjetër ka propozuar të ndjekin këtë shembull edhe komunitetet e tjerë fetarë e të nxjerrin dekrete. E ndjej për detyrë morale, shoqërore dhe profesionale si jurist të shfaq opinionin tim për këtë dekret në këndvështrimin juridik. E konsideroj një faktor me shumë rëndësi në luftimin e parandalimin e gjakmarrjes qëndrimin dhe pikëpamjet e drejta e të argumentuara të Monsignor Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, i cili në një intervistë të tij shprehet qartë e haptazi se: “dekreti i shkishërimit nuk beson se zgjidh problemin e gjakmarrjes” dhe më tutje thotë se: “duhet të punohet më shumë, në mënyrë intensive, duke folur me njerëzit, me ndërhyrjen e kishës dhe personaliteteve fetare dhe laike, që kanë peshë në vendet ku ndodhin vrasjet dhe nëpërmjet dialogut të ndihmohen sa më shumë që mentaliteti i gjakmarrjes të reduktohet apo edhe të eliminohet krejtësisht”. Këto pikëpamje përbëjnë thelbin e misionit të besimeve fetare e të klerit katolik që t’i shërbejnë parandalimit të gjakmarrjes. Në këtë frymë konstruktive është shprehur komuniteti mysliman në përgjigje të disa thirrjeve për të nxjerrë dekrete, duke deklaruar se: “Komuniteti Mysliman do të bëjë punë edukuese, sqaruese e bindëse me njerëzit e besimit mysliman, që të respektojnë Kuranin, i cili e ndalon vrasjen”. Kryegjyshi botëror i Bektashinjve, Baba Mondi në intervistën e tij (botuar në gazetën “Telegraf”, datë 8 nëntor 2012), shprehet kundër gjakmarrjes dhe mendon se ajo nxitet nga jashtë, si dhe vë në dukje rolin dhe përgjegjësinë e shtetit për zgjidhjen e problemit të gjakmarrjes e të ngujimit. Në lidhje me dekretin e lartpërmendur thotë se nuk mund të gjykojë atë, por “të mos harrojmë se mbi të gjitha dekretet është ligji dhe zbatimi i tij”. (nënvizimi ynë). Kjo deklaratë meriton të përshëndetet sepse vlerëson në radhë të parë sundimin e ligjit, si bazë e shtetit të së drejtës si dhe për faktin që tërheq vëmendjen e organeve të shtetit për të zbuluar shkaqet e gjakmarrjes dhe nxitësit e saj të huaj. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe z.Rexhep Shahu, i cili shkruan se “pa donacione s’ka gjakmarrje”. E vërteta është se shteti nuk tregon interes, ndonëse ka përgjegjësinë kryesore për zbulimin e shkaqeve, të donatorëve dhe të marrësve të donacioneve që e kanë kthyer gjakmarrjen në biznes të palicencuar. Në këtë drejtim mund të ndihmojë edhe kisha, e cila merr më shumë informacione nga besimtarët se sa policia. Ndërsa Z. Janullatos, si shtetas i huaj që është, në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, mesa duket nuk ka interes për problemet shoqërore në Shqipëri dhe nuk ka bërë ndonjë deklaratë. Çështja kryesore nga pikëpamja juridike qëndron në faktin se dekreti ka për objekt krimin e vrasjes në përgjithësi e të vrasjes për gjakmarrje në veçanti, që dalin jashtë kompetencave të klerit katolik, sepse hyjnë ekskluzivisht në juridiksionin ligjor të shtetit laik – të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Lidhur ngushtë me këtë qëndron edhe fakti tjetër se dekreti ka si bazë juridike dhe i referohet nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike, i cili nuk ka fuqi juridike, nuk legjitimohet zbatimi i tij nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe është edhe kundër ligjit penal e traditës juridike kombëtare shqiptare.

I. Po sqarojmë fillimisht pse Kodi i së Drejtës Kanonike dhe dekreti për shkishërim bien ndesh me traditën juridike kombëtare shqiptare.

Historikisht dihet fort mirë se qysh në monumentin historik juridik – Statutet e Shkodrës (fillimet e shek.XIV) bëhet fjalë për vrasjet dhe dënimet përkatëse ndaj tyre, ndërsa për vrasjen për gjakmarrje parashikohet shlyerja e urazbës (shpërblimi i gjakut) (kreu 266). Statutet në asnjë vend nuk përmendin e as i referohen Kodit të së Drejtës Kanonike e as shkishërimit, por i referohen së drejtës zakonore shqiptare. Po kështu e drejta zakonore penale mbarëshqiptare, e në veçanti Kanuni i Lekë Dukagjinit, përcakton rregulla të forta për gjakmarrjen, po në asnjë nen të tij nuk i referohet Kodit të së Drejtës Kanonike apo shkishërimit. Përkundrazi, kleri katolik françeskan i Shkodrës kur kodifikoi e botoi Kanunin e Lekë Dukagjinit (1933) vuri kishën nën mbrojtjen e Kanunit, si dhe jetën e meshtarit, duke parashikuar dënimin me vdekje për vrasjen e tij. Tregues tjetër shumë i rëndësishëm për qëndrimin kombëtar të klerit katolik të Shkodrës për rregullimin e gjakmarrjes, janë pikëpamjet e klerit të shek.XX.

Për rikujtesë po sjellim pikëpamjet e disa prej figurave të shquara që janë marrë drejtpërdrejtë me Kanunin e Lekë Dukagjinit.

1. At Shtjefën Gjeçovi, klerik katolik, patriot, studiues, etnolog, ka merita të mëdha historike se mblodhi nga gojëdhëna popullore normat e Kanunit të Maleve dhe ruajti origjinalitetin e tyre, pa i përzier me normat e Kodit të së Drejtës Kanonike dhe pa përmendur shkishërimin e vrasësve.

2. At Gjergj Fishta, klerik katolik, poet kombëtar, patriot, figurë e shquar kombëtare, ka shkruar parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit, që përbën një thesar kulture, ka shpjeguar hollësisht gjakmarrjen dhe përfundon se: “Shqiptari pra duke vra gjaksin e vet, nuk ban tjetër veç me çue në vend një ligj, që ai e mban për të drejtë (f.XXIX). Siç shihet, ai i referohet Kanunit të Maleve dhe jo Kodit të së Drejtës Kanonike dhe as flet për shkishërimin ose ndëshkim për vrasësin.

3. Studiuesi albanolog Giussepe (Zef) Valentini, në librin e tij: “Ligji i Maleve shqiptare” (2007) sjell shumë relacione të Misionit shëtitës Jezuit në veri të Shqipërisë (1880 – 1932) ku flitet mjaft edhe për gjakmarrjen. Megjithatë, nga i gjithë materiali i botuar rezulton se misionarët jezuitë ose i kanë bindur personat që donin të merrnin gjak të hiqnin dorë ose kanë luajtur rolin e ndërmjetësuesit për falje e pajtim, gjithmonë në bazë të së drejtës zakonore shqiptare. Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për Kodin e së Drejtës Kanonike dhe as për kërcënim me shkishërim të vrasësve, pavarësisht numrit të madh të vrasjeve për gjakmarrje në ato zona. Metodat e përdorura për të parandaluar gjakmarrjen kanë vlerë aktuale për Kishën e Shkodrës.

4. Studiuesi tjetër katolik, shkrimtari dhe intelektuali i njohur Ernest Koliqi, në punimin e tij për ngjashmëritë e Kanuneve me të drejtën romake, në asnjë rresht kur flet për gjakmarrjen nuk i referohet Kodit të së Drejtës Kanonike. Veç këtyre, jo pak studiues nga Shqipëria e nga Kosova që janë angazhuar me studimin e Kanuneve asnjeri prej tyre nuk e lidh zgjidhjen e problemit të gjakmarrjes me shkishërimin dhe me Kodin e së Drejtës Kanonike e as me Kanunin.

Ky qëndrim shprehet qartë edhe nga autorët e huaj që janë marrë me Kanunin shqiptar e posaçërisht me gjakmarrjen. Më qartë e në mënyrë koncize e ka shprehur mendimin e saj studiuesja e njohur angleze Edith Durham e cila thotë se: “Malësorët kanë afër pesëmbëdhjetë shekuj, që e njohin krishtërimin, por zakonet e fisit janë ende më të forta se Kanuni i Kishës (f.114). Është bërë zakon… të flitet për “shqiptarët pa ligje”, por nuk ka popull tjetër në Europë që të rrojë si ata nën tiraninë e ligjeve. Ligji i pashkruar i gjakmarrjes është për shqiptarët si furitë e tragjedisë greke të vjetër” (f.138). Shprehja “Kështu e ka thënë Leka” ka më tepër forcë detyruese se sa të dhjetë porositë e Biblës”. “Mësimet e Islamit e të krishtërimit, ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kanunit të Lekës” (f.116). Duke u njohur me këto pikëpamje rezulton se historikisht Kodi i së Drejtës Kanonike nuk ka gjetur zbatim në Shqipëri për vrasjen e gjakmarrjen, kështu që ai është i papajtueshëm me traditën juridike shqiptare.

II.Kodi i së Drejtës Kanonike është i papajtueshëm edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet në fuqi.

1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

a) Kushtetuta;

b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;

c)  ligjet;

ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.

2.  Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe.

3. Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre.  (neni 116 i Kushtetutës)

Duke ballafaquar këto nene të Kushtetutës me Kodin e së Drejtës Kanonike, rezulton se ai nuk hyn në asnjë nga pikat e sipërme. Për rrjedhojë dekreti që i referohet Kodit të së Drejtës Kanonike është nul, nuk ka legjitimitet për zbatimin e tij në praktikë në shtetin tonë.

Në shtypin e përditshëm një autor është përpjekur ta fusë zbatimin e Kodit të së Drejtës Kanonike në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare. Këtë opinion e hedh poshtë Monsignor Rrok Mirdita, i cili deklaroi se: “Nismëtare për shkishërimin është Metropolia e Shkodrës së bashku me Ipeshkvinë e Vaut të Dejës dhe Lezhës dhe se …  Nuk është marrë mendimi i Papës për dekretin”. Nuk ka nevojë për komente të tjera, sepse dekreti që i referohet Kodit të së Drejtës Kanonike nuk mund të hyjë në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar. Raportet juridike të shtetit me fenë janë përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 10).

III. Njëkohësisht dekreti dhe Kodi i së Drejtës Kanonike që kanë për objekt vrasjen e gjakmarrjen nuk pajtohen me ligjin e posaçëm të shtetit për luftimin dhe parandalimin e gjakmarrjes (2005), i cili ngarkon Këshillin Koordinues të merret me zgjidhjen e këtij problemi dhe ngarkon organet e shtetit për zbatimin e tij, pavarësisht se ky ligj nuk ka gjetur zbatimin e duhur në praktikë. Përgjegjësia për këtë bie mbi organet përkatëse shtetërore. Dekreti për shkishërimin, i bazuar në Kodin e së Drejtës Kanonike parashikon ndëshkimin moral të shkishërimit të vrasësit, por shteti ynë ka në fuqi Kodin penal, i cili parashikon për vrasjen për hakmarrje apo gjakmarrje dënimin me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm dhe me gjobë. Si përfundim mund të nxirret se përgjegjësia kryesore për mbrojtjen e jetës së njeriut bie mbi shtetin. Dekreti i shkishërimit dhe baza juridike e tij – Kodi i së Drejtës Kanonike, në përmbajtje dhe në formë nuk legjitimohen dhe janë të papajtueshëm me traditën juridike shqiptare, me Kushtetutën dhe ligjet e shtetit laik. Mënyrat dhe format për të mënjanuar këto mospajtime mbeten për t’i kapërcyer nga vetë Ipeshkvia Metropolitane e Shkodrës. Ka ardhur koha të kuptohet se hallka kryesore për luftimin e kriminalitetit është parandalimin i tij. Ky është edhe rekomandimi i Këshillit të Europës. Ndoshta zëvendësimi i dekretit me një apel të fortë dhe me veprimtari konkrete me njerëzit, besimtarët do të kishte efekt më të fuqishëm edukativ.

Kleri katolik i Shkodrës ka përvojë të madhe pozitive nga viti 1997 në bashkëpunim me klerin e besimeve të tjera fetare, shoqërinë civile dhe me organet shtetërore, të ngrenë peshë opinionin publik kundër gjakmarrjes dhe të nxjerrin nga ngujimi familje e njerëz të pafajshëm. Ky do të ishte një kontribut i çmuar për shoqërinë, për zbatimin e ligjeve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.