Prof.Dr. Bajram Hysa: Kur do të ndahet politika nga krimi ?

831
Sigal

Kur do të ndahet politika nga krimi?

Prof. Dr. Bajram Hysa

Dy ditë më parë ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, u bëri thirrje krerëve të partive politike, për të mbajtur përgjegjësi dhe për të bërë vetting për çdo kandidat për deputet nëzgjedhjet elektorale: Mos kandidoni të korruptuar dhe as kriminelë, ishte apeli i znj. Yuri Kim. Dje presidenti Ilir Meta deklaroi seka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione demokratike e legjitime. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme pastrojnë politikën nga elementë kriminale apo të korruptuar, të cilët për interesa grupesh të ndryshme, kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e shtetit ligjor në mënyrë të plotë dhe europiane.

Ndërkohë kryeministri Rama, shpalli ambicien e tij për të gëzuar edhe një mandat të tretë!

Po a ekziston krimi  në politikë?

Pyetja e ka të gatshme përgjigjen: A nuk ëshët krim i organizuar politik manipulimi  në zgjedhjet e vitit 2017, i denoncuar edhe nga gazeta gjermane “Bild”, një krim i cili ende nuk është ndëshkuar nga drejtësia shqiptare? Zoti kryeministër nuk ka marrë mundimin as t’u bëjë thirrje organeve të drejtësisëqë të shqyrtojë mundësinë e hetimit të vjedhjes sëvotave  në Dibër apo në Durres. Procesi i rinumërimit të votave kishte nxjerrë në pah se komisionerët kishin manipuluar me mijëra vota për kandidatë të caktuar.

Drejtësia ka dështuar ndaj krimit elektoral

Drejtësia, e kapur prej tij me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, nuk ka funksionuar. Kandidatë të caktuar kanë organizuar vjedhjen e votave përmes komisionerëve, duke i detyruar ata me urdhra nga lartë që të manipulojnë rezultatet për kandidatët e caktuar. Përkundër këtyre deklarimeve publike dhe denoncimeve të ankesave përmes rrugëve ligjore, prokurorët nuk kanë iniciuar asnjë rast të hetimit rreth tutorëve të cilët kanë organizuar, financuar dhe shtyrë komisionerët që të kryejnë këto krime në zgjedhje. Prokuroria nuk ka kërkuar që të zbardhet e vërteta rreth votave të manipuluara nga të cilat kanë tentuar të përfitojnë pozitën e deputetit kandidatë të caktuar. Një gjë e tillë do të shërbente për të hapur pistën e hetimeve në drejtim të kandidatëve dhe personave të tjerë të cilët mund të jenë organizatorë të manipulimit të votave. Dhe kjo është fatale pasi  denoncimet dhe ndëshkimet ligjore për vjedhjet elektorale  duhet të shërbenin  si prova të pakontestueshme për  përzgjedhjen e kandidatëve të rinj në zgjedhje.

Manipulimi i zgjedhjeve është një problem shumë i ndërlikuar dhe paraqet sfidë për t’u zgjidhur lehtë, pasi çështja nuk qëndron vetëm tek udha për përfaqësim të qytetarëve, por është gjithashtu çështje e përfitimeve të ndryshme që burojnë nga pozitat e tilla publike. Përfitimet për politikanët dhe përkrahësit e PS ndër tjera përfshijnë emërimin dhe punësimin në institucione publike, abuzimin e pozitës zyrtare përmes mitmarrjes, apo përfitimit të dobive tjera pasurore, përpilimit të politikave të cilat i shkojnë për shtati grupeve të caktuara të interesit, si dhe mundësinë që resurset publike të bien në duar të njerëzve të partisë apo atyre të afërt me partinë. Prandaj, interesat e tjera të cilat nuk ndërlidhen me përfaqësimin politik të qytetarëve, bëjnë që anëtarët e partive të jenë edhe më të etur për pushtet.

Demokracia e sotme, është demokraci e dyshimtë

Pra qeveria Rama, me një arbitraritet egoist  e partikularizëm folklorik ka dështuar të përmbushë detyrat që burojnë nga mandati ekskluziv për të luftuar krimin e organizuar.Sistemi që ndërtoi Rilindja e tij ishte kryekëput një dështim, me një status juridik artificial e thelb thellësisht korrupsional, ku zhgënjimet kanë ndjekur njëri- tjetrin për 7 -vjet.

Qeverisja Rama dhe regjimi i tij i dha demokracisë  karakterin e një karikature, e cila çuditërisht,  pak ose aspak,  u ra nësy ndërkombëtarëve, të cilët u sollën  në mënyrë krejt enigmatike dhe të pashpjegueshme. Si rrjedhojë të gjitha pushtetet u personifikuan te një njeri, duke përdhosur autoritetin moral të shtetit, i cili manifestoi gjatë gjithë kohës një konformizëm servil ndaj ndërkombëtarëve.

Përfaqësues të shumtë diplomatikë, të përfshirë me një eksluzivitet tëtepruar  burokratik në përcjelljen e funksioneve të tyre diplomatike, duket se nuk i kuptuan sa duhet nevojat për të ndalur revanshin antidemokratik të z. Rama, duke  ngjallur mjaft keqkuptime në misionin e tyre, arritën deri aty sa t’i konsideronin si “të ligjshme” një palë zgjedhje absurde pa kundërshtar, gjoja në emër të demokracisë funksionale. Por, të dashur misionarë, demokracia nuk mund të sajohet, ajo ose ekziston ose jo. Kjo që ju bëtë ishte një goditje e rëndë për  shpresën evropiane dhe perëndimore të shqiptarëve, që nuk kanë vuajtur kurrënga komplekse patologjike ndaj Perëndimit, por përkundrazi kanë qene fansa të zjarrtë të demokracisë perëndimore.

Për një frymë të re në politikën shqiptare

Në këtë kontekst e vlerësoj shumë apelin që bëri amabasadorja Kim për të larguar të inkriminuarit nga politika. Kjo padyshim do të sjellë një frymë të re në politikën shqiptare. Apeli nënkupton se në demokraci, secili duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta, të përkujdeset për respektimin e ligjit dhe të vërtetave të shenjta, siç është vota e lirë dhe jo e blerë, për ndarjen njëhërë e mirë të politikës nga krimi. Thirrja nënkupton se liderët duhet të bëhen politikanë të përgjegjshëm,  t’i qeverisim demokratikisht çështjet tona dhe jo të mbetemi peng i krimit politik.Kjo padyshim e legjitimon edhe kauzën që ka ndjekur opozita, duke denoncuar rast pas rasti inkriminimin e pushtetit nga njerëz me profil kriminal të katapultuar nga Rama. Shqipëria duhet të lërë pas përgjithmonë këtë përvojë të dhimbshme, të rëndë drejt ndryshimeve të ndjeshme, drejt cilësisë së institucioneve politike.

Kjo do të ishte rruga për t’i kthyer mbarë çrregullimet e rënda institucionale, politike dhe ekonomike, për t’iu rikthyer vullnetit të mirë për kristalizimin e një shteti të vërtetë demokratik e kushtetues.

Të gjithë zyrtartët e zgjedhur do ta gjejnë veten nën presion për të bërë diçka, qoftë dhe kur kjo diçka sjell një përmirësim të sipërfaqshem, afatshkurtër. Politika shqiptare më në fund duhet të jetë në gjendje të ndjekë dhe të ndihmojë zhvillimin e institucioneve. Të krijojë struktura kushtetuese të qëndrueshme, me qëllim që zgjedhjet të mbeten njëlloj konkurrence periodike, një laborator idesh, ku konkurrojnë njerëz veçanërisht të vlefshëm dhe me prirje shumë të ndryshme.

Duhet, pra, të parashikohet zgjedhja me vote të përgjithshme të drejtpërdrejtë e atyre që ushtrojnë pushtet.