Artan Xh. Duka Prof.As.Dr.MSc.
Me 7501, pronarët e tokave u zhveshën nga titulli i pronësisë- hem kapitalizëm, hem “konfiskim”! Shqiptarëve në Çamëri ua mori tokat greku, tek ne ua tjetërsoi shteti shqiptar!
Të “kopsitura” me ligj!
Padrejtësia vret më shumë kur bazohet në ligj. E nëse shurrdhëria e karshillëku vijon edhe kur ajo është sheshit, ajo shkon në tejskaj. Lista e padrejtësive ndaj qytetarëve me ligj është e gjatë e në tre dekada asnjë qeveri, përfshi edhe atë Rama 1-2-3, nuk bën përjashtim. Prona, diskriminimi e braktisja e qytetarit, çmeritizimi i votës, pabarazia para ligjit etj, të gjitha gërryejnë besimin tek ligji, sistemi, shoqëria duke nxitur indiferentizmin, klientelizmin dhe braktisjen e vëndit. Ndër to, vetë shtyllat kryesore të sistemit, prona e vota, qoftë për interesa zgjedhore, klienteliste apo përfitime, janë nëpërkëmbur me ligj nga politika deri pakthim! Boll maja e ajsbergut e politikës abuzive – bizneset, vilat, makinat, stilet e jetesës, shkollimet e pinjollëve, deklaratat vjetore të pasurive etj, e kusuri merret me mënd.
“Përtej bujës së reformës në drejtësi, sot klasa politike ndjehet më e sigurtë se kurrë në abuzimin e privilegjet e pamerituara të saj. Gjithshka “kopsitet” me ligj dhe nëse ndodh që bie nga “fiku” dikush, ose shkohet me thënien e Nastradinit “o unë, o gomari o mbreti …”
Nëpërkëmbja e pronës!
Me 7501, pronarët e tokave u zhveshën nga titulli i pronësisë- hem kapitalizëm, hem “konfiskim”! Shqiptarëve në Çamëri ua mori tokat greku, tek ne ua tjetërsoi shteti shqiptar! Toka nuk është më tek i zoti, por tek më i “zoti” dhe qeveria jep tapira me tam-tame pavarësisht se ca prej tyre kanë edhe tokat e gjyshërve andej nga vinë. Gjithshka me ligj! Po me ligj, padrejtësia polli pabarazi. Ndryshe nga pronarët e tokës, pronarët e banesave ish-pronë private i morën ato. Ndryshe nga ata që zunë tokat e tjetrit e marrin tapi, banorët e banesave ish-pronë private nxirren (me mijra) jashtë ndonëse paguan qera një jetë si të tjerët që privatizuan thuajse falas banesa në fillimvitet 90 (në rastin më të mirë u ofrohet një kredi!). Gjithshka me ligj! E ndërsa pronari tokës nuk e gëzoi kurrë atë e banorët në banesat e ish-pronarëve mbetën pa strehë, me qindra-mijra banorëve u ra “llotaria” e morën nga pasuria publike në vitet 90 prona e tapi apartamentesh, dyqanesh, magazinash, automjetesh etj. Gjithshka me ligj! Këto e të tjera nëpërkëmbje të së drejtës mbi pronën kanë cënuar kohezionin social, respektin e besimin ndaj ligjit (pronarët që besuan në shtet, u braktisën prej tij etj), marrin peng zhvillimin ekonomik dhe ngrejnë pikpyetje për garancinë e sigurinë juridike të pronës e paprekshmërinë për sot e mot.
Qesja e madhe e shtetit e pabarazia mes nesh
Pronarët e tokave kanë tre dekada që presin kompensim real në natyrë apo monetar mes një vandaku letrash e proçesi sfilitës burokratik, por koha nuk është me ta dhe jetë po shuhen çdo ditë. Ndërkohë, ish-të persekutuarit marrin me intensitet kompensimet për vuajtjet e tyre (familjet e dëshmorëve jo) ndonëse u bënë bashkë në një “thes” disidenti e viktima e pafajshme me ordinerin që mbetet i tillë në çdo sistem. Sot jepen dëmshpërblime, grante e lehtësira financiare për shumë syresh. Për pronat e zëna kur parashikohen rrugë e vepra, politikanë e qytetarë “VIP” për kurime jashtështetit, kredi të favorshme strehimi kategorive të caktuara (pavarësisht nëse familjet e tyre privatizuan apartament dikur), banesa të reja pas tërmetit, shtesa rrogash duke diferencuar mes sektorëve, rritje rrogash pa sens mase me preteksin e piramidës së rrogave ndërkohë që harrohen plot, pensionistët në rradhë të parë (turp shoqëror) etj, ndërkohë që për shumë qytetarë ora ka “mbetur” ende në vitet 90. Nga pronari i tokës, që pret, banorët në shtëpitë e ish-pronarëve që u lënë pas fëmijëve jo pasuri si gjithë të tjerët, por borxhe (kredi) etj. Gjithshka me ligj! Kompensimet duhet të jenë të merituara, në kohë dhe pa krijuar pabarazi mes shtetasve. Legalizimi i tokës së zënë, pa krijuar mekanizëm kompensimi për pronarin e tokës, është si padrejtësi ndaj tij ashtu edhe favorizim i uzurpimit e shkeljes së ligjit sërisht, boll të bëhen në tufë se llogariten si votues! E po kështu, edhe fondi i krijuar nga privatizimi i banesave në 90 duhej të ishte përdorur për qytetarët në banesat e ish-pronarëve etj. Por gjërat normale nuk ndodhin tek ne! Padrejtësia e pabarazia shtrihet ngado e nuk kursen as të moshuarit që dhanë aq shumë dikur. Ndërkohë që duhet të kompensohen për energjinë, vihen klauzola përjashtuese si psh. të banojnë në shtëpi të tyre etj, ndërkohë që mjaft prej tyre nuk kanë shtëpi, bile ca i la vetë shteti pa shtëpi (ata në banesa ish-pronarësh). Dhe kur ndarja troket, duhet një mal me letra për të dashurin e mbetur të tërheqë pensionin e fundit të të ndjerit (që dhe nuk ia vlen kur ke parasysh pagesat për dëshmi trashëgimie) etj. Gjithshka me ligj!
“Degradimi e formaliteti i proçeseve zgjedhore deri shndërrimi i referendumit në iluzion e ka zhytur shoqërinë në një rreth vicioz “o Mete për vete” ku njësoj si mëlçitë në qafën e ujkut, edhe shpresa për më mirë mbetet tek po ata që e vrasin atë! Gjithshka me ligj!”
Duart nga xhepi i qytetarit futen tek vota e tij!
Sot me ligj politika e ka “tredhur” votën duke e lënë qytetarin të pafuqishëm ndaj saj. Ai praktikisht e ka të vështirë t’i diktojë kësaj klase politike apo shkurorëzojë atë duke i hapur udhë politikës ndryshe. Kjo kapje e vullnetit të votuesit e pengmarrja e shpresës për më mirë mbjell më tej arrogancë e karshillëk tek klasa politike e ditës. Pasi kalon “pikën e moskthimit” abuziv, ajo i konsideron mbretërimin, postet e privilegjet e saj të mirëqëna e domosdoshmëri jetike për më tej. Përtej bujës së reformës në drejtësi, sot klasa politike ndjehet më e sigurtë se kurrë në abuzimin e privilegjet e pamerituara të saj. Gjithshka “kopsitet” me ligj dhe nëse ndodh që bie nga “fiku” dikush, ose shkohet me thënien e Nastradinit “o unë, o gomari o mbreti …” ose shoqi-shoqin nuk e lënë në baltë. Degradimi e formaliteti i proçeseve zgjedhore deri shndërrimi i referendumit në iluzion e ka zhytur shoqërinë në një rreth vicioz “o Mete për vete” ku njësoj si mëlçitë në qafën e ujkut, edhe shpresa për më mirë mbetet tek po ata që e vrasin atë! Gjithshka me ligj!
Vota e lirë që heq “mallkimin” e shkruar lart!
Padrejtësia e pabarazitë ndodhin, por ajo që shqetëson është mungesa e vullnetit politik për t’u përballur e korrigjuar ato. Nëse ka vullnet, ka zgjidhje, por e para gjë që duhet të lihen mënjanë janë hesapet zgjedhore. Pronarët e tokave nuk duhet të presin pafundësisht qytetarët që zunë tokat e tyre,por duhet t’u ndërmjetësohet nga shteti kredi bankare me kushte të favorshme për të mundësuar më pas kompesimin e pronarit. Një zgjidhje e drejtë e dinjitoze për palët e vetë sigurinë e pronës për më tej. Banorët në ish-pronat private duhet të trajtohen si të gjithë ata që përfituan banesë në vitet 90 duke u ofuar grante (privatizimet e 90 krijuan një fond të tillë) nga shteti. Nga po ai shtet që u ofroi lehtësira deri banesë falas atyre që u prekën nga tërmeti (ndonëse mjaft privatizuan në vitet 90 pothuajse falas një banesë). Kredia bankare për ta është pabarazi e padrejtësi. Nuk duhet të ndodhë që me ligj dikush përfiton dhe dikush privohet pafund. Që dikush privatizon hyrje në vitet 90, dyqanin ku punonte (vlen miliona sot), tokë që e zuri me inisiativë ndërkohë që mban të tijën nga vjen etj dhe dikush ndërkohë …. nuk merr tokën e prindit, nuk kompensohet si duhet për të, nuk privatizon banesë sepse është e ish-pronarit e nëse me fat u jepet kredi, nuk përfiton nga ndarja e pasurisë publike (pa llogaritur letrat me “vlerë”), nuk merr kompensim elektriku, sepse vetë shteti e la pa shtëpi, nuk merr dot muajin e fundit të pensionit të të shoqit të ndarë nga jeta, sepse vandaku i letrave e shpenzimet bëhen barrë etj. Nuk është rast hipotetik, por fakt jetësor që haset tek shumëkush në shoqëri. Gjithmonë do të ketë pabarazi, por në një shtet demokratik ajo nuk mëkohet nga lart dhe askush, sado poshtë, nuk humb besimin tek shanset e barabarta për të gjithë. Kur pabarazia e padrejtësia bëhen me ligj, kur ato t’i bën i yti (ligji), atëhere politika nuk është më për qytetarin e ai nuk e meriton atë. Ajo bëhet sinonim i padrejtësisë dhe as kallaji “demon-kratik” apo “social-ishte” nuk hyn më në punë. Zgjidhja është përtej dyshes në fjalë. Me aq sa lejon sistemi aktual zgjedhor apo ndryshe me një përpjekje serioze për referendum për ta ndryshuar atë. Vetëm përmes votës së lirë rikthehet edhe besimi se padrejtësia e pabarazia nuk vjen më si mallkim i shkruar nga “lart”.