Prof. Dr. Agron F. FICO/ Edhe një test gjuhe për deputetët dhe të zgjedhurit sipëranë

639
Në stinën e nxehtë të kërkesave për çkriminalizimin e jetës politike në vend po shtohet edhe domosdoshmëria për disa teste për deputetët dhe politikanët e niveleve të larta. Këto teste po shtohen një nga një. Në fillim u kërkua testi i drogës, më vonë testi i “gënjeshtrës” (shenjat e gishtërinjve). Nga kërkesat, provat që, sipas ideatorëve të tyre, do të ndihmojnë për vlerësimin dhe kualifikimin politik të njerëzve të zgjedhur ose të emëruar, ngjau e papritura. Kërkesa mori formën e garës. Kështu javën e kaluar një deputet kërkoi që këtyre testeve t’u shtohet edhe “test i urinës”, por e kufizoi vetëm për ditën e enjte, kur mblidhet e zhvillohet séanca e përgjithshme e parlamentit, dita kur Shqipëria jonë drithëron nga “xhevahiret” ose, më saktë, nga zullumet, mynxyrat dhe llumi i zi që del nga mendja dhe goja e disa deputetëve. Nuk po marr përsipër të çbëj atë llum mendimesh dhe gjuhe, sepse do t’iu hyja në hak “opinionistëve tanë të gjithë-ditur e të stërlodhur”. Por si qytetar e, për më tepër, si njeri që gjithë jetën ia kam kushtuar gjuhës sonë të bukur shqipe, duke e shpërndarë atë edhe në Kinën e largët dhe “Amerikën e Bukur” do të shtoja edhe një test tjetër për deputetët dhe të zgjedhurit e niveleve të larta, testin e gjuhës shqipe. Para se të ndaj me lexuesin ndonjë mendim për këtë test, druhem se do të dalë dikush të kërkojë edhe teste të tjera, si p.sh. testin e dancimit. Argumenti është konkret, në programin e disa stacioneve televizive ka filluar gara e re për “Dancing With the stars”, ku ka edhe figura të njohura politike-shoqërore. Larg qoftë ndonjë deputet ose politikan, duke ndjekur modelin e testit të urinës, të kërkojë edhe testin e seksit. Kjo do të ishte mynxyrë dhe do të pështjellonte gjithë “programin kërkimor” për domosdoshmërinë e testeve për të zbuluar bardhësinë ose më saktë pastërtinë morale-juridike-politike të deputetëve të gjorë ose të zgjedhurve të niveleve të larta, që janë shkrirë e shkrihen për interesat e këtij populli, i cili ka një durim të tejskajshëm. Ky popull i duron dhe i duron, këta të zgjedhur; të cilët i dëgjon, i përkëdhel dhe i fal në vend që t’i flakë, t’i shporrë nga ai forum i nderuar dhe me plot përgjegjësi, parlamenti, dhe në vend të tyre të zgjedhë njerëz me të vërtetë të ndershëm (në kuptimin fisnik të fjalës), atdhetarë (jo që të kenë shtënë me pushkë ose të kenë në gjoks dekorata trimërie, por mençurie dhe urtësie) njerëz me kulturë e profesionistë të suksesshëm etj.Po le të kthehemi tek testi i gjuhës. Nuk jam ndonjë ndjekës i rregullt i ditës së enjte, që përmenda më lart, dita e mbledhjeve të parlamentit shqiptar. Kjo për dy arsye:
E para, zhvillimi i atyre seancave, në shumicën e rasteve, degradon në përleshje fjalësh, sharje banale të llojeve rrugaçërore, e gjer edhe në ndonjë ndeshje të lehtë boksi. Pra unë ia shmang vetes stresin e mundshëm mendor.
E dyta edhe kryesore, se përgjithësisht në mjaft mbasdite ndjek kampionatin e futbollit europian, por edhe atë shqiptar, një pasion dhe zakon rinor qe më ka mbetur i gjallë që ditët studentore. Madje, po shtoj se ky huq, ky zakoni im, sjell ndonjë herë edhe “konflikte” familjare me gruan, ose sipas terminologjisë së epokës dixhitale, partneres, e cila ankohet se nuk e lë as atë të shohë programet e pëlqyera me filma ose koncerte. Përfundimisht kjo “përplasje” u zgjidh, se ajo ka vendosur në kuzhinë një televizor dhe ndjek sipas dëshirës programet e veta.
Në një nga këto ditët e fundit rastisa të shikoj e të dëgjoj një mbledhje të komisionit të politikës së jashtme. Një deputet, ish-ministri i jashtëm zoti Bumçi, një opozitar dinamik, iu drejtua me një pyetje retorike ministrit të jashtëm të tanishëm zotit Bushati dhe i tha se Kryeministri juaj iu kishte dërguar, para disa muajve, një telegram mesazh ku ju kërkonte “ose të vrisni turkun ose hidhuni nga varka”. Ju zoti ministër, vazhdoi i hakërryer zoti Bumçi, do të vriste “turkun” d.m.th. aleatin tonë të madh strategjik, Turqinë që po ndihmon për ndërtimin e xhamisë madhështore në qendër të Tiranës, Turqinë aleaten e fuqishme të NATO dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës… etj., apo do të hidheni nga varka?! Zoti Bushati, me natyrën flegmatike dhe i ndodhur para këtij “sulmi artilerie” shqipëroi vetëm pak fjalë si, “unë e di se ç’do të thuash ti sa herë vjen këtu, se sjell mendimet e ShQUP-it”… etj. U hutova dhe nuk u besoja veshëve dhe syve se kisha parë dhe dëgjuar një injorancë, budallallëk kaq të trashë nga goja e dy ministrave tanë të jashtëm, që nuk mundën të kuptonin se nuk ishte fjala për shtetin turk dhe forcën e tij ushtarake ekonomike, anëtar i NATO-s etj. Kryeministri, zoti Edi Rama, gjuhëtar-dashës, kishte theksuar një dukuri, atë të dembelizmit, të përtacisë. Madje, për t’u siguruar se e kisha dëgjuar me të vërtetë dhe saktë, pyeta e bisedova edhe me të njohur e miq që e kishin parë e dëgjuar këtë sherr pa bereqet, por edhe qesharak për nga injoranca gjuhësore, që treguan ministrat tanë të jashtëm. Një dëshmi e pastër e mungesës së kulturës gjuhësore. Ndonjëri do të më kundërshtojë se ministrat tanë nuk mund të kërkohet që të japin edhe testin e teorisë së letërsisë që të dinë figurat letrare-gjuhësore. Nga mesazhi i Kryeministrit del e qartë se fjala “vrisni turkun” është një ndërtim metaforik që edhe nxënësit e shkollës tetëvjeçare e kuptojnë se është përdorur në kuptimin “vrisni dembelizmin, rehatllëkun” etj. Pa dashur të bëj rolin e testit gjuhësor për këta ministra, kjo është një gafë, një damkë e shëmtuar për pozitën e lartë shtetërore që u është besuar. Madje, hollë-hollë nuk besoj se dembelizmin e kemi të importuar nga jashtë, ai është një dukuri jona sepse ne njihemi dhe jemi një racë ahengxhinjsh, kafenesh e fjalëshumë. Pa dashur të përmend vlerat e meritat e parlamentit tonë, që nga hartimi dhe miratimin ligjeve të shumta e të ndryshme, e gjer tek veprimtaritë e tjera ligjvënëse, parlamenti ynë ka një shquarsi të dallueshme në planetin tonë për debatet e rrufeshme me plot vetëtima e shkreptima që do t’i kishin zili edhe mjaft parlamente të huaja, që nga Kongresi amerikan e gjer tek asambleja e budistëve të Tibetit. Në mjaft raste dhe ne shumë seanca ndrit, diellon zjarri gjuhësor i deputetëve folës, i histerisë gjuhësore, ku sintaksa e morfologjia akademike gjuhësore është e paaftë ta klasifikojë atë llum fjalësh vulgare, fjalor ëë pështirë dhe pafytyrësi e mungesë të theksuar të etikës qytetare. Në përfitimin gjuhësor ky parlament, në këtë derexhe morale e gjuhësore, mund të shërbente vetëm si “laborator fonetik”. Nuk do të duhej që specialisti i fonetikës t’i shpinte studentët e kursit të gramatikës historike nëpër kullat e malësorëve ose nëpër kasollet dhe stanet e çobanëve për të dëgjuar tinguj origjinalë të shqipes, të dëgjojnë zgjatimin e zanoreve, theksin dhe diftongjet e të tjera. Jo, ata mjafton të ndjekin seancat e këtij parlamenti famëmadh ku tingujt, theksi i fjalive, i fjalëve, zanoret e gjata, të mesme ose të shkurtëra, diftongjet e të tjera dukuri fonetike, shfaqen të qarta, të fuqishme edhe në formën e britmave, sharjeve dhe vërshëllimave e fishkëllimave. Një aspekt tjetër gjuhësor i figurës së deputetëve tanë është edhe përpjekja qesharake për t’u dukur të shkolluar duke përdorur fjalë të panevojshme të huaj, që nga ato anglisht, frëngjisht, italisht e gjer te ato kinezçe. Madje, këshilla e para disa muajve e një deputeti, që të mësohet edhe kinezçe, u duk dhe u trajtua edhe nga Fiks fare” si një argëtim televiziv. Gara, kërkesa për nevojën jetike për testet, po bëhet një shqetësim i përgjithshëm. Pak ditë më parë isha në Gjirokastër për të marrë pjesë në përurimin e një libri të një të njohuri. Ndërsa shkoja për nga lagjia e dikurshme me emrin Hazmurat, kur u afrova tek sarajet e Dino Çiços, nga kubeja e saj dëgjohej një këngë gjysmë vajtuese. Një bard popullor nga fis i bardit të njohur Vehip Qorri, këndonte e vajtonte:
Ditë e enjte, ditë e zezë
Deputet’t e mjerë u çmendë…
Oi, oi, oiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii,
Mbajta këmbët. U hutova nga kjo këngë ogurzezë, por edhe nga mendimi se si ta quaja, si ta përkufizoja: “iso-polifoni” apo “polifoni”, një ngatërresë që ka muaj që debatohet në faqet e gazetës sime të dashur “Telegraf”, pavarësisht se ky nuk është problem kryesor për fatin e kulturës sonë popullore në shoqërinë kapitaliste, në shoqërinë e tregut të lirë. Ky shqetësim qytetar për jetën e parlamentit tonë edhe më gjerë, për politikën e hallet e popullit tonë, lexohet më qartë, ndjehet më mirë dhe mbart edhe besimin për më mirë po të ballafaqohet me ato standarde, me ato cilësi, me ato virtyte njerëzore e kombëtare që duhet e kenë të zgjedhurit tanë. Le të ndjekim me shpirt e mendje ato këshilla dhe kërkesa fisnike që parashtroi Ati i Shenjtë Papa Françesku, në fjalimin frymëzues para mbledhjes së përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
“Biri apo bija e cilitdo vendi ka një mision, një përgjegjësi vetjake dhe shoqërore. Përgjegjësia juaj si anëtarë të Kongresit është t’i jepni mundësinë këtij vendi, përmes veprimtarisë suaj ligjvënëse, që të zhvillohet si komb. Ju jeni fytyra e popullit tuaj, jeni përfaqësuesit e tij. Ju kanë zgjedhur që të ruani dhe të mbroni dinjitetin e bashkëqytetarëve që, me përpjekje të mëdha e të palodhura, të arrini të mirën e përgjithshme, pasi ky është synimi kryesor i të gjithë politikës… Aktiviteti ligj-vënës gjithmonë bazohet në kujdesin për popullin. Për këtë gjë ju kanë ftuar, thirrur dhe mbledhur ata që ju kanë zgjedhur”.
(Nga fjalimi i Papës drejtuar Kongresit Amerikan, më 24 shtator 2015)
Pra deputetët tanë duhet të jenë fytyra e popullit, e kombit shqiptar. Dhe populli shqiptar, para historisë së rruzullit tokësor, është njohur dhe pranuar si një popull fisnik, i kulturuar, paqësor, mikpritës, përparimtar, ai është një komb me rrënje të lashta europiane. Nuk marr përsipër dhe as nuk mund të them se sa teste duhen për kualifikimin qytetar-politik të deputetëve dhe të të zgjedhurit të niveleve të larta, por një gjë është më e rëndësishme për ta dhe për ne si qytetarë të këtij vendi: Është e rëndësishme që ta duam, të nderojmë gjuhën tonë amtare, të lashtë, origjinale si dhe plot e plot virtyte të skalitura në veprat e shkrimtarëve tanë në nj hark kohor të madh. Vlerat e bukurinë e gjuhës shqipe e ka shprehur shndritshëm një nga etërit e Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashëri, i cili shkruante:
Gjuha jonë sa e mirë/Sa e ëmbël, sa e gjerë/Sa e lehtë, sa e lirë/Sa e bukur, sa e vlerë.
Sigal