Prof. Dr. Ago NEZHA/ Zëmërbardhësia e Bardhosh Gaçes

723
Sigal

Profesor Bardhosh Gaçe, që në takimin e parë të le mbresa për thjeshtësinë, zemërbardhësinë dhe shpirtmadhësinë e tij. Në shpirtin e çdo njeriu, gjendet portreti i mjedisit nga vjen. Ai, përfaqëson produktin dhe rezultatin e rrugës nga ka ardhur. Origjina e tij është Tërbaçi, ndërsa vendlindja është Qyteti i Vlorës. Portreti i Bardhoshit, mbështjellë me edukatën që ka marrë nga prindërit, i kanë falur cilësitë më të mira, që e shoqërojnë në çdo hap të jetës. Ai dallon për fisnikërinë, personalitetin, modestinë, dashurinë për njerëzit, altruizmin dhe gatishmërinë për t’ju gjendur pranë kujtdo në ditë të vështira. Vetë Profesor Bardhoshi, është një libër enciklopedik, po di ta lexosh. Është i ditur, aq sa dhe modest. Majën më të lartë, njeriu e arrin atëherë, kur le vepra të shkruara pas jetës së tij. Njeriu që ka fytyrë të çiltër, tregon se në thellësinë e tij, ka edhe një shpirt të çiltër. Këtë cilësi, e dallon menjëherë kur je pranë Bardhoshit. Në marrëdhënie më shokët, ai nuk ka hierarki gradash apo dijesh. Sillet si i barabartë midis tyre. Kjo modesti, ja ka rritur prestigjin dhe i ka zgjeruar rrethin shoqëror, gjithëpërfshirës. Është i ndershëm, i çiltër dhe korrekt në punë dhe në shoqëri. Bardhoshi, është armik i përbuzjes, nënvleftësimit, mendjemadhësisë, gënjeshtrës, hipokrizisë dhe zilisë për përparimin e të tjerëve. I ditur, por modest, pa krenari false. Profesor Bardhoshi, preferon të jetë sa më afër jetës dhe halleve të njerëzve të thjeshtë, larg flluskave të intelektualëve bosh, që me sjelljen e tyre butaforike, paraqesin madhështi të shtirur.  Zemërbardhësia e Bardhoshit, është tempulli ku ngrihet personaliteti i tij. Ndershmëria,  ndërgjegjja e pastër dhe puna pa kursim, janë trinomi cilësor që e kanë ngritur në piedestalin e madhështisë krijuese. Shuma e veprave të tija të botuara në prozë, poezi dhe publicistikë, është e barabartë me moshën aktive të njeriut për punë. Bilanci i krijimtarisë së tij, është shumë i pasur. Starti, nis nga botimi i 34 titujve të librave monografike e studimeve folklorike dhe etnokulturore, si dhe 14 librave me poezi, si dhe shumë shkrime plubicistike në gazeta dhe revista prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit. Prodhimtaria e tij, është e pamat. Ai, vazhdon të ketë pranverën e botimeve dhe për çdo vit lulëzon nga një gonxhe në prozë ose në poezi për të rritur dhe për fëmijë. Është një nga shkrimtarët më në zë për vepra për fëmijë, ku është nderuar edhe me disa çmime nga Ministria e Kulturës, si çmimin “Ferhat Çakërri”, “Tasim Gjokutaj”, etj. Për këto cilësi të shprehura, ai  është zgjedhur edhe Kryetar i Kuvendit të shkrimtarëve për fëmijë, si rrjedhojë e kontributit të pasur në fushën e gjerë të letërsisë për fëmijë. Të shumta janë monografitë për figura të shquara të Labërisë, duke filluar nga Halim Xhelua e deri te poeti gjigant Ali Asllani, si dhe për shumë vjershëtor e rapsod të Labërisë. Energjitë e tij janë të pashtershme, jo vetën nëpër rrugët e atdheut që s’kanë të numëruar, por dhe jashtë tij. I përfshirë në disa ekspedita studimore për arbëreshët e Italisë, në Kozencë dhe Palermo, apo studime për arvanitasit e Greqisë në Sul dhe në Atikë, si dhe mbi çamët e Pargës dhe Paramithisë, kanë qenë objekt i punës së tij për vite të tëra. Krahas tyre, ai ka eksploruar edhe trevën veriore, duke studiuar folklorin e Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Malit të ZI, duke u përfshirë në ekspedita studimore me studiuesit më të zëshëm  të këtyre trevave shqiptare, si Anton Çetën, Qemal Haxhihasanin, Sadri Fetiun, Shefqet Pano, etj. Këtë veprimtari studimore për folklorin e ka shtrirë edhe në trevën e Labërisë, duke studiuar veçoritë që kanë zona të ndryshme brenda kësaj etnie, siç është Himara, bregu i detit, Kurveleshi etj. Në vargun e botimeve të tij, spikatin ato me këngët popullore të lumit të Vlorës. I papërtuar, i palodhur,me një vullnet të admirueshëm, hulumton në treva të ndryshme të vendit. Këtë hapësirë, e ka fituar duke qenë se ka punuar si në trevat e Jugut, nga dhe është, por edhe në trevat e veriut, ku ka qenë me punë. Bardhoshi, ka një jetë aktive, endacake, në kërkim të vlerave etno-kulturore të vendit tonë. Ai u lind në qytetin e Vlorës në 1953, ku nisi fëmijërinë dhe kreu arsimin 8 vjeçar. Shkallët e dijes, i ka ngjitur duke lëvizur në qytete të ndryshme të vendit. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin e Selenicës me rezultate mjaft të mira. Duke qenë i prirur për letërsi, ju realizua ëndrra e tij për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Mbasi mbaroi studimet e larta, ka punuar si mësues në rrethet veriore Kukës, Tropojë dhe Pukë, për një periudhë prej gjashtë vjetësh, ku ju dha mundësia të njihet nga afër me traditat, zakonet dhe kulturën e këtyre trevave. Kjo, do ishte një pasuri e madhe për Bardhoshin si studiues, që do i shërbente si kapital kulturor në të ardhmen. Po nuk i njohe nga afër veçoritë e krahinave jugore apo veriore, je i çalë e gjysmak dhe nuk di të gjykosh me saktësi mbi fenomenet dhe marrëdhëniet njerëzore. E këtë privilegj Bardhoshit, ja krijoi lëvizja në detyrë nga Veriu në Jugë. Pas disa vjetësh pune si mësues në zonat veriore, ai transferohet në qytetin e Vlorës në detyra të rëndësishme, e deri në shef të kulturës të rrethit. Pas Vlorës, lëvizi me detyrën e shefit të  kulturës në Akademinë e Shkencave të Tiranës, ku ka punuar për pesë vjet. Thonë që lëvizja të gjallëron. E për më tepër kur del jashtë trevës tënde, fiton cilësi të reja që të shërbejnë për të përballuar rrugën e jetës. E ky privilegj, si ka munguar Profesor Bardhoshit. Aktualisht, ai është pedagog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Mban Titullin e lartë “Profesor”. Njëkohësisht është poet, studiues, publicist, folklorist, historian, kritik letrar,  e albanolog. Ai, është jo vetëm një intelektual i formuar e tepër prodhimtar në shumë fusha të krijimtarisë, por edhe një njeri aktiv në veprimtari shoqërore, cilësi kjo, që pak intelektual e gëzojnë. Prej vitesh, drejton shoqatën Atdhetare-Kulturore, mbarë kombëtare “Ismail Qemali”. Ka mbajtur lidhje të forta me eruditen Nermin Vlorën, mbesën e  babait të kombit, Ismail Qemalit dhe bashkëshortit të saj, ambasadorit të përjetshëm të Italisë Renzo Falaschi, që prehen në përjetësi, në dheun e të parëve të Nerminit, në Kaninë. Me bagazhin e tij profesional, është angazhuar me referate e leksione në disa universitete perëndimore, si në Kozencë të Italisë, në “Lambric” në Munih të Gjermanisë, në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, në Ankara të Turqisë, në Selanik të Greqisë, në Lion të Francës dhe në Madrid të Spanjës. etj. Ky angazhim gjithëpërfshirës, ka qenë edhe një eksperiencë e mbartur, për ta transmetuar në Universitetin ku ai është i instaluar prej vitesh. Ajo që bie në sy në universitetet tona, si në gjithë shoqërinë Shqiptare, është mungesa e vlerësimit të pasurisë intelektuale elitare nga drejtuesit shtetëror, sëmundje kjo, që ka bërë të humbasë hierarkia e vlerave dhe të bien në barazitizëm parazitar. Vendosja e drejtuesve në krye të universiteteve, me prirje militantizmi apo klientelizmi, ka dobësuar në tërësinë e vet, cilësinë e shkollës së lartë universitare. Bagazhi dhe krijimtaria e profesor Gaçes, është e admirueshme dhe e konkurrueshme, në të gjitha nivelet intelektuale. Ai, ka përgatitur edhe disa tekste mësimore, si Letërsia e Rilindjes, Poezia moderne Shqiptare, Entonofolklori dhe Antropologjia kulturore. Një nga botimet e tij më serioze, në morinë e botimeve, që është botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, është kërkime poetike  midis poezisë popullore dhe asaj moderne, që është vlerësuar nga shumë akademik brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Puna dhe krijimtaria e gjerë e profesor Gaçes, është vlerësuar me tituj nderi nga institucione të larta shtetërore dhe shoqërore. Ai, mban Titullin “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenti i Republikës, Personalitet i Shquar i “Labërisë”, dhe “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës. E gjithë kjo krijimtari e pasur, tregon se krahas aftësive personale të profesor Gaçes, ka gjetur mbështetje në një truall të fuqishëm familjar te bashkëshortja e tij Kozeta, që ka qenë tepër e përkushtuar për t’i krijuar një klimë të qetë, larg angazhimeve të përditshme familjare. Fëmijët e profesor Bardhoshit, kanë ndjekur rrugën e prindërve të tyre, për tu arsimuar. Djali, Besniku punon me elektronikën në njw media tw rwndwsishme shqiptare dhe vajza Keti, ndjek Universitetin e Tiranës, në degën e ekonomisë, për të sfiduar nënën e vet si ekonomiste.

Jeta e profesor Gaçes, është një enciklopedi e mbushur me rubrika të ndryshme krijuese dhe debutuese, në shumë sektor të jetës intelektuale. Kjo krijimtari, që ecën në autostradën e dijes, nuk ka stacion që të ndalet, kështu që presim botime të reja, që ja urojmë t’i celebrojë si deri më sot, në çdo vitlindje të jetës së tij.