Prof. Dr. Ago Nezha: Turizëm apo torturizëm në Orikum ?

282
Sigal

Prof.Dr. Ago Nezha

Dëgjon shpesh herë të përdoren epitetet nga vendasit, që Orikumi ka ngelur si në Afrikë.
Orikumi është harruar! Me errësirën janë pajtuar, hidrovori s’ka punuar, por punëtorët janë paguar.
– Sot, kushdo që shkel në Orikum, do shijojë rrugë të aksidentuara, bulevarde të kafshuara, pemë të shtrëmbëruara, plazhe të sakatuara, toka të invaduara me plehra dhe ferra të mbuluara
– Në Orikum, asgjë e keqe nuk mungon, mushkonjat ulen e ngrihen si avion, natën nuk i shikon

Natyra ka krijuar një mrekulli  me amfiteatrin natyror, që fillon nga Kepi i Gjuhës në Gadishullin e Karaburunit, që shkel kreshtat e maleve Akrokeraune, ( ose malet e Vetëtimës siç i quajnë banorët vendas të Dukatit), dhe del në jugëlindje në pikën turistike në parkun e Llogorasë, duke harkuar në malet e Tragjasit dhe e mbyll portën hyrëse të Vlorës në Radhimë. Kjo perlë e natyrës, kjo mrekulli tokësore, është kthyer në mizori njerëzore, batërdi mjedisore, që përlyen çdo bukuri nga dora e qeverisjes demokratike, në këto mbi 30 vjet të një administrate komike. Kjo krahinë me tradita të lashta etnokulturore, me një pasuri prallore, që si askund tjetër laget nga dy dete, njërën faqe e lanë me ujin e detit Jon dhe tjetrën e lan me ujin e detit Adriatik, Bashkia, është lënë në mëshirë të fatit, duke nëpërkëmbur pasuritë dhe historinë e krahinës së Dukatit. Është fatkeqësi, që ky komunitet me kontribute të shquara në historinë shekullore të luftrave për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror, është tallur nga çdo qeveri, me premtime boshe, kur kanë ardhur në pushtet dhe pastaj i kanë lënë në mëshirë të fatit. Dëgjon shpesh herë të përdoren epitetet nga vendasit, që Orikumi ka ngelur si në Afrikë. Po konfirmoj një fak të jetuar, se në vitin 1979 kam qënë në Kongo Brazavil me një delegacion në një Kongres Panafrikan të Rinisë, që qëndruam për 24 ditë dhe nuk ndodhi për asnjë çast që të ikin dritat dhe as të na bezdisnin mushkonjat, kur në Orikumin e sotëm, të vitit 2022, dritat fiken e ndizen çdo ditë, sikur eksperimentohet, bëjnë praktikë, e banorët jetojnë me frikë. Periudha e dimrit ka një shkretëtirë njerëzore, pasi si kudo dhe në Orikum rinia ka emigruar, pleqëria është duke   ”lulëzuar”. Në periudhën e verës, si qëndër turistike, me resurse fantastike, ka  mbipopullim të Orikumit. Kanë blerë shtëpi vendas dhe të huaj, deri nga Argjentina, intelektualë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, si profesor, gazetarë, shkrimtarë dhe artistë të njohur. Aktualisht jemi në Orikum me artistët e Popullit, Luftar Pajën, e Profesor Birçe Haskon, etj, që gdhijmë e ngrysim ditët buzë bregdetit të bukur të Orikumit. Shqetësimet për dritat, rrugët, invazionin e mushkonjave, janë temë e rëndomtë e ditës. Ku të ankohesh, me kë të konsultohesh, kot që të mundohesh, se nuk dëgjohesh. Bashkia u shkri me rregullimin e territorit, apo çrregullimin e territorit, për këtë e thotë fjalën situata kritike që po përjetojmë. Kujtoj se kur u diskutua riorganizimi i territorit, me shqetësimin qytetar, një grup  me origjinë nga Dukati, si profesor Birçe Hasko, i ndieri Hasan Halili, Lavdosh Ferruni dhe unë, shkuam te ish Ministri i Teritorit Blendi Çuçi, për t’i sugjeruar që të  mos e prishte Bashkinë e Orikumit për shumë arësye, por ai e kishte marrë komandën  duke na premtuar “parajsën” e munguar, që po e përjetojmë sot. U munduam të argumentojmë se për të funksionuar një njësi bashkiake  duhet të ketë tre elementë kryesor si: të ketë një sipërfaqe territoriale të konsideruesheme, një pasuri njerëzore të admirueshme dhe resurse ekonomike të mjaftueshme, që të përmbush nevojat e këtij komuniteti. Krahina e Dukatit, i ka të tre këta elementë me tepëri, por më kot, se ministrit nuk i hynin në sy. Sot, kushdo që shkel në Orikum, do shijojë rrugë të aksidentuara, bulevarde të kafshuara, pemë të shtrëmbëruara, plazhe të sakatuara, toka të invaduara me plehra dhe ferra të mbuluara. Edhe dy pistat që e zbukuronin bregdetin e Orikumit, erdhi Inspektoriati i Ndërtimit nga Tirana dhe ju kërkoi pronarëve të këtyre pistave një ryshfet të majmë për të mos ua prishur, që pasi ata e refuzuan në pamundësi, ata i rrafshuan për të mos i marrë në sy dhe ajo bukuri, u kthye në gërmadha, në shëmti. Në Orikum, asgjë e keqe nuk mungon, mushkonjat ulen e ngrihen si avion, natën nuk i shikon, nga muzika sinfonike e tyre i dallon, se çdo ditë dritat fiken e ndizen për variacion, dhe populli kokëulur i duron, politikanët tanë kamaleon, që kanë premtuar se do i rregullojnë në çdo edicion. Edhe pse jetojmë në errësirë, jemi mësuar, na vjen mirë, ca me dhunë e ca me dëshirë. Orikumi çdo ditë është rrëmujë, kur s’ka drita s’ka as ujë. Uji vjen e ikën me orar, na kujtohet ajo sentencë socialiste: ” do ham dhe bar”, se këtu është Katahar, te banorët shpresa është vrarë, të vjen për të qarë.

Në fushatat elektorale, deputetët tanë karnavale, premtojnë se do i zgjidhin popullit shumë halle. Sa marrin mandatin e deputetit, i kthejnë krahët miletit, pse s’ndjekin shembullin e Vullnetit. Deputetët donkishot të krahinës  të Dukatit, e kanë lënë  këtë zonë në mëshirë të fatit. Kush do që të kontribuojë, nga shembulli i deputetit Vullnet Sinaj të mësojë, që fshatarëve të zonës u ka zgjidhur çdo nevojë.

Orikumi është harruar, me erësirën janë pajtuar, hidrovori s’ka punuar, por punëtorët janë paguar, edhe kur në punë s’kanë shkuar, se kështu është kodi demokratik, dhe pse i pashkruar. Edhe pse pensione punëtorësh kanë, çmimet janë më të shtrenjta se në Vlorë e Tiranë, varfëria në çdo vatër është ulur pranë.

Tokat janë abandonuar e kënetëzuar, gjithë qeveritë u kanë premtuar, se nga në përdorim do i kthejnë në pronësi dhe kështu vazhdon kjo histori, që është kthyer në parodi, ikën dhe vjen çdo qeveri dhe pas 31 vjetësh për ironi, luhet me ta dhe s’kanë pronësi. Natyra që këtë mjedis prallor fali, shkrepsja duke djegur nuk ndali, në shkretëtirë është kthyer mali, sekziston më lisi, panja, mëlleza, e përralli, kafshët e pyllit u zhdukën, do na marrë malli, e po t’i rradhitësh s’ka limit skandali. Dritat fiken pa u ndez, ndriçohet nata nga ndonjë bukurezë, ke frikë të hipësh në ashensor, se e ke të sigurtë që do shpallesh”dëshmor”, megjithëse s’ka vënd te varrezat në Vlorë.

Së fundi dua ta mbyll këtë shkrim, uroj që të ketë ndonjë reflektim, megjithëse duke njohur praktikat s’kam ndonjë besim. Kam pasur dhe ndonjë sugjerim, nga njerëzit e mi që me shqetësim, më thonë ngrini zërin në qeveri, por ata se kuptojnë se s’dëgjon njeri. Oligarkët s’besojnë në varfëri, deputetët janë kthyer në sozi, që bëjnë iso në çdo parti, qoftË i vjetër apo i ri, është fatkeqësi !…

Orikumi i harruar e bojkotuar! Janë ngopur duke u premtuar, votën si shpërblim ju kanë kërkuar, edhe pse vota nuk ka munguar, asgjë nga premtimet nuk është realizuar. Politika për keq ka shfrytëzuar, cilësitë e këtij  populli  të ndershëm dhe të zgjuar, por kanë gabuar!…ajo që jemi duke uruar, diçka duhet ndryshuar, në këtë truall.

Kjo xhungël buzë Jonit e Adriatikut, bën një kërkesë në emër të publikut, ktheni këtë krahinë historike në bashki, se s’duan të dinë për ngjyra e parti, por në këtë situatë s’ka më rini dhe këtu ka një sinfoni triologji: “mushkonja, errësirë dhe pleqëri”, mbështjell fort në varfëri, pensionet ju “derdhen” rrugës, se çojnë në shtëpi dhe pse mos ta quash tragjedi, s’kërkojnë privilegje dhe pasuri! Zgjohu, shikoji në sy e dashur qeveri, se veçanërisht te e privuara fshatarësi, varfëria është ulur këmbë kryq si një pikë mbi i.