Prof. Dr. Ago Nezha/ Kush s’ka prona s’ka atdhe

701
Sigal

Tapitë e tërmetit të qeverisë, apo terapi për pronarët?!

Tërmeti shumëballësh i tapive, u dëgjua nga sizmikja e ndërgjegjes së Qeverisë  “Rama”, që ministri i Bujqësisë bëri disa shou duke ju dhuruar tapitë e tokave pronarëve të rinj që s’kanë asnjë atribut trashëgimie, apo kontribut personal në këto përfitime të paligjshme. Kjo krenari donkishoteske duke ju mohuar pronat pronarëve legjitim që e trashëgojnë nga të parët e tyre dhe që e kanë vënë pronën me rraskapitje nga njëri brez te tjetri, nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në ndërgjegjen e të grabiturve. Në këtë rast Qeveria është ligjzbatuesi, sepse ligjvënësi me ligjin ogurzi 7501, është Parlamenti i karnavaleve. Po t’i bënin apel të pastër ndërgjegjes së tyre parlamentarët tanë duke i thirrur arsyes, do ta ndalnin vrapin e kësaj aventure që po e rrezikojnë të ardhmen e demokracisë. Me këtë ligj pa bazë ligjore, ju përligjni hajdutërinë, konfliktin, krimin e korrupsionin që i ka zënë frymën drejtësisë. Sistemi që lamë pas, kishte ligjet e tij që vepronin njëlloj për të gjithë. Karakteri shoqëror i punës bënte të mundur që të kishte një shpërndarje të planifikuar sipas nevojave të ekonomisë kombëtare. Në një sistem të centralizuar gjithëdegësh, ishte normale që të punoje për nevoja të ekonomisë jashtë vendlindjes tënde në profesionin që kishe fituar nëpërmjet shkollimit. Dikush punonte si inxhinier, si mjek, agronom, oficer apo mësues, në ato zona që kishte nevojë për kuadro të përkatësisë. Janë të shumtë shembujt që nga Jugu të kenë shërbyer në zonat e Veriut, edhe pa vullnetin e tyre, sepse emërimet në atë sistem nuk bëheshin me zgjedhje, me dëshirën e individit. Për këtë fakt të imponuar nga pushteti i kohës, pronari i tokës në zonën bregdetare ka humbur autorësinë në pronën e vet që ja ka marrë pushteti i kaluar pa vullnetin e tij. Shteti jashtë çdo kriteri ligjor, pjell një ligj mostër dhe pronën që pronari e ka krijuar me punën e disa brezave, e pushton dhe e bën mall duke e nxjerrë në treg si ta ketë të vetën. Ajo pronë është krijuar me djersën shekullore të pronarëve që po ta shtrydhësh kullon pika, pika duke shkruar një epope vuajtjesh, mundimesh dhe sakrificash nga gjyshërit te fëmijët. Eksperimenti me ligjin vrastar 7501, e ka dhënë produktin duke pjellë krimin, korrupsionin, kontradikta dhe konflikte brenda familjes, komunitetit të zonës dhe rajonit e më gjerë.

Parlamenti, ky profet i pronave që poshtëron pronarët

Në kushtet e një eksperimenti të dështuar për 23 vjet, vazhdohet ende të eksperimentohet në kurriz të pronarëve. Natyrshëm lind pyetja: është kjo një marrëzi Shqiptare, apo një aventurë parlamentare?. Ndërkombëtarët që e dinë fare mirë se themeli i një demokracie liberale është prona private, pse heshtin para një tragjedie të tillë që në këto 23 vjet të ashtuquajtura demokraci ka sjellë shumë fatkeqësi shoqërore. Mesa duket, nuk shkëputen dot nga tradita që është përdorur duke na konsideruar si kavie, për të bërë eksperimente të përsëritura. Parlamenti dhe qeveritë e radhës kanë bërë spektakël me pronarët gjatë këtyre 23 vjetëve. Ankesat, kontenstimet dhe reagimet e Shoqatës “Bregdeti”, “Dukati”, si dhe Shoqatës për “Pronësi me Drejtësi”, kanë rënë në vesh të shurdhër te binomi Parlament-Qeveri. Në asnjë vend demokratik nuk ka aq mospërfillje,  nënvleftësim dhe përbuzje të shoqërisë civile, ku nuk dëgjohet  dhe respektohet zëri i tyre për çështje kapitale siç është problem i pronave. Pronarët e tokave e kanë humbur besimin te Legjislativi dhe Ekzekutivi Shqiptar dhe për rrjedhojë i janë drejtuar organizmave ndërkombëtare siç është gjykata e Strasburgut, ku nuk janë të pakët ata që kanë fituar gjyqin. Tellallët e pushtetit në mënyrë permanente kanë thënë se do kompensojnë ata që i quajnë “ish”- pronar, duke e ditur se nuk kanë asnjë mundësi ekonomike të përballojnë një kosto kaq të lartë financiare. Kjo është një demagogji që është kthyer në komedi, ku aktorët e Parlamentit të operuar me aktorët e pushtetit, po i luajnë me sukses rolet. Pronari i “graduar” me prona nga Parlamenti dhe pushteti, është bërë sundimtar dhe shet e blen prona në bregdet, pasurohet dhe privilegjohet në kurriz të pronarit real që e kanë pagëzuar turpësisht “ish”- pronar. Këtë padrejtësi me qëndrimin ndaj pronave, nuk e bëri as sistemi monist, siç po veprohet në demokraci duke mohuar të drejtën e pronës pronarit. Ndërsa sot në emër të demokracisë shteti bëhet pushtues i pronave dhe dhurues i tyre si të jetë një bandë komitësh. Ëndërrimi i Parlamentit dhe pushtetit për çështjen e pronave është diktatorial ekstremist.

Ç’ËSHTË PUSHTIMI?

Historia e luftërave shekullore në të shkuarën dhe në ditët e sotme, është historia e pushtimit të territoreve, pra tokave. Pushtimet janë organizime shtetërore apo shoqërore nga të huajt dhe nga vendasit. Pushtuesit e huaj në Shqipëri si ata grek në 1912, italianë në 1920 dhe 1939 dhe gjermanë 1943-1944, sulmuan për të pushtuar territoret shqiptare për ti bërë koloni të tyre. Ky pushtim u përball me revoltën popullore. Një lloj pushtimi i moderuar nga brenda vendit ishte dhe shtetëzimi dhe kooperimi i pronave në 1946. Por prona në këtë rast nuk u tjetërsua duke kaluar te pronari i ri individual, por mbeti pronë shoqërore. Ndërsa në vitet e ashtuquajtura demokraci, prona ju morr pronarit legjitim në forma të dhunshme dhe ju dhurua një personi pa identitet pronësor. Shteti si tutor supreme i së mirës së përbashkët, me autoritetin e tij unitar, sovran dhe detyrues, nuk mund të shkelë të drejtat e individit për të përfituar një individ tjetër. Një veprim i tillë është pushtim i dhunshëm, në emër të demokracisë. Duke i marrë pronën pronarit ti i shkel lirinë, i mohon vendorigjinën, varret e të parëve, trojet e trashëguara në shekuj. Bregdetasit, himarjot apo dukatas, janë shkombëtarizuar. Ata s’kanë vendlindje, s’kanë strehë, s’kanë varre,  e për rrjedhojë s’kanë Atdhe. Ç’është Atdheu për politikanët tanë kozmopolitë, satelitë, globalistë, që e kanë kthyer pronarin në turist në vendin e vetë. Pyetjes ç’është Atdheu, Mëmëdheu, për politikanët tanë, ata dinë t’i përgjigjen fare mirë se është dheu i atit dhe i mëmës. Por pronarë bregdetas kanë mbetur në shkretëtirë pa vendlindje, e pa Atdhe. Me të drejtë ne akuzojmë  grekët se ju kanë mohuar pronat komunitetit Çam, si dhe Izraelitët Palestinezëve. I njëjti fenomen ndodh edhe në bregdetin Jugor. Shteti, me ligjin 7501 që nxori Parlamenti Shqiptar i ka mohuar pronat, pronarit. Prej 23 vitesh po notohet në një konfuzion të rrezikshëm përsa u përket vlerave dhe bindjeve morale të bregdetasve. Rreth kësaj çështje që agravohet për ditë, grupet e ndryshme sociale dhe politike kanë opinione të ndryshme. Konflikti nga bashkësia e individëve ka kaluar midis një komuniteti të caktuar dhe shtetit. Gjykatësi i së drejtës për këtë konflikt është ai që polli padrejtësinë me ligjet e mbrapshta, pikërisht Parlamenti. Paqja do vendoset kur të përsoset drejtësia abuzive. Qetësia vjen natyrshëm kur vendoset drejtësia dhe respektohen të drejtat e individit. Bregdetarët janë të huaj në vendin e tyre, në Himarë apo në Dukat, ne s’kemi vend varri. Jemi aq himarjot apo dukatas, sa edhe afrikan, aziatik, apo europian. Turistë në vendlindjen tonë. Ligji 7501, ligji  i pushtimit të pronave qëndron për 23 vjet mbi paterica, sepse s’është as më pak e as më shumë veç se i pjellë nga Katovica, që kur e kujtojmë na lëshon trupi mornica. Ka ardhur koha të mos sorollaten më njerëzit me premtime e mashtrime, se gjoja do marrin “shpërblime” për pronat e pushtuara nga shteti, me vendim Parlamenti. E drejta ka një limit. Po pyes pushtetin dhe Parlamentin, po gënjeshtra a ka limit?!…Kam shkruar për këtë problem për rreth 20 vjet, mbi 20 shkrime, jo për fobi, por për një padrejtësi shoqërore që ju ka zënë frymën pronarëve të bregdetit. Si unë janë me dhjetëra që kanë shkruar, por asgjë nuk është rregulluar dhe durimi na ka mbaruar. Mjaft më me premtime e mashtrime se do ketë kompensime, duke i zvarritur pronarët dyerve të mafies hipotetike të tokave nga segmentet e pushtetit. Politikanët tanë, ende nuk po e kuptojnë se po e mbajnë peng Shqipërinë, si robinë në burgun e demokracisë me ligjin 7501 dhe heqjen e ligjit të dënimit me vdekje që I kam quajtur dy fatkeqësitë Shqiptare. Parë me logjikë të ftohtë, me sytë e mendjes, do mund të arsyetonin politikanët tanë me ndjenjë dhe ndërgjegje njerëzore për ta zgjidhur problemin e pronave. Po të mos kalërojnë në ekstazën që u jep pushteti dhe karrigia, ata do mund t’i japin një zgjidhje oportune, që siç thotë proverbi popullor: “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Mbetemi të dashuruar me thënien e Dumasit, se gjithë urtësia njerëzore përmblidhet në këto dy fjalë: “Prisni dhe shpresoni”. Megjithëse, e kemi humbur besimin, po provojmë të besojmë se do triumfojë e mira mbi të keqen, lumturia mbi fatkeqësinë, paqja mbi konfliktin.