Prof. Dr. Ago NEZHA/ Gazetarët e bujqësisë, festojnë pa median bujqësore

722
Sigal

Gazetarët e bujqësisë, që 20 vjet më parë krijuan Shoqatën e tyre, mblidhen në këtë përvjetor në Ministrinë e Bujqësisë për të festuar ditëlindjen e shoqatës, por pa median bujqësore. Ky takim ngjan me një ditë përkujtimore, mortore, për të bërë homazh ndaj dy organeve më jetëgjatë dhe më të rëndësishëm të bujqësisë, siç ishin revista “Bujqësia Shqiptare” dhe “Buletini i Shkencave Bujqësore”. Këto dy organe të shtypit bujqësor kanë një histori të shkruar, unikale, që nisin me një ditëlindje të largët. Revista ka parë dritën e botimit më 1 Tetor 1921, e emërtuar me titullin Naimian, “Bagëti e Bujqësi”, e shtypur fillimisht në “Lythografi Vlora”, në Vlorë dhe mandej u transferua në Tiranë, te rruga e Dibrës, që u botua deri në vitin 1922. Për një periudhë prej 6 vjetësh u ndërpre dhe në vitin 1928, me një vendim të Parlamentit të kohës, u pa si nevojë dhe u ribotua me emrin “Bujqësia”, e përmuajshme, botim i Ministrisë Kombëtare. Në vitin 1937, ndryshoi emrin duke u quajtur “Ekonomia Kombëtare”, botim po i kësaj Ministrie. Në vitin 1940, u rikthye te emri “Bujqësia”, deri në vitin 1942, ku u bë organ i Ministrisë së bujqësisë dhe Pyjeve. Pas çlirimit të vendit, numri i parë doli në shkurt të vitit 1945, me emrin “Bujku i Ri”, revistë ekonomiko-bujqësore, botim i Ministrisë së Ekonomisë. Ndryshimet e emrit, në “gjendjet civile” të kohës, vazhduan sipas etapave të zhvillimit të bujqësisë dhe transformimeve ekonomiko-shoqërore të vendit. Në vitin 1947, e mori emrin “Përpjekja Fshatare”, botuar nga një redaksi pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve. Në janar të vitit 1951, me ndryshimet e politikës ekonomike, revista u emërtua “Për Bujqësinë Socialiste”, emër që e mbajti deri në vitin 1971, që u quajt “Bujqësia Socialiste”, organ i Ministrisë së bujqësisë, por tashmë botim i “Shtëpisë së Propagandës Bujqësore”, institucion ky i krijuar enkas për të rritur shtrirjen dhe cilësinë e informacionit bujqësor. Me ndryshimet e sistemit, pas viteve 1990, në vitin 1992 u emërtua “Panorama”, deri në vitin 1994 dhe më pastaj mori emrin “Bujqësia Shqiptare”, deri sa e varrosi këtë histori përfundimisht Ministri Ruli, që i vuri rulin gjithë medias bujqësore. Kjo revistë që mbijetoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati një ndërprerje prej gjashtë muajsh në 2005 kur erdhi Ministër Gjana, që u bëri gjëmën institucioneve shkencore të bujqësisë dhe pastaj u ribotua. Në prag të 90 vjetorit, një vit më parë se të mbushte këtë jubile, në vitin 1910, ju ndërpre përfundimisht botimi nga qeveria vrastare e shkatërrimtare e ashtuquajtura demokratike. Një revistë me një histori unikale, me një moshë për ta pasur zili, që po shkonte drejt 100 vjetorit, ndërpritet pa asnjë motiv, veç aventurës, injorancës, apo prepotencës qeverisëse. Të njëjtin fat pati edhe Buletini i Shkencave Bujqësore, që u mbyll në vitin e 50-të të botimit të tij. Por, ky veprim është më i “justifikuar”, se qeveria pasi mbylli gjithë institucionet kërkimore shkencore të bujqësisë, nuk ka çfarë e do edhe buletinin e shkencave, se s’ka punime shkencore për tu publikuar. Filozofia e shkatërrimit dhe asfiksimit të informacionit bujqësor nga qeverisja demokratike, përfshiu gjithë botimet bujqësore, si dhe emisionet dhe dokumentarët bujqësor. Dhe argument, ishte sa grotesk aq edhe paradoksal, se fermeri s’ka më nevojë për botime bujqësore se e merr informacionin nëpërmjet internetit. Një mendim “gjenial”, profeci e liderëve politik që vunë në krye të dikasterit të bujqësisë një ministër matrapaz, me eksperiencë në fushën e aferave me pasuritë e popullit. Dihet, që infrastruktura në zonat rurale është tepër e prapambetur, pa folur më për nivelin arsimor dhe intelektual, që ka ardhur nga viti në vit duke u shterur. Pra, u mbyll komunikimi i fermerit, specialistit dhe shkencëtarit me të rejat e shkencës dhe arritjet e përvojës së përparuar në shkallë vendi. Duke mbyllur rubinetin e informacionit bujqësor dhe duke larguar nga puna të gjithë specialistët dhe shkencëtarët më në zë të bujqësisë me tituj dhe grada shkencore, që i kanë dhënë jetë bujqësisë shqiptare, bujqësia kaloi në diletantizëm dhe amatorizëm provincial. Në këtë ritual u kolovit ministri Ruli, që si erdhi iku, e nuk ju drodh qerpiku, kësaj race komiku. Informacioni bujqësor, që ka trashëguar Ministria e Bujqësisë nga qeveria e mëparshme është reduktuar në disa kronika televizive, që sensibilizojnë por nuk mësojnë se si futet teknologjia dhe eksperienca bashkëkohore në bujqësi. E vetmja dritare ku mund të shohësh arritjet e përparuara të vendit dhe futjen e teknologjive të reja është emisioni “Hapësirë e Blertë” e gazetarit të talentuar Marash Mirashi, që jepet çdo të shtunë në Televizionin Publik, që edhe këtë zë do ta konsideroja të pamjaftueshëm për nevojat që kanë punonjësit e bujqësisë. (Një javë më parë, në këtë emision të së shtunës, u prezantua festa e mandarinës, në Xarë të Sarandës, që të ngjallte emocione të gëzueshme për atë prodhim të bollshëm). Ndaj, i bëj apel Ministrisë së Bujqësisë, në ditën e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gazetarëve të Bujqësisë, që ta rikonsiderojë të domosdoshme ribotimin e Revistës “Bujqësia Shqiptare”, si një zëdhënëse e fuqishme dhe njëherazi këshilltarja më e mirë e më e afërt e fermerit, specialistit dhe shkencëtarit të bujqësisë, për tu njohur me të rejat e shkencës dhe përvojat e përparuara të vendit. Njëkohësisht të ribotojë Buletinin e Shkencave Bujqësore, pasi të ketë reformuar të quajturat Qendra të transferimit të Bujqësisë, që janë kthyer në shtojca të Drejtorive Rajonale të Bujqësisë në rrethe. Roli i Shoqatës së Gazetarëve të Bujqësisë, duhet thënë se ka qenë në ilegalitet dhe ka treguar mefshtësi, mungesë vitaliteti, vizioni e force për t’ju kundërvënë masave drastike shkatërruese të medias bujqësore. Po të bënte shoqata një jetë aktive e të përgjegjshme dhe të kishte ngritur zërin me tërë forcën e fjalës mediatike, situata e sektorit të informacionit do kishte një standard tjetër. Bujqësia, si sektori prioritar i ekonomisë kombëtare në një vend të vogël siç është Shqipëria, por me resurse tokësore e mjedisore tepër të favorshme, kërkon një informacion dhe propagandë të fuqishme mediatike për të rritur opinionin jo vetëm në zonat rurale por edhe ato urbane. E gjithë bota e zhvilluar perëndimore, duke filluar nga fqinji ynë detar Italia dhe vazhduar me Francën, Gjermaninë, Holandën, Zvicrën, kanë standarde të larta ekonomike, për faktin se kanë bujqësi tepër intensive. Të gjitha këto vende, e të tjera si këto, harxhojnë jo më pak se 1/3 e buxhetit për informacionin dhe publikimet nëpërmjet mediave të shkruara dhe vizive, ndërsa Shqipëria e ka lënë bujqësinë në terrin e informacionit. Në vitet e qeverisjes demokratike, si mjeshtër të shkatërrimit të bujqësisë, masakrës së  tokës dhe pyjeve, si pjellë e së keqes, shkatërruan dhe median bujqësore. Për nevojat e tyre mediatike, për tu shfaqur para shikuesve se po bëjnë punë të “mëdha” mbajtën vetëm një telekronist, por edhe atë e syrgjynosën në ekzil, duke e paguar më pak se një pensionist, nga Qendrat e famshme të transferimit të teknologjive. Një marrëzi e paradoks i pushtetit provincial.  Drejtuesit e sotëm të Ministrisë së Bujqësisë, me ministër profesor Edmond Panaritin, nga kontaktet që kam pasur, vërej se kanë një vizion të ri e këndvështrim progresiv, si dhe refleksione bashkëkohore, por u duhet të korrigjojnë gjithë strukturën e funksionimit të këtij dikasteri horizontalisht dhe vertikalisht, nëpërmjet një studimi me ekspert të fushave përkatëse. Krahas gjithë ristrukturimit të organizmave të bujqësisë, duhet të modelohet edhe një strukturë e medias bujqësore, që ti përgjigjet dinamikës së zhvillimit të këtij sektori jetik për vendin tonë. Sensibilitete dhe reagime të dukshme ka pasur nga udhëheqja e Ministrisë së Bujqësisë, për ti dhënë impulse të reja këtij sektori, duke e shprehur dhe nevojën e një sektori të fuqishëm informacioni. Por Molieri thotë se: “Të thënës shtoi dhe të bërën dhe je në rregull”. Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë, do ndihet e arrirë kur të përfaqësoju një medie të fuqishme të sektorit të bujqësisë, që ka prioritet në faqet e saj zërin e fermerit, specialistit dhe shkencëtarit të fushës.