Prof. Agim Hushi: Të rri apo të iki?!

690
Sigal

-Ndërkohë që artistët e operës nuk
marrin pagat e tyre, që u takojnë në fund të vitit.

-Bëhen show me diasporë, teksa
shqiptarët zenë vendin e parë si azilkërkues nëpër botë.

-U ktheva me një balancë të tillë, me
një dëshirë dhe idealizëm qytetar në Tiranë

…u
jam pafundësisht mirënjohës dashurisë dhe suportit të mrekullueshëm që më japin
jetë dhe ëndrra të reja çdo ditë, publikut artdashës, njerëzve të thjeshtë,
personaliteteve të vërteta nga kultura, shkenca dhe politika, që më mbushin me
dashuri dhe krenari të ligjshme

U bënë disa muaj që jetojmë në Shqipëri
familjarisht, në këtë vend të bekuar, pas një udhëtimi 25 vjeçar, vite të
bukura dhe të suksesshme, plot përpjekje dhe luftë jo të lehtë, të pabarabartë
me botën, si shqiptar. Por ia dola kudo ku shkela, kudo ku jetova, kudo ku këndova.
Rrita veten dhe djalin tim, nderova familjen time, por mbi të gjitha jam krenar
t’ju them se e ngrita me aq sa munda edhe emrin e Shqipërisë. Është e tepërt t’ju
them gjithashtu se gjithçka e arrita i vetëm, pa përkrahjen e askujt; bile as të
atdheut tim, që shpesh në vend të mirënjohjes më tregoi, se sa shpejt harron,
se komplekset e smirës i ka deri në majat e pushtetarëve të tij…. E dini të
gjithë, se kam kryer dy universitete të plota, me kohë të plotë si student në
Gjuhë Letërsi, Universitetin e Arteve dhe me mesataren mbi 9. Kam kryer
gjithashtu studimet e plota pasuniversitare, 3 vjet,  në Akademinë Franz List të Budapestit,  ku që pas mbarimit të vitit të parë më 1993,
u zyrtarizova si solist i operës hungareze. Zotëroj 4 gjuhë te huaja dhe kam
marrë tituj dhe vlerësime nga 4 anët e botës, nga personalitete botërore,  filluar që nga Richard Bonynge e Franco
Corelli e të tjerë. I punësuar dhe vlerësuar maksimalisht nga qarqet akademike
muzikore të Vienës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Kopenhage e deri në
Nikozia; në skajet e më të largëta të botës, New Zeland, Australi, Kinë dhe
Meksikë;  konsideruar si nga mjeshtrit më
të mëdhenj të belkantos në botë. U ktheva me një balancë të tillë, me një dëshirë
dhe idealizëm qytetar në Tiranë, ku pothuaj të gjithë më thanë: “Ç’bën këtu, nuk
bëhet ky vend, do zhgënjehesh!” Por s’doja ta besoja dhe nuk dua ta besoj…Dhe
jam në prag të dy vendimeve. Të rri e të luftoj këtu me ju apo ta lë maskarallëkun
që kanë mbi krye shqiptarët e të shoh punët dhe familjen time. Zemra më thotë të
jem këtu me ju, miqtë e mi e të luftojmë së bashku për një Shqipëri ndryshe,
ashtu siç e duam. Sytë e mi kanë qenë tek kultura… Ju të gjithë e dini, se çfarë
ndodhi para syve tuaj, kur një ish e larguar me ceremoni dhe e njohur për bëmat
e saj abuzive, e shkarkuar zyrtarisht për abuzime me fondet, riciklohet
zyrtarisht në TOB, ku programi im i jashtëzakonshëm për Operan as u lexua fare
nga komisioni i Kumbaros. Do tronditeni kur të lexoni bëmat disa mujorëshe,
milionat që kalojnë në xhepat e të mësuarve me abuzimet,  që do t’i publikoj së shpejti. Njerëz të
ndershëm më shkruajnë çdo ditë, duke më treguar me fakte, për tenderë të
Ministrisë së Kulturës; qindramilionshe, të cilat do t’i shihni të dokumentuara
shumë shpejt dhe t’i gjykojmë sëbashku, nëse janë apo jo abuzime me taksat
tuaja dhe shkatërrim i kulturës…Ndërkohë që artistët e operës nuk marrin
pagat e tyre, që u takojnë në fund të vitit. Bëhen show me diasporë, teksa
shqiptarët zenë vendin e parë si azilkërkues nëpër botë. Miq të dashur, diskutimi
juaj këtu do më japë një shtytje për të marrë vendimin e duhur; këtu me ju apo
në Vjenë me studentet e mi dhe familjen time, në komfortin tim personal. Mirënjohje
dhe përqafime të gjithëve!