Politikanët të mos bëjnë politikë me vuajtjet e njerëzve – të bëjnë punë

696
Sigal

Nga Ksenofon Krisafi*

Në kuadrin e masave lehtësuese për rrethanat e krijuara nga përhapja e koronavirusit, kryeministri i vendit para pak ditësh njoftoi ndër të tjera edhe kushtet e pranimit të shtetasve shqiptarë që kishin mbërritur në pikat e kalimit kufitar me shtetet fqinjë. Shfryu kështu edhe një ndër tullumbacet e ngritura në kupë të qiellit nga eksponentë të ndonjë force politike, që shfrytëzonte politikisht një dramë reale të disa dhjetra vetëve, që, për rrethana të caktuara u ndodhën në kushte tepër të vështira.  U ndje njëlloj lehtësie sidoqoftë, sepse diçka po lëvizte për të ndihmuar ata që prej afro një jave ishin bllokuar në kufij. Nuk ishte fjala për rezidentët në vendet e tjera, sepse ata e kanë strehën, shtëpinë dhe mund të mos lëvizin në këto kohë. Por për disa dhjetra hallexhinj, njerëz të vobegtë, që këto kohë të vështira i gjetën rrugëve të botës, shumicën në kërkim të një pune çfarëdo që nuk e gjejnë dot në vendin e vet ose të një pune më mirë të paguar. Këta të ngratë mbetën “pa zot” në kohët e një pandemie të paparë e të padëgjuar. Si qënie njerëzore, por edhe si shtetas të një shteti, kishin të drejtë dhe natyrisht edhe nevojë më shumë se kurrë për një kujdes, qoftë edhe minimal për të ndjerë pranë dorën e ngrohtë të shtetit. U duk se shteti i tyre ua “kishte vënë kufirin te thana”, duke i lënë në mëshirën e fatit, në territorin midis zyrave të policisë kufitare të të dy vendeve fqinjë, zonë të cilën dikush, përfshirë edhe ndonjë politikan të lartë, e quan gabimisht “tokë neutrale”. Fillimisht ata u ndaluan forcërisht dhe nuk u lejuan të lëviznin drejt shtëpive të tyre, por disa ditë më vonë u gjet njëfarë zgjidhjeje, e cila mund të ishte realizuar edhe më përpara, duke ua kursyer vuajtjet nga i ftohti, shiu, uria, etja etj.

Nuk duhet shpërfillur fakti që situata të tilla unikale me efekte traumatike krijojnë pështjellime, paqartësi dhe vështirësi maksimale. Ato kapin në befasi edhe shtete shumë të zhvilluara, me potenciale të fuqishme ekonomike, sociale, tekniko-shkencore etj. Ndodhi ekstreme si këto, tepër të rralla në historinë e shoqërisë njerëzore, nuk japin mundësi për orientim të shpejtë dhe të drejtë për gjetjen e zgjidhjeve më të mira të problemeve madhore me të cilat shoqërohen. Në këtë pikëpamje nuk është e lehtë që të thuhet përnjëherësh se u gabua në trajtimin e kësaj apo asaj çështjeje. Ndoshta edhe gabime mund të ketë pasur. Por, pavarësisht nga ndonjë mangësi, nuk mund të thuhet se qeveria s’kishte preokupim dhe s’bëri përpjekje për marrjen e masave për lehtësimin e gjendjes. Eshte një mendim i përgjithshëm që Shqipëria dhe ata që u ndodhën në krye të saj këto kohë vepruan drejt dhe reaguan në kohën e duhur. Me vendosmëri shembullore, me largpamësi dhe pa u lëkundur u vunë në jetë masa të rëndësishme që, së paku deri tani kanë shmangur degradimin e situatave, për të cilat pati vlerësime shumë pozitive edhe nga faktori ndërkombëtar.

Në këtë vështrim tingëllojnë cinike e të pakuptimta deklarime që vijnë nga segmente të caktuara të politikës, që me mëndjelehtësi mendojnë se është rasti për të bërë politikë. Ata që s’kanë bukë, ujë, ilaçe e sapun në shtëpi, edhe në këto kohë nuk duan politikë e llafe koti, por presin t’i shohin bashkë politikanët e mazhorancës dhe të opozitës. Vështirë se mund të ketë njerëz që e pranojnë taktikën e “gurëve nën rrota” ndaj  qeverisë, një pjesë e mirë e së cilës, siç u tha, po punon me përkushtim. Situata dhe hallet që kanë sot shqiptarët, sikurse njerëzit e mbarë rruzullit as nuk zgjidhen dhe as nuk përmirësohen me deklarimet boshe që nuk i shërbejnë askujt, që shqiptohen nga disa që flasin nga rehatia e shtëpisë. Do të ishte mirë që ata të mendojnë dhe të propozojnë zgjidhje më të mira e më të përshtatshme dhe të mos shprehen sikur vijnë nga Marsi.

Nuk ka dhe nuk besoj se mund të ketë rast tjetër më të përligjur kur opozita mund të rreshtohet përkrah qeverisë për të dhënë realisht kontribute, me vepra e jo me propagandë falso. Nuk besoj se shqiptarët do të kenë ndonjëherë situatë të tillë kaq të vështirë si kjo që po kalojnë këto kohë. Prandaj kanë të drejtën sublime  të kërkojnë reagimin e duhur racional, brenda normave juridike, morale dhe humanitare, nga ata që iu qëndrojnë mbi krye, një pjesë e të cilëve bëjnë jetën e luksit të tejskajshëm duke shfrytëzuar paret, punën, mundin, privacionet, varfërinë, urinë dhe dhimbjen e tyre.

A mendojnë këta të vetquajtur politikanë se qindra mijëra shqiptarë që kanë marrë në sy sakrificën e mbylljes në shtëpi dhe privacioneve të rënda ekonomike, do të besojnë ata që gjithëçka e shohin vetëm zi, ata që, të strukur pas ekraneve të televizorëve ose të rrjeteve sociale, lëshojnë të pavërteta, ata që nuk duan të dallojnë asgjë pozitive dhe asnjë arritje në përpjekjet dhe sakrificat e këtyre javëve të betejave të jashtëzakonshme?!

Nuk mund t’i besojnë këta politikanë që dinë vetëm të shpifin dhe të  denigrojnë gjithëçka, sepse shohin me shpresë e optimizëm punën e jashtëzakonshme, trimërinë, heroizmin, përkushtimin, vetmohimin e qindra mjekëve, infermierëve, farmacistëve, sanitarëve, shoferëve, e qindra punonjësve të tjerë përreth e në krah të tyre, veprimtarinë e të cilëve e kanë përpara syve 24 orë non stop në ekranet e TV.

Nuk mund t’i besojnë se përndryshe do të përbaltnin punën dhe sakrificat e disa dhjetra e qindra vajzave e djemve të mrekullueshëm – gazetarë, kameramanë, redaktorë, operatorë shoferë, etj që rendin për ditë, skaj me skaj Shqipërisë, për të sjellë lajme që ngjallin besim, shpresë, që rrezatojnë dritë jete.

Shqiptarët shohin me admirim dhe optimizëm vendosmërinë dhe modestinë sublime të disa qindra, ndoshta mijëra punonjësve të policisë e të ushtrisë që kontribuojnë duke rrezikuar jetën e tyre në përballje me keqbërës, delinkuentë e kriminelë.

Ata shohin me respekt përpjekjet e mësuesve dhe pedagogëve që adoptuan menjëherë mënyra dhe forma të përshtatshme të zhvillimit të mësimit online, që fëmijëve, nxënësve dhe studentëve të mos iu humbasi viti shkollor.

Fjalët pa mend që dëgjohen ndonjëherë në ekranet e televizorëve nga ata që e kanë stakuar trurin vetëm te marrja e pushtetit me çdo kusht e me çdo çmim, i dëgjojnë dhe zhgënjehen edhe punonjësit e bashkive, të bankave, si dhe disa mijëra shitës të thjeshtë, me mirësi njerëzore që e kanë të shprehur haptas në fytyrat e lodhura por edhe të trembura me të drejtë, të cilët lënë fëmjët në shtëpi, e dalin që në 5 të mëngjesit, për t’iu dhënë gjithë të tjerëve të hanë, të ushqehen, të mjekohen, të qetësohen etj.

Shqiptarët shohin gjithashtu me shumë besim e krenari përpjekjet e shkencëtarëve, intelektualëve, artistëve, sportistëve dhe gjithë të tjerëve që, secili në fushën e vet përpiqet të jetë i dobishëm, të bëjë diçka që dita e tyre të jetë e mbushur me shpresë e optimizëm dhe jo me zi e urrejtje.

Shqiptarët do t’i besonin këta, qofshin të djathtë ose të majtë, kur në ekranet e TV të deklaronin se sa euro kanë vënë në dispozicion të nevojave të hallexhinjve të këtyre kohëve. Do të ishte shenjë mënçurie, ndoshta edhe kamuflim i hipokrizisë, sepse dihet mirë që disa prej tyre notojnë në luks e në para. Por ata nuk impresionohen hiç as edhe kur shohin dhe dëgjojnë që nëpunësit e zakonshëm të shtetit kanë hequr dorë nga gjysma e pagës së tyre modeste në favor të atyre që këto ditë s’kanë pare të blejnë edhe një copë bukë, por presin t’iu bjerë dera se mos dikush ju sjell ndonjë pako me ushqime.

Si mund t’iu besojnë shqiptarët këtyre Robert çimçakizëve të cilët e përfolën negativisht edhe gjestin e madh simbolik e tepër fisnik të vajtjes së 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali, për t’i dëshmuar popullit mik italian solidaritetin e Shqipërisë, gjest që na mbush me krenari të gjithëve?!

Shqiptarët nuk i besojnë këta politikanë demagogë, sepse edhe ata vetë nuk iu besojnë fjalëve që nxjerrin nga goja. Është koha që ata të marrin mësimin e madh që ju vjen nga shqiptarët e mrekullueshëm, të mençur e të mirë, të zgjuar e inteligjentë, të cilët këto ditë u bënë bashkë, pavarësisht nga ngjyrat partiake, dallimet pasurore, përkatësia fetare etj. Ka ardhur dita që politikanët, opozitë e mazhorancë, të ulen të punojnë realisht, me preokupim të sinqertë për të identifikuar zgjidhjet më optimale për kapërcimin e pasojave të pandemisë së Covid 19 dhe për projektimin e planeve për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë së vendit dhe garantimin e sigurisë së tij kombëtare.