Po emigrantët a ishin në Korçë?

753
Nga Abdurahim Ashiku

Edhe takimi në Korçë midis dy ministrave të jashtëm të dy vendeve pazgjidhshmërisht fqinj shekullorë përfundoi, ashtu siç përfundoi dy muaj të shkuara edhe në Kretë…

Tym të bardhë nuk pamë. Mbase e kanë lënë që tymi i bardhë të dalë kur urët e zjarrit t’i ndezin dy kryeministrat në… Davos. Mbase edhe dy presidentët… Kjo më kujtoi një bejte të moçme… Telegramet shkojnë e vijnë, Nga Roma në Athinë… Të cilën e perifrazova: Delegacionet venë e vijnë, Nga Tirana në Athinë. Bereqet është, ndaj e vlerësoj, por…

Por “kunjin” e mprehtë të meselesë (Kur të shkosh në kuvend, thotë një këshillë e urtë popullore, merr me vete një metër, një kandar dhe një kunj të mprehur në të dy anët, me domethënie që me metër të matësh vendin ku je ulur, me kandar të peshosh fjalën dhe me kunj, përpara se t’ia ngulësh bashkë-kuvendarit ngulja vetes) e drejtova në efir… 

Midis dy vendeve fqinjë, tash e afro tri dekada, kanë hyrë emigrantët shqiptarë, në fillim si refugjatë, të ikur nga një vend në rrethim, e tash si mërgimtarë ekonomikë. Përpara se të pranoheshin nga shteti ata ishin pranuar nga populli, i cili i priti me copën e bukës dhe gotën e ujit në dorë, me strehë e veshmbathje. Kështu pati ndodhur edhe në vitin e largët 1949 kur u shua lufta civile e treqind mijë grekë u strehuan në Shqipëri, kur në Gjirokastër Laboviti operonte dhe ngrinte në këmbë dymbëdhjetë mijë të plagosur grekë në një betejë të pakuptimtë vëllai me vëllanë. Fqinji, në nevojë, e ka gjetur derën e hapur tek fqinji… Më vonë, 1998, shqiptarët, me një dekret presidencial, do të ishin të ligjshëm e, përtej ekstremistëve që bënin “qimen tra”, do të bëheshin faktor i rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale greke. Përkundër daljes publike të një deputeti, i cili do të deklaronte pas ndeshjes Shqipëri-Greqi: “Shqiptarëve ne u japim bukë e ato na mundin!” një zë publik do të ngrihej më lart: “Ne u japim bukë e ata na japin kek!”.

Mërgimtarët shqiptarë, edhe pse legalë dhe me hapësirë lëvizshmërie nga njeri vend në tjetrin, madje edhe nga Greqia në vendet e Bashkimit Evropian (lejet e qëndrimit 5 vjeçare) gjatë këtyre viteve e kanë ndjerë veten jetimë në shumë drejtime. Ka tash 17 vjet, nga 7 marsi 2001, kur në Selanik të Greqisë u hap si kurs e tani funksionon si shkollë (falë hapësirës së krijuar dhe mbrojtjes nga Universiteti “Aristoteli”) mësimi i gjuhës shqipe në Greqi. Më tej, në dhjetor 2006 gjuhën shqipe në program me një klasë me 6 fëmijë do ta fuste edhe “Shkolla shqiptare e Athinës”, shkollë me drejtim mësimin e kompjuterit në gjuhën shqipe. Ajo tashmë është shndërruar në shkollë me mbi 100 nxënës e 7 mësues. Më tej shkollimi shqip u shtri sa në Stere dhe në ishuj. U shtri dhe vazhdon të shtrihet e të shtohet në numër nxënësish e mësuesish vullnetarë pa asnjë pagesë, pa asnjë mbështetje profesionale, madje pa asnjë mbrojtje edhe nga segmente ekstreme. Shkollimi shqip në Greqi është i paligjshëm. Për mbarëvajtjen, mbrojtjen dhe përhapjen e tij nuk ka asnjë ligj, si nga ana e qeverisë greke, po ashtu edhe asaj shqiptare. Me përjashtim të një akt-marrëveshjeje të 4 nëntorit 1998 midis dy ministrave përkatës Arseni e Ruka (të skaduar pas 6 muajsh) nuk ka asnjë marrëveshje tjetër midis dy vendeve e dy ministrive.

Mbase shtetit grek i intereson asimilimi i fëmijëve shqiptarë, kthimi në grekë, gjë kjo është e fiksuar edhe në ligjin për nënshtetësinë, ku fëmijët e lindur marrin shpejt nënshtetësi greke dhe fëmijët që kanë mësuar 6 vite radhazi në shkollën qytetëse dhe gjimnaz marrin nënshtetësi greke, pavarësisht se ku kanë lindur, në Greqi apo Shqipëri.

Mbase kjo u ka vënë “tra me dega” para syve shtetarëve të lartë shqiptarë që e kanë lënë mënjanë dhe nuk kujtohen për humbjen e identitetit gjuhësor shqiptar të brezit të ri të lindur apo të ardhur në “krahë nënash”. Të lësh në harresë një të katërtën (sa i bie) të qytetarëve shqiptarë në mërgimin grek, të kujtohesh për ta vetëm për remitancat, të injorosh ata që e kanë ndërtuar këto vite dhe e kanë mbajtur në këmbë ekonominë shqiptare është e pafalshme. Një shqiptar pasi punoi disa vite në Greqi mori fëmijët dhe shkoi në Francë. Fëmijët kishin bërë disa vite mësim në sistemin shkollor grek. Në Paris ku u vendos ai i regjistroi fëmijët në shkollë greke, shkollë që mbahet e financohet nga shteti grek, shkollë ku fëmijët e tij mësuan edhe gjuhën frënge. Një shembull si ky (nuk është i vetmi, është i përbotshëm) i sjellë në bisedimet me palën greke do të bënte, të paktën, nxjerrjen e një urdhri që në fundjavë shkollat greke t’i hapnin dyert për mësimin e fëmijëve shqiptarë në gjuhën e nënës dhe obligimin e qeverisë shqiptare që të siguronte bazën materiale shkollore dhe të njihte zyrtarisht mësuesit dhe t’i paguante në raport me orët dhe punën që bëjnë. Pyes, në mos kaq gjatë, me kaq shembuj (që i dinë mirë të dy palët), thjesht: A u fol në Kretë dhe Korçë për shkollimin shqip të fëmijëve shqiptarë në Greqi? Dhe, po këtu, a u fol që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në shkollat greke, shkolla që aktualisht nuk janë mbyllur, vetëm e vetëm se numri i detyrueshëm i hapjes së një shkolle plotësohet nga fëmijët shqiptarë që në ndonjë rast përbëjnë edhe 80 për qind të nxënësve? Dëgjuam “nëpër dhëmbë” që është folur midis dy delegacioneve për pullat mbi dokumentet zyrtarë shqiptarë, pulla që ua kanë marrë shpirtin mërgimtarëve në ecejaket për t’i vulosur në një zinxhir të ndryshkur kohe; gjendje civile, prefekturë, ministri e jashtme, legalizim në konsullatat greke në Tiranë, Korçë apo Gjirokastër, përkthim në ministrinë e jashtme greke…pagesa, pagesa, pagesa…

Njohja e pullave mbi dokumentet shqiptare është bërë një tërkuzë e dhirtë sa duhet kaq lesh dhie sa nuk përballohet po t’i qethësh të butat dhe të egrat në të dy vendet.

“Nëpër dhëmbë” u fol edhe për njohjen e patentave shqiptare. Kot u fol, sepse emigrantët shqiptarë, edhe ata që s’e njohin mirë greqishten, i kanë marrë patentat në sajë të programit shqip të ofruar dhe i kanë dhënë vlerë vetes të udhëtojnë në të gjithë Evropën dhe më gjerë… Nuk u dëgjua zë, as “nëpër dhëmbë” për njohjen e kontributeve të emigrantëve në sistemin e sigurimeve të shtetit grek (IKA, OGA, TEBE), kontribute që janë aq të mëdha sa mbajnë në këmbë sistemin e pensioneve. Pa këto kontribute pensionet në Greqi do të ishin në ngërç deri në falimentim. Sa është ky kontribut? Nuk e thotë askush, sepse do të dilnin shuma marramendëse e do të çuditej bota. Greqia nuk mund të bëjë marrëveshje me Shqipërinë për pensionet e emigrantëve shqiptarë. Do t’i duhej të zbrazë e lërë bosh arkat e sigurimeve shoqërore. Në Greqi ka një numër jo të vogël të emigrantëve që i zuri kurbeti në “pleqëri”. Punuan por mosha nuk mjaftoi që të siguronin aq ditë pune (4500) për të marrë pension minimal. Ata janë jashtë çdo skeme pensioni, për më tepër kur me minimalen përfunduan në Shqipëri për shkak se ikën pa i bërë 35 vjet punë. Mbetën, si i thonë “As ke Hapa as ke Hupi”. Më e pakta e kërkesës dhe e marrëveshjes do të ishte modeli euroatlantik ku secili merr pension për aq punë dhe kontribut që ka dhënë. Një fqinji im grek, për dy vjet punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës merr 59 dollarë në muaj. Në faqe gazetash e portalesh dje në sinkron dy ministra, njeri me portofol të madh e tjetri pa portofol, Xhafa e Majko folën për votën e emigrantëve, regjistrimin për efekt votimi, a thua kjo se u hyn fort në xhep ikanakëve, është thelbi i jetës së tyre sa nuk mund të marrin frymë! Nuk e di, nëse dalja e tyre kishte lidhje me “Korçën”, por di të sigurt një gjë, se ata ishin tejet të vonuar, kishin harruar një ligj të Kuvendit të Shqipërisë të shkurtit dy vjet të shkuara për regjistrimin e emigrantëve “shtëpi më shtëpi” e “derë më derë”. Kishin harruar se në gusht 2016 ishte deklaruar për ngritjen e grupeve të punës për regjistrim dhe se shpejt do të fillonte regjistrimi. Po e vërteta është krejt tjetër. As edhe një emigrant i vetëm nuk ishte regjistruar… Duhet ta kishin kujtuar, sepse ata ishin dhe janë në pushtet e në detyrim kushtetues të zbatimit të atij ligji. Dalja publike me “harresa”, për më tepër për “regjistrim emigrantësh” ua zbeh figurën e pushtetit. Mos lodhen, regjistrimi i emigrantëve “derë më derë” është bërë. Mjafton t’i kërkojnë qeverisë greke (dhe qeverive euroatlantike) regjistrimet zyrtare dhe ata do të kenë të plotë, me të gjitha të dhënat, adresën për të gjithë. Madje po të duan të shikojnë edhe abonenë e re elektronike në të cilën çdo qytetar në Athinë (edhe shqiptarët në mes) ka të dhënat e plota personale në detaje. Në Kretë dhe Athinë u fol për çështje të mëdha dypalëshe; për “piramida detare”, “piramida tokësore”, për “varre”, për… Mbase duhej folur edhe për “çështje të vogla”. Në mes dy vendeve tash ka një realitet të ri, mërgata e re shqiptare që flet shqip dhe ajo do t’i flasësh shqip…
Sigal