Petraq Barjami/ Rrënim i Historisë

555
Sigal

Sot në Këshillin Bashkiak do të diskutohet heqja e emrit “Avni Rustemi” nga sheshi, si edhe heqja e bustit të Avni Rustemit. Kjo, në kuadrin e rishikimit të… Historisë. Sikurse ndodhi edhe me heqjen e emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit”  nga bulevardi i  Tiranës dhe zëvendësimi me emrin e Ibrahim Rugovës. Vallë rastësi (historike) është që emri që zëvendëson dëshmorët e 4 shkurtit 1944 zëvendësohet me emrin e nipit të atij që ekzekutoi qytetarët e Tiranës? Zëvendësohet emri i Pashko Vasës në rrugën e Tiranës me emrin e Janosh Huniadit. Nuk ka rrugë të tjera Tirana, që të marrin emrat që duan pushtetarët e sotëm? Por tendenca e udhëheqësve të Bashkisë së Tiranës është që emrat e  patriotëve që dhanë jetën e tyre për Atdheun,  që u janë dhënë deri tani rrugëve, bulevardeve dhe shesheve të Tiranës, t’i zëvendësojnë. Pardje, 17 Nëntori i Çlirimit të Tiranës nuk u festua zyrtarisht, nuk u përmend asgjë, nuk u organizua asnjë mbledhje jubilare dhe këto veprime nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës bëhen që të injorohet lufta, sakrifica dhe gjaku i popullit të Tiranës, por edhe i luftëtarëve që luftuan me heroizëm kundër pushtuesve nazistë.  Cilado kah politik të udhëheqë kryeqytetin e kujtdo shteti demokratik, çlirimi i Kryeqytetit, kudo festohet me madhështi. Vetëm në Tiranë, më 17 Nëntor 2012 nuk u festua zyrtarisht. Në Çorovodë mendohet që të hiqet monumenti i Riza Cerovës dhe të zëvendësohet me Xhelal Stavaleckën. Heronjtë e Vigut, sot janë hedhur në sheshin e grumbullimit të mbeturinave e plehrave. Ky është rrënimi i Historisë!