Përsëritja e zgjedhjeve në Berlin dhe 14 Maji në Tiranë!

168
Sigal

Duket e habitshme, por ja që çudia zgjedhore ndodhi dhe në Berlin, Kryeqyteti me statusin e një ndër 16 shteteve ( landeve) të Gjermanisë. Disa ditë më parë, Gjykata e tij Kushtetuese, me 7 vota pro dhe 2 kundër i shpalli te pavlefshme zgjedhjet e zhvilluara me 26 Shtator 2021 dhe vendosi përsëritjen e tyre për Parlamentin dhe 12 komunat e Berlinit më 12 Shkurt 2023. Kjo ” bombë” politike dhe zgjedhore shpërtheu në mes të krizave të tjera të shumta pas gabimeve dhe parregullsive, vonesave dhe mungesave masive teknike dhe organizative në shumë qendra dhe zona zgjedhore. Ky vendim u dha përgjigje vëzhgimeve, denoncimeve dhe kritikave të shumta për ato zgjedhje ku një mori faktesh dhe dukurish dëshmojnë për kaosin e madh zgjedhor, përpara, gjatë dhe pas 26 Shtatorit 2021.
Më konkretisht pati mungesa dhe vonesa të shumta dhe të theksuara lidhur me sigurimin e materialeve zgjedhore, kutive dhe letrave të votimit, numrin e pamjaftueshëm të kabinave dhe qendrave zgjedhore; për pasojë pati rradhë të gjata disa orëshe pranë qendrave të votimit. Më e keqja, ndonëse 2/3 e zgjedhësve ishin ende në rradhë për të votuar dhe pas orës 18:00, sondazhet kishin nxjerrë fituesin e atyre zgjedhjeve. Një ditë më parë ishte zhvilluar dhe maratona tradicionale ndërkombëtare e Berlinit, çka i kishte ndërlikuar dhe më shumë përgatitjet e rastit.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese të Berlinit, janë konstatuar 20.000 gabime dhe parregullsi zgjedhore në 1,4 milion votues. Ato kanë prekur rreth 327 nga 2257 qendra votimi. Për pasojë, konsiderohen të parregullt dhe të paligjshëm 88 nga 147 deputetë të Parlamentit të shtetit ( Landit) të Berlinit, të cilët do t’i nënshtrohen përsëritjes së votimit më 12 Shkurt 2023 në total, dhe atje ku nuk janë raportuar parregullsi dhe shkelje.
Pas shtyrjeve pa fund të ndërtimit të aeroportit të ri, ky i tanishmi, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në gjithë Gjermaninë është skandali i dytë i madh i viteve të fundit për kryqytetin gjerman. Mirëpo, nëse aeroporti kishte të bënte me logjistikën dhe infrastrukturën, gabimet dhe parregullsitë e lartpërmendura zgjedhore prekin drejtpërsëdrejti thelbin politik të demokracisë. Ai u shtohet problemeve dhe shqetësimeve të tjera të shtetit të së drejtës, përshkallëzimit të ekstremizmit, shtimit të pabarazive që kanë marrë hov dhe në Berlin, 33 vjet pas ribashkimit që bëri epokë dhe në Europë.
Shqetësimi tjetër i madh është se ish Kryetari i Bashkisë, Michael M?ller, aktualisht deputet në Bundestag dhe Senatori ose Ministri i Brendshëm i Landit të Berlinit, Andreas Geisel, të dy përfaqësues të SPD-së në pushtet, si shkaktarët e këtij skandali politik dhe zgjedhor nuk kanë pranuar ende përgjegjësitë e rastit. Dhe vetë Kryebashkiakja, Franziska Giffey, një ndër lideret kryesore të SPD-së gjermane, në daljen e saj publike më 17 Nëntor “bëri të paditurën” ndonëse foli dhe premtoi transparencë. Gjithsesi, mbas trysnisë në rritje në rrethet politike, publike dhe mediatike, pritet që kjo të ndodhë së shpejti, bashkë me masat përkatëse.
Pasojat e përsëritjes së këtyre zgjedhjeve mund të jenë të mëdha sidomos për koalicionin e tanishëm qeveritar në Berlin dhe për vetë Kryebashkiaken, Franziska Giffay, si përgjegjësit kryesore politikë të këtij skandali zgjedhor. Nuk përjashtohet mundësia e një fitoreje të të Gjelbërve dhe për pasojë Giffey t’ia lerë vendin zëvendëses së saj të kësaj partie. Por, mund të ndodhë, ndonëse me pak shanse, që fituese të dali dhe CDU-ja, duke ndryshuar tërësisht përbërjen e koalicionit të tanishëm qeveritar berlinez.
Ndërkohë, pritet një vendim i Bundestagut për përsëritjen e mundshme të këtyre zgjedhjeve dhe për një pjesë të deputetëve të tij që kanë fituar në zgjedhjet e 26 Shtatorit në Berlin, për shkak të po këtyre parregullsive por kjo në një datë të mëvonshme.
Vlen të theksohet se më 12 Shkurt 2023 nuk do të ketë zgjedhje të reja, por vetëm përsëritje e zgjedhjeve të kaluara. Për rrjedhojë, do të konkurojnë kandidatët ekzistues, pa qenë nevoja për kandidatë të rinj.
Ndërkohë, po merren të gjitha masat që të mos përsëriten më gabimet, shkeljet dhe parregullsitë e përmendura më lart. Për këtë qëllim, nga ana financiare është akorduar një fond prej 39 Milion Euro, shumë më i madh se i mëparshmi. Falë këtyre masave, do të ketë rezerva të bollshme në kuti votimi, letër dhe materiale zgjedhore në masën 140 për qind. Gjithashtu, nga 34.000 do të ketë 38.000 ndihmësa në procesin zgjedhor dhe shpërblimi për ta do të katërfishohet, nga 60 në 240 Euro dita.
Në pritje të 12 Shkurtit në Berlin, duke qenë se 14 Maji zgjedhor në Tiranë është vetëm tre muaj larg tij, mendojmë se ka shumë vend dhe hapësirë për të nxjerrë dhe ne mësime nga pësimet e tij dhe nga përgatitjet në proces. Ndonëse, siç u përmend më parë, në Berlin u konstatuan vetëm shkelje dhe parregullsi teknike të pjesshme, pa manipulime, ndërhyrje politike dhe dukuri zgjedhore negative, si ato që ndodhin rëndom në zgjedhjet tona e që janë përmendur në të gjitha raportet ndërkombëtare. Rikujtojmë se zgjedhjet e fundit vendore dhe parlamentare te ne nuk janë vlerësuar “të lira dhe të ndershme” por thjesht “të mirë organizuara” Tani, sa për këtë të fundit, ne që e kemi jetuar sistemin monist e dimë mirë se dhe atëhere, zgjedhjet ishin të mirë organizuara, madje shumë më mirë se tani në çdo aspekt, por vetëm aq. Problemi ynë tani është se dhe pas 32 vitesh, jemi ende shumë larg standardeve perendimore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shembulli i Berlinit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për përsëritjen e gjithë procesit zgjedhor, diskutimi që u bë pas zgjedhjeve të vitit 2021, denoncimet, fryma e bashkëpunimit dhe konsensusit mbarëpartiak tregojnë se pavarësisht nga mungesat dhe mangësitë, që nuk kanë të krahasuar me praktikat, difektet dhe manipulimet tona zgjedhore, atje demokracia dhe shteti i të drejtës funksionojnë, pa zhurmë dhe ndërhyrje nga jashtë, nga politika, qeveria dhe aktorë e faktorë të tjerë e ca më pak nga krimi. Madje, dhe ky rast i paprecedent negativ me siguri do të kthehet në një shembull pozitiv dhe pikë reference, tani dhe në të ardhmen.
Ndërkohë, duke patur parasysh morinë e problemeve të shumta logjistike materiale dhe organizative për zgjedhjet vendore më 14 Maj, të cilat këtë radhë do të jenë vërtet pluraliste, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, kërkohet organizim dhe përgjegjshmëri shumë më e madhe nga të gjitha agjencitë dhe institucionet përkatëse. Ndaj dhe referimi te shembulli i Berlinit mund fare mirë të jetë pjesë e ” Katalogut” tematik të KQZ-së dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese.
Rastësi e mirë që 20 vjet më parë, KQZ-ja jonë, me nismën e Kryetarit të atëhershëm dhe të tanishëm, zotit Celibashi, dërgoi disa antarë të saj për të vëzhguar nga afër zgjedhjet federale dhe vendore të 25 Shtatorit 2002 në Landin e Berlinit. Pata rastin t’i shoqëroja si i Ngarkuar me Punë a.i. në Ambasadë për disa ditë në qendra votimi, zona zgjedhore dhe në takime të ndryshme, përpara, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Siç pohuan pjestarët e delegacionit tonë, ajo ishte një përvojë tejet e dobishme, e cila u vlerësua dhe nga mikpritësit gjermanë, të cilët u treguan tejet mikpritës dhe të disponueshëm në çdo drejtim.
Ndoshta një praktikë e tillë mund të përsëritet sërish, meqenëse vetëm tre muaj e ndajnë 12 Shkurtin e Berlinit nga 14 Maji i Tiranës. Ca më tepër se jemi dhe pjesë e Procesit të Berlinit, Samiti i të cilit do të mblidhet pikërisht në Tiranë pranverën e ardhëshme.