Përparim HALILI/ “Varri i Bamit”

660
Kronika është kjo: “Gjyqi” i të shtunës në Komisionin Parlamentar të Imuniteteve dhe Mandateve, nuk u zhvillua, mbasi deputeti Tom Doshi kërkoi kohë për mbrojtje juridike, ndërsa deputeti Mark Frroku dorëzoi vetëm fjalën e mbrojtjes me shkrim dhe u largua. Seanca e dytë e “gjyqit” Doshi-Frroku, u la se do të bëhet sot paradite. Siç dihet, dy deputetët Doshi e Frroku akuzohen për skenar fals, të një krimi me subjekt “vrasjen” e deputetit Doshi dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Personazh kryesor i këtij skenari, doli se ishte Durim Bami, i cili në rolin e “atentatorit”, pranoi të regjistrohej me audio-video kamera prej Doshit, për të deklaruar skenarin e vrasjes së deputetit Doshi, duke përmendur emra porositësish, instruktuesish e financuesish, mes tyre edhe emrin e kreut të Kuvendit. Pas 6 muajve, deputeti Doshi nxori nga “arkiva” videon “Bami” dhe e hodhi në tregun mediatik, për ta bërë kështu objekt të veprimit të drejtësisë. Personazhi deklarues i videos, “atentatori i penduar” Durim Bami, u arrestua. Në dëshminë e momentit, ai deklaroi se ishte “paguar për vrasjen e deputetit Doshi, por ishte penduar dhe i ishte rrëfyer deputetit, prej të cilit ishte shpërblyer për mos kryerjen e vrasjes, pendimin dhe rrëfimin në video-kamera”. Por vetëm 24 orë më pas, “atentatori” Bami, ka ndryshuar 100% dëshminë e tij, ka pranuar se video-kamera ishte e sajuar, se fjalët e tij në video ishin të diktuara nga Doshi. “Atentatori” Bami, ka mohuar të jetë paguar për të vrarë Tom Doshin, por është paguar nga Doshi, për të deklaruar se do vriste Doshin, duke mohuar të ketë dëgjuar të flitet për emrin e kreut të kuvendit, si “porositës i vrasjes së Doshit”. Pas 15 ditë hetimesh me marrjen në pyetje të Doshit, Frrokut, Priftit, Brahos, Tahirit, Vasilit, Berishës, Palokës e shtetarëve të tjerë të përfolur prej deputetit Doshi, prokuroria doli në konkluzionin, se akuza “Doshi” është një skenar i sajuar prej deputetit Doshi, në dijeni të plotë edhe të deputetit Frroku. Tashmë është “gjyqi” ndaj skenarit të sajuar të “vrasjes”. Prokuroria ka kërkuar lejen e parlamentit, për arrestimin e dy deputetëve Doshi e Frroku. Arrestimi i tyre, kërkohet mbështetur kryesisht në dëshminë e fortë të Bamit. Deri në momentin që Doshi e Frroku, kishin në dorë sigurinë e dëshmisë së “atentatorit” Bami, ata menduan se do t’i bënin “varrin” (politik) atyre që akuzuan. Por Bami, nuk i dha mundësinë Doshit, të çonte skenarin deri në fund, mbasi mohoi gjithçka dhe e ktheu Doshin, nga akuzues, në të akuzuar, bashkë me mikun e tij Frroku, si njeriu në dijeni dhe bashkëveprues në sajimin e këtij skenari me “vrasje deputetësh”. Shumë shpejtë, dëshmia e Bamit u kthye në një “gropë”, brenda të cilës do të “groposej” politikisht e ligjërisht njëra nga palët. Drejtësia e caktoi, se cila palë duhet të përgjigjet përpara ligjit për kallëzim të rremë dhe sajim akuzash. Ata që duhet të përgjigjen janë deputetët Doshi e Frroku, të cilët tashmë gjenden përballë “gjyqit” të parlamentit, duke e hapur dhe u futur vetë në… “varrin” e Bamit.
Sigal