Partizan MYFTARI/ Xhihadistët e politikës dhe ata të islamit

525
Sigal

Kohët e fundit është folur shumë tek ne për ekstremizmin islamik, për xhihadistë e terroristë, për imam me leje e për imam pa leje.

Unë nuk kam statistika rreth këtij fenomeni, por shpesh mendoj se përse lindin këto?!

A kanë shkaqe sociale?!

A janë dukuri të përkohshme apo lindin si fenomene të kundërvënies sociale me rrethana filozofike apo teologjike në mungesën e hapësirës së një shpjegimi?!

Kush i nxit?!

Ku u gjet ky “territor” bosh për të “lulëzuar” xhihadizmi fetar?!

Në terminologjinë fillestare të Kuranit fjala jihad nuk ka kuptimin e saj regresiv, të keq, terrorist apo një koncept të hapur armiqësor mbi segmentet e brendshme të praktikimit dhe flijimit absurd…

Nuk dua të hyj në këto kanale interpretimi mbi teologjinë e kultit, por as që dua të anashkaloj disa nga shkaqet (në mos themelori) sociale të kësaj turbulence kolektive e shkaktuar po prej nesh dhe ashtu e manipuluar padrejtësisht me heshtje shkakun e lindjes.

Vlerat e një shoqërie pasqyrohen në rolin e institucioneve të ngritura  dhe nga përfaqësuesit e njerëzve të këtyre institucioneve.

Shpesh në kuptimin e mirëfilltë edhe njeriu është një institucion “primitiv” që e shikon modernizimin e tij tek bashkëjetesa sociale. Në këto raporte fillon edhe lindja e dukurive, fenomeneve që shpie domosdoshmërisht në krijimin e institucioneve nga ato grupimet shoqërore, sociale, politike…

Edhe elementët kushtetues janë fryt i gjerë i një mirëkuptimi social që shpesh ne i përfundojmë kategorikisht në elementë funksional të detyrueshëm për të gjithë gjer në një fuqi të pazëvendësueshme relative të sistemit të zgjedhur të cilët në shumë raste janë pa efekte.

Në të gjitha këto hallka njeriu është thelbi i lëvizjes.

Vet njeriu, brenda kualitetit individual, pëlqen të jetë i lirë dhe në forma të ndryshme heziton ose kërkon t’u shpëtojë “prangave” të rregullave të vendosura paraprakisht….

Fillon deformimi social i vlerave.

Politika me gjithë elementët e saj politikëbërës janë dukuri sociale.

Edhe xhihadistët janë një dukuri sociale.

Pra, kanë një pikë të përbashkët, fenomenin social të ekzistencës, por ndahen midis tyre tek autoriteti i përfitimit, tek elementi i referimit social, shkallëzimi ekonomik e gjer tek mundësia e paraqitjes nëpërmjet luksit (abuzimit) që i bën politika pushtetit për favoret e saj.

Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë historisë politike shqiptare, nuk është se ajo shkëlqen në raport me elementët historikë, në rrethanat me zgjidhjet e kryera, në detyrimet morale të realizuara.

Politikë intrigash, pazaresh, marifetxhinjsh, dallkaukësh e gjer në bashkëpunim me krimin për të ruajtur ekzistencën e saj si një virgjëreshë institucionesh.

Ata gjenden aty si fryt mirëkuptimi për realizime vlerash, por na kanë mbetur në derë si ca të punësuar që nuk dinë të bëjnë një punë tjetër.

Sovrani i mban në punë dhe këta shaluar sovranit intrigojnë dhe varrosin vlerat e një shoqërie që ka humbur konsensin dhe mirëkuptimin.

Ata qëndrojnë shaluar sovranit në emër të ligjit dhe vetë e shkelin me të dyja këmbët.

Ata betohen për pasurinë publike dhe vetë e vjedhin me bllok në dorë.

Ata betohen për pastërtinë e shpirtit, por neve na shohin akoma si “kokëpalarë”.

Shumë fakte të tjera mund të sjellim…

Duke mësuar emrat e xhihadistëve të ndaluar sillej edhe informacioni shpjegues se ata ishin thjesht shqiptarë si ne dhe askush nuk vinte nga një planet tjetër.

Ishin më të rinj se mua në moshë dhe natyrisht në këto 23 vjet tranzicioni kanë patur ëndrra e dëshira shumë herë më të bukura se mua.

Por çfarë ndodh?!

Një zhgënjim i madh.

Një dëshpërim total.

Politika vodhi pushtetin pa asnjë iluzion, rregulloi klanet e saj, privatizoi pushtetin ekonomik (edhe të përndjekurit i la me gisht në gojë) dhe tashmë, ashtu të inkriminuar si janë, luftojnë të mbajnë pushtetin ose t’ia kalojnë tjetrës palë pa dhimbje tragjike (tragjikja këtu është mos humbja e pasurisë marramendëse që kanë vënë duke vjedhur nëpërmjet pushtetit).

Deformimi social lulëzon!

A nuk ka pasur shumë viktima ky tranzicion?!

A nuk vazhdon të ketë viktima kjo periudhë për shkak të kësaj klase politike të degjeneruar?!

A nuk po vazhdon të prodhohet shumë tritol mbi tokën tonë që ka nevojë për vlagun e bukës?!

A nuk të duket e çuditshme përse lazaratasit ia kanë kthyer shpinën Shtetit?!

A nuk është e çuditshme që edhe sot vazhdojnë e vriten për tokën?!

A nuk është tragjike që prostitucioni njerëzor është pa moshë?!

Si është e mundur të mbahet peng Shteti prej Krimit?!

Si është mundur që salla e Parlamentit të kthehet në një fjalor rrugaçësh?!

Si është e mundur që kriminaliteti është akoma i frikshëm?!

Si është e mundur që ka akoma një shtyp pervers e servil që nuk e shikon të vërtetën në sy?!

Si është e mundur që ata që e quajnë veten intelektual e shikojnë fytyrën e terroristit dhe të krimit vetëm në rrugë?!

Kur mund të quhet një krim human i ardhur prej dyerve të institucionit?!

Sistemi social pas gjithë këtyre pyetjeve duket se ka dalë nga forma, është larguar nga qëllimi dhe ka vetëm një ekzistencë formale.

Pas gjithë kësaj shfaqjeve, ku përmendëm krimin ekonomik, krimin moral, vrasjet e pafajshme që nuk kanë të numëruar, eliminimin midis bandave (edhe ata janë bij nënash) kush është fajtori?!

A nuk kemi një krim kombëtar  i ardhur drejtpërdrejt nga funksionarë të institucioneve?!

Shumë vrasje, shumë vdekje….

E natyrisht keqqeverisja, politikëbërja e keqe, dekompozimi i tyre moral në një shtrat me krimin ekonomik, krimin politik kanë dalë vetëm nga një derë: dera e shqyer e institucioneve që plehëroi moralin e një shoqërie në tranzicion?!

Verbëria e xhihadistëve në pakicë, lindur, sipas mendimit tim, nga varfëria, nga mungesa, nga mosekzistenca e Shtetit të Vlerë, atje ku shoqëria e emancipuar shfaq vlerat e saj moderne brenda kufijve të lirisë, është më pak e rrezikshme sesa xhihadistët e pushtetit të vjedhur, e politikanëve ordiner që flasin nga kolltuku institucional dhe fshihen pas votës së Sovranit.

Paturpësisht ata kanë kurajën të harrojnë viktimat që prodhojnë gjatë funksionimit tranzicional dhe atij normal të pushtetit politik duke shtuar marrëzisht rrugët e krimit, ku gjenden brenda edhe vetë.

Ajo, politika, harron, ose bën sikur harron, se ka mbi shpinën e moralit të saj drejtues, shumë viktima të pafajshme që kanë ardhur e formuar për shkak të saj, të ligjeve të këqija që ka miratuar (kujto, ligji mbi pronën dhe tokën shumë problematik); për shkak se së bashku me krimin ekonomik ka kriminalizuar institucionet dhe në mënyrë të pandershme, shet moral…

Viktimat për shkak të tyre janë të pallogaritshme dhe gjersa ky sistem korruptiv, me këta xhihadistë politik, do të vazhdojë të kontrollojë për llogari të vet e të klaneve të tyre, këtë lloj imoraliteti institucional, askush  nuk mund të ndihet i qetë në shoqërinë për të cilën kemi zgjedhur që të jetë më e mirë.

Pikërisht, ky lloj pozicioni, i bën ata më të rrezikshëm, sepse janë të organizuar (edhe nga vullneti ynë) në mënyrë institucionale dhe veprojnë pamëshirshëm si ekstremistë të paimagjinueshëm.

Përse veprojnë kështu?!

Ata nuk mund të quhen xhihadistë (kur bëjnë krime e shkelin ligje), sepse janë institucionalisht të zgjedhur?!

Ata, kur shkelin ligjet e bëjnë krime, janë më të rrezikshëm se islamistët e arrestuar, sepse këta të fundit kanë një armë më pak: Nuk janë kushtetues dhe kanë një mbështetje thjesht kulturore të një feje të caktuar dhe ndoshta kjo e zgjedhur për shkak të dëshpërimit social të parealizuar nga kjo klasë e korruptuar politike dhe elementët e saj formues social.

Ne jemi më të përkohshëm se sa dukuritë që manifestojmë, por ne jetojmë më egërsisht sesa tonaliteti i dukurive që mbjellim…

Shpesh dëshpërimi të shpie drejt lutjeve të një kulti abstrakt dhe pavetëdija e një analize filozofike të shndërron ose në viktimën e radhës, ose në martirin pa vlerë.

Në mënyrë të përditshme një pjesë e mirë e shtypit hipokrit shqiptar shndërrohet një zëdhënës aktiv i institucioneve të korruptuar dhe bëhet bashkautor i pashmangshëm i politikës zyrtare, shndërrohet në një xhihadist, duke iu fshehur realiteteve sociale dhe së bashku me politikën e korruptuar ushqejnë njëra-tjetrën për të forcuar pozitat ekonomike.

Një shoqëri civile pa institucione të moralshme nuk është asgjë tjetër veç një moçal ku nuk derdhet asnjë fjollë uji për të shpëtuar erën e tij të keqe, sepse brenda janë të dyja viktimat: xhihadët politikë dhe ata të islamit.

Të parët hipur në një varkë pa vela e pa lopata shtyrëse; të dytët, dëshpëruar mbërthejnë duart mbi dërrasat e kalbura të saj dhe presin shpëtimin….

Nga kush?!