Partizan MYFTARI/Thërrime sovrani

528
Sigal

Iku!.. Jo, jo, nuk iku! Erdhën! Rilindën! Jo, jo! As erdhën, as Rilindëm. Kur ishin drejt plakjes morale, na thanë se ata ishin Ndryshimi. Kur Ndryshimi nuk kishte shanse të ishte i tillë, pala tjetër shpiku po prej të njëjtit brum Rilindjen… Dhe pastaj më 23 qershor ndodhi ajo që ndodhi…

Kanë rrjedhur pak ditë pas zgjedhjeve dhe shpesh e më shpesh flitet për Sovranin.

Flasin të gjithë: majtas, djathtas, të fituar e të humbur. Analistë, opinionistë, të zgjedhur, të dehur, vrastarë, plumbarë, lulishtarë, ordinerë, kriminelë, filozofë, nostalgjik, gardistë, të dënuar, bukshitësa, shoferë, kurvarë, fshatarë, studentë servilë, kurajoz, poetë oborresh, artistë me skena shpirti por me regjisorë turpi, drejtorë pa vulë, të dënuar për fjalë e të ledhatuar për krime.

Flasin për të gjallët, flasin për të vdekurit. Flasin anonimatë, shkruajnë ata me emra, por që s’kanë bërë emra.

Flasin edhe ta që kanë bërë emër me postin që kanë pasur, lidhjet e tyre me krimin, historitë e tyre me përgjakje, telenovelat e tyre televizive me skenar të rëndomtë, flasin burrat e njëzet përqindjes, të blloqeve dhe ata që vrasin pas xhamave të kristaltë ku fshihet një pushtet i zi.

Një stërmundim i gjatë njerëzor, një shpërfytyrim shpirtëror; një hipokrizi që vazhdon të ngrihet në artin e vdekjes si për të mposhtur Moralin e Vërtetë.

Nuk kam kurajën të përdor emra, jo se mungojnë, por mbi klasiken e mendimit prania e tyre me atë që e kanë bërë, si e kanë bërë, m’i jep një tonalitet të krimbëzuar këtyre rreshtave dhe ata gjenden të legjitimuar midis ekzistencës së mos përjashtimit dhe moralit të tyre të humbur përjetësisht. Sovrani! Shpesh, fuqia e këtij emri, më trondit dhe më krijon në të njëjtën kohë platformën amorfe që mund të ketë ky term në përfytyrimin tonë ardhur prej shekujsh, bashkuar e ndarë në klasa; jetuar me verbëri kohe e shpesh duke iu nënshtruar fatit edhe prej marrëzisë së idiotëve.

Abuzimi më klasik që mund të jetë në histori, tragjedia më makbethiane e shkruajtur ndonjëherë, akti më shekullor i skenave me aktorë anonimatë, imituesit më të tmerrshëm, hijet më vrasëse në nxitimin e tyre për të hyrë në histori. Peshorja e vlerave është gërryer prej shekujsh dhe ne vazhdojmë të peshojmë vetveten me fuqinë e shtirjeve.

Kur flet Sovrani, na thuhet, të tjerët heshtin?! Kush është Sovrani?! Kush janë të tjerët?! Kush duhet të hesht?! Më mirë të heshtin të ikurit se nuk kanë asgjë të re për të thënë!? Kush duhet të flasë?!  Të flasin të ardhurit sepse jo se kanë heshtur por nuk kanë folur prej fronit ku ndjehen më mirë dhe ëndrrën e fshehur (siç e fshehin të gjithë pushtuesit e pushtetit) të përgatitur prej kohësh ta zgjonin me një stil të ri!?…

Të gjithë këta: të ikur, të ardhur, të mbetur, të shitur, të blerë; të shtirë e të vërtetë; krenarë dhe të dhjerë; të gjithë ne bashkë me sjelljet tona me moralin tonë kemi një pikë të përbashkët.

Kemi një hapësirë të pandashme e të konceptuar sintetikisht, të formuluar filozofikisht, të shtirë djallëzisht, triumfatorë egërsisht: dhunues të palodhur. Ne, i përkasim Sovranit.

Ne me sjelljet tona, me të gjitha ato që bëjmë edhe kur mbjellim, edhe kur shkulim; edhe kur lindim, edhe kur vrasim; edhe kur qeshim, edhe kur qajmë, jemi thërrime, grimca të Sovranit…

Therrime vulgare të Sovranit. Po. Të gjithë ata, që me pushtetin e tyre institucional, me rolet e tyre publike administrative, të gjithë ata që në mënyrë të pashmangshme tentojnë një jetë aktive mbi moralin e një kombi (kupto  Sovranit) dhe me aktet e tyre e përdhunojnë mizorisht atë.

Këta nuk mund t’i përjashtojmë nga thërrimet e Sovranit sepse në të njëjtën ditë edhe ata kanë shprehur fuqinë e votës së tyre për ekzistencën e pjesës hipokrite të Sovranit.

Thërrimet tona të helmëta në bukën e madhe të hidhur. Dhe askujt nuk i bëhet përshtypje: as kur gënjejnë, as kur vjedhin, as kur vrasin, as kur blejnë votën, as kur shesin moralin, as kur dhunojnë. Këto thërrime të qelbura, këta individë tashmë të paskrupullt së bashku me “heronjtë” e tyre të krimit (thërrimet e Sovranit) vazhdojnë paturpësisht të ndjehen krenarë për atë që kanë bërë.

Këto thërrmija sovrani që ngritën perandori krimesh për të bërë e fshehur ajsbergun e pasurisë së zezë duke blerë gjënë më shtrenjtë me çmimin më ulët, dinjitetin e thërrmijave të tjera, lirinë e tyre, të vetmen gjë që mund ta ruanin të fshehtë: lirinë e votës! Të dhunojnë edhe këtu duke premtuar ose kërcënuar.

Këto thërrime të qelbura por njëkohësisht të lumtur që janë pjesë e Sovranit (e drejta e votës për të gjithë) dhe pasi janë rreshtuar si element i parë mbushës i Ndërgjegjes së një kombi, mundur prej dëlirit të madhështisë, edhe atëherë kur Marrëzia (merreni si element formues ndërgjegjeje) u ka dhënë pjesën më të madhe të Kohës për të reflektuar, ata mbetën po ashtu: vemje lëpirës; rreshtuar në karvanë zvarritës kur krimbi i madh hap rrugën e verbërisë dhe të tjerët pas në këtë tunel egoizmi ku vrasësit e radhës presin dekoratën e mirënjohjes. Dhe nuk janë pak. Ndërgjegjja jonë e shkurtër që nuk mund të lind asgjë për gjeneratat që do të vinë sepse kërkojnë, nxiten të hyjnë në histori (thërresin edhe shërbëtorë për ta shkruar), kur ajo e shkruara e përditshme, cunguar, prerë, ngjyer në klithma revanshi, ku vdekja e njeriut të thjeshtë është përdorur si një tapet i sukseseve. Të ikurit mburren për plakun e lajthitur. Të ardhurit që kanë jetuar apo ndihmuar për lajthitjen tonë, pa më të voglën frikë dyshimi se janë mëkatarë të të njëjtit brumë historik premtojnë Rilindje duke pasur frikë të ndëshkojnë krimet e vërteta.

Thërrmije sovrani që i fshehin krimet njëri-tjetrit sepse me logjikën e thjeshtë të ndërrimit të pushteteve do të përsëritet e njëjta lojë. Ne jemi krejt të vegjël për të bërë gjera të mëdha.

Ne shqyem shalët në ecjen e njëzet e tre viteve, por nuk e fituam betejën me Moralin.

Kënaqemi me shtirjet tona hipokrite dhe po ashtu qetësisht apo me dhunë e mbjellim tek fëmijët tanë duke siguruar turpin ardhshëm në sirtarë moderne po hipokritësh e servilë.

Ne nuk mund të rrojmë dot pa hijen e liderit kur në kopshtin e shpirtit tonë Lirisë së vërtetë po i humbasin rrënjët.

Jetojmë në një sistem të lirë, por, po aq lirshëm, çdo ditë lartësojmë burgosjen e vlerave tona njerëzore nëpërmjet servilizmit, shtirjes, heshtjes, dhunës, shtypit gjersa nuk jemi më vetvetja.

Ky imoralitet shtohet çdo ditë sepse qëllimi në vetvete nuk është Rilindja e një Kombi (natyrisht do të jetë kjo Madhështia e Sovranit), por ekzistenca egoiste e tyre për të pasur pushtet, për të qenë të pasur, të pazëvendësueshëm edhe pse qelbin me vdekjen e tyre të gjallë.

Individi, i parë grimcuar në thërrimet e Sovranit, i pa përjashtuar filozifikisht e juridikisht, është pjella më e keqe, më e rrezikshme kur brenda tij është plagosur, vrarë, helmuar; ose zgjedhur vet prej tij ambicia egoiste e pushtetit vrastar mbi ëndrrën e lirë të një tjetri që me aftësinë e tij mundet vetëm të guxojë të jetë i lirë. Ky i fundit s’mundet dot për më shumë, ose për shkak të karakterit, ose për shkak të idealizmit, vegjeton me ëndrra.

Por pritja e gjatë sjell plakjen. Atëherë, para se të plaket në vegjetim, ikën, i përshtatet thërrimeve të helmëta të Sovranit, bëhet pjesë e bukës së hidhur për të kafshuar pjesën e vet të mbetur. Nuk po përmend emra në këto rreshta për thërrimet kanceroze të Sovranit. Hipokritët më buzëqeshin. Më buzëqesh edhe vrasësi im. Të Eturit e Sëmurë për pushtet apo të pafuqishmit për të shpëtuar vet Sovranin sillen armiqësor mes palëve për pushtetin e tyre. Kahet janë rreshtuar armiqësisht mes tyre, cinikë e pa moral, ku të gjithë pretendojnë Ndryshim e Rilindje kur brenda shpirtit të tyre Kalbëzim Moral lulëzon. Fatmirësisht ne na bashkon Sovrani si thërrime të tij. Fatkeqësisht thërrimet e qelbura brenda Sovranit vazhdojnë me po atë ritëm egoist ku Sovrani quhet i tillë (Sovran) vetëm kur thirret për të ndarë tortën që i duhet pushtetit të pamoralshëm…

Tortën e tyre. Pas kësaj Sovrani, (pa thërrmijat e tij kanceroze) gjersa të të vijë radha e tortës tjetër mbetet një turmë e pavlerë gati-gati “kokë palarë”. Ndërgjegjja e një Kombi, nuk është ajo që ndjejmë, por ajo që na serviret në mënyrën më idiote. Fatkeqësisht kështu! Megjithatë, për shkak të ciklit historik, të vështrojmë nëse do të kemi me të vërtetë RILINDJE!