Partizan MYFTARI/Kur ti, trokite nё shtёpinё time tё varfёr

1505
Sigal

Letër e hapur për zotin ILIR META

Herën e fundit që jemi dëgjuar bashkë  duhet të ketë qenë aty rreth vitit 2000. Edhe pse kisha gati katër vjet brenda në Romë tek mua nuk kishte ndryshuar asgjë. M’u përgjigje si i lodhur dhe unë arrita të kuptoja se ju ishit duke mbllaçitur diçka ne gojën tuaj të plakur. Dolën ca fjalë gjysmë të kafshuara dhe në fund më the: “Na, na, foli pak Fatos Nanos”.

Prej apartamentit ku fole, u dëgjuan të qeshura dhe dikush e mori telefonin tuaj duke kërkuar të imitojë Nanon.

Mbylla telefonin dhe mora një rrugicë të vjetër të Romës Antike. Këmbët më shpunë në sheshin e vjetër, ku në turrën e druve kanë djegur Xhordano Brunon. Ishte një fund pranvere, shatërvanët përreth fluonin një ujë të pastër që i rrëshqitej dritave të mbrëmjes. Miku im, një kritik letrar italian, më filloi të flasë për sheshin, për antikitetin e asaj plate, për zjarrin.

Por mua ato çaste po më digjte zjarri i madh i zhgënjimit që erdhi përtej detit.

Tashmë ti kishe marrë fuqi. Kishe filluar të bëheshe i pasur. Edhe unë fillova të hidhja hapat e parë për të gjetur pasurinë që më mungonte. Dijen, kulturën në një qytet si Roma.

Hapa edhe njëherë telefonin tim modest dhe fiksova në tru numrin tënd të atëhershëm:00355(38) 682031701. Kushëriri yt dhe shoku im H.Dashi më kishte dhënë edhe numrat e zyrës suaj tek Ministria e Jashtme. U kërkova, por nuk ishit asnjëherë…

Kur unë të ftova në shtëpinë time të varfër, atje në Vërzhezhë të Skraparit, atëherë në fushata elektorale, kishim pak kohë që njiheshim. Na lidhën idealet në Partinë Socialiste, në FRESH. Ti vije nga pluhuri melankolik i rrugicave të Tiranës, ende pa përfunduar studimet e larta, unë prej rrugës së përbaltur të fshatit tim, ku punoja si mësues gati një ore e gjysmë larg shtëpisë dhe ndiqja Universitetin, degën Gjuhë- Letërsi në qytetin e Elbasanit. Nëse ti kishe filluar të ndërtoje perandorinë e ëndrrave të tua si të bëheshe i pushtetshëm, unë, ndoshta me ëndrra më të pastra se ty, trokita në 99 fshatra të Skraparit për të mbjellë ëndrrën e ndryshimit. Në ato vite lindi pikërisht edhe shtrati i zhgënjimit tim për ty. Mënyrat se si  pështjelloheshin ndryshimet brenda teje, brenda  iluzionit, ku e qenësishmja nuk e dija se kishte themele të tjera. Shpresonim si të gjithë.

E unë luftoja me veten. Nuk doja ta besoja.

Kur ti trokite në shtëpinë time të varfër, babai im, ndjesë pastë, i kishte thënë vëllait tim : “Rrëmbeje shelegun! Në thikë! Vijnë shokët e djalit!” Pastaj iu drejtua të shoqes, mamasë sime (edhe ajo ndjesë të ketë) duke i thënë: “Grua, shpresojmë që djali të ketë zgjedhur shokë të mirë, të mirë që të dinë të paktën të bëjnë edhe muhabet!”

Eshtrat e këtyre fjalëve të babait tim edhe sot i kam të mbërthyer këtu në shpirt duke kujtuar ato ngjarje politike që rrodhën më vonë në Partinë tonë (PS), midis teje dhe meje, midis konceptit të idealit tënd edhe timit.

Ëndrrat tona u krisën dhe pastaj u ndanë. Unë zgjodha  mërgimin prej zhgënjimit, ti, nuk reshte me prapaskenat e tua të ngjisje shkallët e karrierës. Eee, posi! Pluhuri bulevardesk që i ishte ngjitur jakës së këmishës tënde s’kishte aspak lidhje me baltën e fshatit tim të lindjes.

Në Kongresin e parë të FRESH-it , kur u zgjodhëm anëtarë të Komitetit të Përgjithshëm, unë mësuesi i fshatit mora vota gati të barabarta me Pandeli Majkon, Ilir Zelën e Monikën tënde. Të nesërmen Enkel Demi shkruante kundër meje te një gazetë rinore republikane, duke të mos sulmuar aspak ty, por mua dhe Pandeli Majkon. Hipokrizia e Enkel Demit shkonte deri atje që babanë tim blegtor ta bënte sekretar byroje të PPSH-së si për të nxirë biografinë time.

Në Kongresin e dytë të FRESH-it ndodhi çudia më e madhe me ty, zoti Ilir. Nuk e dija që ti kishe menduar se unë duhej të mbahesha nën vëzhgim. Ti insistoje të zgjidheshe atë vit kryetar i FRESH-it, edhe pse mundësitë dhe shanset më të mëdha i kishte Pandeli Majko. Grupimi yt i kishte të gjitha çelësat në dorë. Nga sondazhet që bënin civilët e tu, kontrollonin edhe mënyrën e ndarjes së mandateve të delegatëve. Mua, edhe pse i zgjedhur, edhe pse në listën e delegatëve të Skraparit më lanë pa mandat votimi. Isha përkrahës i Majkos, për këtë më mirë të mos votoja. Maskara, si ty, u bëra edhe unë. Duke parë një nga ata civilët e tu që shpërndante mandate delegatësh nën dorë, duke e mashtruar se do të votoja për ju, ai ma mbushi direkt mandatin duke shkruar “Partizan Myftari”, pjesa tjetër ishte mbushur nga prapaskenat e kancelarisë tënde “Delegat i rrethit të Tiranës”. U ndjeva i fyer. Kishte nisur krisja e madhe tëndja me PS-në. Thirra kushëririn tënd H.Dashi , i tregova mandatin dhe haptas tij, votova për Pandeli Majkon. Brenda jush nisi sherri: “Kush ia dha mandatin atij”. Civili i Ilirit, tregoi: “Unë ia dhashë. Më tha se do të votonte për Ilir Metën. Biles ma piu edhe një birrë.”.

Këto që tregoj nuk kanë vlerë, por unë u jap rëndësi se si u skalit e u rrit karakteri yt brenda PS. Ti në Tiranë kishe shëtitur me xhinse moderne unë kisha hyrë me reportazhe gazetareske të vlerësuara nga  i ndjeri Astrit Nuri, me tregime që më vlerësonte Dritëro Agolli, me filozofinë narrative që e pëlqente shkrimtari i shkëlqyer Zija Çela, me fjalët e mira të studiuesit të madh Moikon Zeqo e me çmime kombëtare në fushën e gazetarisë. Unë Tiranës i vija dhe i ikja me fjalë, ti aty, përgatisje prapaskenat për pushtetin tënd.

Këtu u ndanë rrugët tona. Unë drejt lirisë sime të varfër, ti drejt pasurisë tënde i skllavëruar.

Atë ditë që u zgjodhe Kryetar i FRESSH-it, u bë edhe pak rrëmujë në kongres. Nga Pallati i Kulturës deri tek selia qendrore e PS-së, rrugën e bëra i vetëm me Prof. Servet Pëllumbin. Ai e kishte ndjekur gjithë kongresin, ishte i shqetësuar dhe kur e pyeta përse ndodhi kështu, ai m’u përgjigj: “Kjo është e gjithë dora e SHIK-ut”. U habita. E ç’punë kishte SHIK-u këtu?! Nga e mori vesh Servet Pellumbi se aty ishte dora SHIK-ut?! Për kë luhej ?!

As sot, nuk e di…

Atë mbasdite, ti zoti Ilir më ftove për kafe. Më dhe një leksion se si bëhet politika, më kërkove të rreshtohesha nga krahu yt. Kjo nuk më pëlqeu. Politika në mendjen time jetonte me të tjera dritare. I hapa edhe në bisedë me ty, por s’mund të të bindja. As ti mua. Ishte kafeja e përcjelljes.

Ti kishe filluar të lozje edhe brenda në PS. Kur unë drejtoja PS në Skrapar dhe shkruam një mocion revolte për disa veprime të gabuara të Nanos i solla në Tiranë. Një kopje ta lashë ty si deputet i zonës, një zotit Servet Pëllumbi, i cili me këshilloi se do të ishte mirë mos të flisnim me shtypin për këtë problem. E, çuditërisht të nesërmen ky mocion ishte botuar në një nga gazetat e pavarura. Kush e dha për botim?! Aty sulmohej Nano… E natyrisht mendja më shkonte tek ju. Ka dhjetëra e dhjetëra shembuj të tjerë të mënyrave tuaja se si e keni shfrytëzuar politikën me mënyra të pista e prapaskena për të pasur pushtet.

Kështu u rrite ti, për të mësuar politikën. Më vjen keq!

Si bir skraparlliu, duke pasur shumë rezerva, e, duke parë situatën e krijuar në Shqipëri muajt e fundit, të paktën bëj një gjë të mençur. Jep dorëheqje qytetarisht që Shqipëria mos të jetojë një 1997 të dytë. Ngrihu mbi moralin tënd dhe thuaj ndal ortakut Berisha si politikani më i paaftë dhe më dështaku në Shqipëri. Nuk kam durim të shkruaj më gjatë. As të të kujtoj të tjera aventura të tua. Si ish një nga themeluesit e PS-së në Skrapar, naiv, por i ndershëm  moralisht, edhe unë jam në grevë. Ka shumë arsye, por ti, ILIR META, e ke detyrim si politikan të mos marrësh nëpër këmbë, atë që në fillim e ëndërruam së bashku. Bëje edhe për fëmijët e tu që të ndjehesh i lirë. Bëje sot. Nesër do të jetë vonë. Jo vetëm për ty. Për të gjithë ne.