Pali Nito: Turizmi shqiptar më shumë prodhon tragjedi sesa relaks dhe kënaqësi…

214
Sigal

Ndonëse turizmi tek ne cilësohet dhe vlerësohet si sektor parësor në ekonomi si rrjedhojë e të ardhurave që krijon në lekë dhe valutë, për fat të keq turizmi në Shqipëri përherë e në vazhdimësi ka prodhuar më shumë tragjedi, lot, dhimbje, dëshpërim, hidhërim dhe trishtim pasi për shkak të papërgjegjshmërisë e të papërgjegjësisë qytetare, policore e ligjore janë krijuar shumë tragjedi që kulmoi me tragjedinë në plazhin e Potamit në zonën e Himarës: ku skafi lundrues që drejtohej nga i papërgjegjshmi, officer i policisë së shtetit, Arian Tase duke praktikuar manovra zbavitëse e me rrezikshmëri  të lartë aksidentoi për vdekje vogëlushen, ëngjëllushen shtatëvjeçare, Jonadën e vogël, që tronditi shpirtërisht familjarë , të afërmit e saj dhe mbarë shoqërinë tonë. Nuk e mohoj më që ngjarje e ndodhi të tilla ndodhin edhe në rajon, Europë e më gjerë, por ndaj atyre që shkaktojnë tragjedi me pasoja fatale vepron dhe godet ligji me ashpërsinë maksimale, ndërsa tek ne shkelësve të tillë nuk u hynë gjëmbë në këmbë. Dhe paradoksalisht e si për ironi të fatit, kryeministri Rama përmes një postimi në Tëitter ka deklaruar publikisht se ky është sezoni turistik më i organizuar , më i rregullt e më i pastër si asnjëherë tjetër duke vazhduar më tej se ishte edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë , por nëse është kështu si deklaron kryeministri ynë natyrshëm lind pyetja: Nëse është ashtu si deklarohet atëherë përse tragjedi të tilla ndodhin dhe pasojnë njëra-tjetrën në mënyrë recidiviste ?! Këtu do të përmend polumbarin rus që e griu dhe e bëri copë e çikë helika e motoskafit si dhe turistin polak dhe katër turistë rusë të gjetur pa jetë e në mënyrë misterioze dhe enigmatike në pishinën e një hoteli luksoz në Golem, por kujtoj dhe njëherazi theksoj se kulmin e tmerrshëm tragjik e të paprecedentë e përbën tragjedia e Himarës. Ngjarje të tilla të shpeshta e të përsëritshme e me pasoja fatale janë të shumta e veçanërisht për një vend të vogël si ne e me resurse të kufizuara, njerëzore, materiale, ekonomike e financiare.

Dikur e vlerësonim shumë jetën e njeriut, madje e cilësonim jetën e njeriut si kapitalin më të çmuar, ndërsa në ditët e sotme jeta e njeriut është çvlerësuar tejskajshmërisht duke u pasuar me vrasje pas vrasjesh madje edhe për çështje krejt banale. Është paradoksale që ngjarje të tilla të paprecedenta kanë për autorë oficerë e funksionarë të policisë së shtetit siç ishte rasti i fundit tragjik që ka për autor një funksionar të policisë së shtetit. Edhe ngjarje të tjera kriminale si kultivimi, përdorimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike si hashash, heroinë , mariuanë deri edhe kokainë ku janë implikuar edhe funksionarë të policisë së shtetit. Rasti tragjik, që i mori jetën vogëlushes Jonada tregoi qartësisht dhe ashiqare se turizmi në Shqipëri po prodhon më shumë tragjedi e lot në sy, trishtim, shqetësim dhe pasiguri sesa relaks dhe kënaqësi. Personalisht si studiues dhe publicist dhe si ish-kuadër i lartë i ushtrisë do të sugjeroja dhe rekomandoja që ngjarje e ndodhi të tilla tragjike të mos politizohen, por të ketë një bashkëpunim efektiv dhe dobiprurës midis pozitës dhe opozitës dhe shoqërisë civile pasi rastet tragjike me pasoja fatale për jetën e njerëzve nuk parandalohen e minimizohen me protesta e revolta, por me një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv midis mazhorancës dhe opozitës dhe shoqërisë civile dhe politika opozitare të mos fërkojë duart e t’i shfrytëzojë rastet tragjike për kapital politik e të mos luajë me fatkeqësitë e qytetarëve që i përjetojnë me dhimbje e trishtim këto ngjarje.

Pali Nito