Pali Nito: Shkolla duhet të ketë në fokus cilësinë e mësimdhënies, rregullin dhe disiplinën

260
Sigal

E ardhmja e një kombi varet para së gjithash e mbi të gjitha nga arsimi dhe dituria e shoqërisë dhe brezave që pasojnë njëri-tjetrin. Çdokush që nënvlerëson arsimin dhe diturinë dhe çdokush që ka dije dhe arsimim të mangët është tamam si një njeri që nuk sheh e dëgjon e që ka humbur shqisat e të parit dhe të dëgjuarit. Është një fakt i pamohueshëm dhe po kaq i trishtueshëm, i dhimbshëm dhe aspak i dëshirueshëm që jo pak fëmijë që megjithëse kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare mezi shkruajnë  e me vështirësi  lexojnë. Dhe shkak për këtë dukuri negative është para së gjithash cilësia e dobët e mësimdhënies, kërkesa dhe disiplina e dobët, pra kjo tregon se shkolla me cilësinë e dobët të mësimdhënies nuk jep aspak njohuritë e duhura, por thjesht dhe vetëm një diplomë të sakatosur dhe të mangët, thjesht dhe vetëm si  fasadë e relike pa vlerë, që nuk i shërben askujt dhe për asgjë. Është fakt që nuk mund të kundërshtohet realiteti i trishtueshëm dhe i prekshëm dhe po kaq i pakëndshëm që kemi një përqindje të konsiderueshme fëmijësh që janë analfabetë dhe është paradoksale dhe e papranueshme që në shekullin e 21-të, pra në shekullin e modernizimit, përparimit e progresit në të gjitha fushat të kemi fëmijë analfabetë. Është vërtetë e pajustifikueshme që fëmijët kanë braktisur jo vetëm shkollën, por edhe librin artistik e që nuk e dinë se ku është biblioteka e qytetit pasi janë fokusuar kryesisht tek ekrani i televizorit , tek celularët dhe lojrat e ndryshme kompjuterike duke u qëndruar atyre sipër me orë të tëra. Si intelektual dhe si ish-kuadër i lartë ushtarak dhe si studjues e publicist frekuentoj rregullisht bibliotekën e Tiranës dhe ajo që më ka rënë në sy e që njëherazi më befason dhe më çudit e më trishton tejskajshmërisht është fakti që në bibliotekë shikon frekuentues dhe lexues të librit shumica qytetarë të moshës së tretë dhe rrallë e tek-tuk mund të shohësh ndonjë të ri apo të re në bibliotekë për të mos thënë hiç fare. Në lidhje me këtë problem, filozofi dhe mendimtari Aibek ka thënë: “ Librat mbledhin margaritarin e mendimit njerëzor dhe ua japin njerëzve”, pra nga kjo thënie brilante del nevoja dhe domosdoshmëria e frekuentimit të bibliotekës për leximin e librit pasi libri është lexues dhe edukator e që duhet respektuar e shfrytëzuar maksimalisht nga qytetarët. Është e vërtetë që librat nuk janë mobilje dhe është kaq e vërtetë dhe e pamohueshme pasi asgjë më mirë më bukur e më këndshëm se ato nuk e mobilojnë, stolisin dhe zbukurojnë ambientin e shtëpisë. Gjithashtu, ecuria normale e aktivitetit mësimor kërkon domosdoshmërisht disiplinë dhe rregull absolut në shkollë, pasi asgjë e keqe nuk të vjen nga disiplina, rregulli dhe kërkesa e lartë e llogarisë çka në këtë rast kërkon jo celularë dhe cër cër të zileve të celularëve në klasë si dhe veshje normale dhe serioze të nxënësve dhe jo veshje liberta me gjokse dhe shalë të zbuluara që i kemi parë te emisioni Përputhen e në emisione të tjera erotike, që si për ironi të fatit janë të shpeshta, të rëndomta e krejt banale e po kaq bajate saqë kanë fituar tashmë të drejtën e qytetarisë. Së fundmi mendoj se e rëndësishme për mbarëvajtjen e proçesit mësimor dhe edukativ është krijimi i raporteve të drejta midis mësuesve dhe nxënësve e që nxënësit të tregojnë e demonstrojnë më tepër respekt, dashuri e mirënjohje për mësuesit pasi prej mësuesve nxënësit marrin dituri, edukim, mësimdhënie cilësore dhe qytetari për të gjithë e papërjashtime.