Një shembull i ndikimit serb në raportimin për Shqipërinë në mediat e mëdha ndërkombëtare

281
Sigal

Kastriot Myftaraj

Në 9 qershor gazetari i “Reuters: Fatos Bytyçi raportoi nga Prishtina për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta. Lajmi është edituar nga një serbe Ivana Sekularac.
Pikësëpari lexoni fjalinë e fundit të këtij lajmi të agjencisë “Reuters”, me raportim nga Prishtina, nga gazetari Fatos Bytyçi;
“Meta hyri në politikë në 1999 kur u bë kryeministër në moshën 30 vjeç.”
Ky Fatos Bytyçi, me rastin që po raportonte shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë së paku të kishte marrë mundimin për të parë jetëshkrimin politik të tij.
Meta nisi karrierën politike shtatë vite para se të bëhej kryeministër. Në 1992 u zgjodh për herë të parë deputet, në 1993 nënkryetar i Partisë Socialiste, në 1998 u bë zëvendëskryeministër.
Në raportimin e Fatos Bytyçit ka edhe të dhëna të tjera që përbëjnë lajm të rremë. Kështu ai thotë se: “Meta ka qenë së fundmi kryetar i një partie të vogël opozitare, LSI.”
Në të vërtetë Meta para se të bëhej President ishte kryetar i një partie që ishte në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste të kryeministrit Rama. Meta u zgjodh President në sajë të votave të partisë së kryeministrit Rama, një fakt që mungon në raportim.
Nuk dihet nëse ka qenë ky Bytyçi që nuk e ka thënë në raportim se Presidenti Meta ka akuzuar publikisht Kryeministrin Rama si njeri të Beogradit, apo këtë detaj e ka hequr Ivana Sekularaci. Gjithsesi raportimi është bërë ashtu sipas shijes së Beogradit.
Mediat e Kosovës kanë pasur të parat detyrim të shprehen për këtë ngjarje sepse raportimi u bë nga Prishtina, nga një gazetar kosovar. Por ato heshtën. Së paku dikush ta pyeste këtë Bytyçin për bëmën e tij.