Ngjyra e detit dhe Vangjush Mio

748
Sigal

                 

Qerim Vrioni

    

Nisja e punës nga studiuesja Suzana Varvarica Kuka për një monografi mbi jetën dhe krijimtarinë e piktorit të njohur të natyrës shqiptare, Vangjush Mio, më ngacmoi kujtesën mbi një takim të rastësishëm, me artistin e shquar të penelit. Kjo ka ndodhur para më tepër se pesëdhjetë vitesh. Aso kohe banonim me familjen në lagjen Uji i Ftohët të Vlorës e, ne si çuna 13-14 vjeçarë, shpesh herë pasditeve luanim futboll në ranishten e lagur buzë detit (pak më vonë ajo u bë “Plazhi i ri” i qytetit). Si zakonisht, dhe atë ditë ishim po ai grup djemsh, ndër ta im vëlla Luani, Mexhiti, Babaçja i Xhemaliut, unë e…, s’mbaj mend se kush tjetër. Aty nga mbarimi i lojës, na tërhoqi vëmendjen një burrë me syze e kasketë të bardhë që po pikturonte me ngjyra vaji, mbi një telajo të vendosur në një trekëmbësh prej druri. Pamja e zgjedhur prej tij kapte dhe një pjesë  të bregut, atje ku ai puthej butësisht me detin. Pranë, në një fron të vogël prej rrobe, nga ata që mbyllen, ishte ulur një vajzë. U afruam dhe i hodhëm një sy peizazhit që kish nisur të merrte formë mbi kanavacë. Ai, po përfshinte gurishten a zhavorrin me zeje të bardhë si vezët, mu aty ku mbaron bregdeti ranor dhe fillon bregdeti shkëmbor i Jugut, Rrapin e Ferrit (një rrap shekullor që u vetrrëzua në një mesnatë nga pesha e moteve pak kohë më parë dhe i kishte dhënë emrin një pjese të mirë të lagjes, emër që e mban edhe sot), 2-3 shtëpi dykatëshe, Kampin e Punëtorëve me shkëmbin e tij të gjelbëruar që bie thikë mbi rrugë, pak Karaburun e, natyrisht edhe detin bashkë me qiellin. Panorama ishte vërtet tërheqëse, sidomos afër perëndimit, kur dielli ulej i lodhur mbi det dhe krijonte dritë-hije interesante e të ngrohta. Kureshtja na shtyu dhe pyetëm vajzën për emrin e piktorit e, ajo me zë të ulët tha se, quhej Vangjush Mio. Çuditërisht, emri nuk ishte fare i panjohur për ne. Piktori na hodhi  një sy të heshtur, por miqësor të shtuar dhe me pak buzëqeshje dhe, vazhdoi punën. Si kreu vizatimin e peizazhit me laps, nisi të hidhte ngjyrat, fillimisht nisi të shtrinte detin, po nuk e përfundoi, diçka në të nuk i pëlqeu dhe përdori disa nuanca të tjera ngjyrash për herë të dytë. E la detin e filloi me të bardhat dhe jeshilet për gurët dhe bimësinë, mandej iu kthye sërish atij, por “deti” i tij edhe këtë radhë nuk e kënaqi. Seç kish diçka që s’po e kuptonte, sapo e përfundonte të paktën si gamë, deti merrte ngjyrim tjetër. Kishte pikturuar kaq herë liqenin e Pogradecit, madje dhe fotografuar mjaft, por nuk i kishte ndodhur kjo gjë. Rrinte i menduar e shihte herë detin e Vlorës, herë të “tijin”. Hidhte ca penelata tek pjesët e tjera të tablosë e, kthehej rishtas te deti. E ndryshoi për herë të tretë gamën, tashmë ndoshta dhe pak i nervozuar. Duke menduar se prania jonë ishte e tepërt, qëndruam dhe pak e, u larguam prej aty, duke e lënë artistin në botën e tij, por dhe me diçka të re që e treguam në shtëpitë tona si të veçantën e ditës. Pak kohë më vonë, dëgjuam se piktori Vangjush Mio, kish ndërruar jetë, njoftim që u dha nga Radio-Tirana dhe shtypi i atëkohshëm, duke e cilësuar ikjen e tij të përhershme e disi të papritur, si “një humbje të madhe për artin dhe kulturën tonë”. Lajmin për shuarjen e njeriut që kishte pikturuar Ujin e Ftohtë, e biseduam gjallërisht me shokët, duke ndjerë kënaqësi se e kishim parë atë fare nga afër kur punonte, fat që sipas nesh, nuk i ishte dhuruar kujtdo. Për këtë ndjenim krenari, krejt të natyrshme për ne, thua se ishim pjesëmarrës aktivë në një ngjarje të veçantë. “Takimin” ose më mirë, praninë time gjatë punës së peizazhistit të njohur e kam kujtuar, thuajse sa herë që përmendej emri i tij, por njëkohësisht të shoqëruar nga kureshtja e madhe e përherë në rritje për ta parë të përfunduar pikturën, por sidomos detin, detin tonë. Monografinë për Mion që shkroi piktori Vangjush Tushi, rreth viteve ’70, e shfletova me nxitim, se mos shihja peizazhin e Ujit të Ftohtë, por më kot. Fillova, ta përfytyroj si në mjegull panoramën të përfunduar e të hedhur në telajo. Për këtë, imagjinatën time e ndihmonin dy gjëra. Pamjen e zgjedhur nga piktori e njihja fare mirë, më kish dalë përpara, pak të thuash me mijëra herë dhe, e dyta, me kalimin e viteve, duke shikuar punë të tjera të Mios, nisa diçka ta njoh e dalloj nga të tjerët edhe “penelin” e tij. Kështu, gjatë kërkimeve të mia të herëpashershme për të gjetur e shikuar, në ndonjë mur ekspozite apo faqe albumi a libri, peizazhin e lagjes time, dalëngadalë e, si padashur edhe unë po e “krijoja” në parafytyrimin tim tablonë nga Uji i Ftohtë, por tashmë jo me ngjyra vaji…. Në çdo përçapje për ta gjetur “atë“ të Mios, mbaja parasysh “peizazhin tim” e, si pavetëdije, prisja që ta ballafaqoja me të parin. Kisha një farë sigurie se, dy visaret, në mos  binjake, të paktën motra, do ishin me njëra-tjetrën. Çelja, në vitin 2006 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e ekspozitës më të madhe të gjithë krijimtarisë së Vangjush Mios, më ngjalli shpresa të shumta se më në fund do ta shihja pikturën. Madje, kisha vendosur ta prekja lehtë me majat e gishtave (si diçka të humbur e të sapo gjetur)  atë punë që e kisha shikuar duke u krijuar në çastet e para, por edhe ëndërruar gjatë. Besoja se do ta “takoja”, edhe sepse, ishte njoftuar se në atë veprimtari, do paraqiteshin për herë të parë edhe punime të tij që nuk ishin ekspozuar ndonjëherë. E kalova fluturimthi e pafrymë gjithë ekspozitën në të dy katet e galerisë…por përsëri jo, “peizazhi im” (kishte kohë që ishte bërë “i imi”), nuk dukej gjëkundi. Pyeta, disi i shqetësuar dhe i habitur për të, por përgjigjja ishte e thatë, e prerë, goditëse, nuk është.  I “këputur” nga përgjigjja, përsiata gjatë, ato çaste e më pas,  për fatin e atij kuadri. Ku do të jetë ajo pikturë që më kishte munduar prej mjaft kohësh duke e kërkuar? Mundësitë ishin të shumta, e pambaruar, e prishur, pikturuar diçka tjetër  mbi atë telajo,  e vjedhur, e shitur jashtë shtetit, pronë e ndokujt që nuk i di vlerën apo e strukur diku në errësirë e braktisur dhe harruar etj, etj. Rëndësi për mua kishte, se ende nuk po e shihja dot peizazhin e dashur të lagjes time. Kjo ndodhi rreth gjysmë shekullit larg nga koha kur “Pamje nga Uji i Ftohtë“ (titulli që sipas meje do t’i kishte vënë piktori) ishte krijuar nga Mio. Ndërmjet kaq viteve, duke menduar e përsiatur shpesh për të, dalëngadalë, sikur e kisha “pikturuar” dhe unë. Madje, kisha bindur veten se punimi  i krijuar nga unë, për një kohë të gjatë me fantazinë time, do të ishte thuajse kopje me të parin, me atë që do kishte dalë nga dora e artistit. Vetvetiu, i lodhur nga kërkimet e pafrytshme, më në fund, e “pikturova” në vetëdijen time (dhe e ”përfundova” se ndoshta piktori s’e kish arritur këtë), e futa brenda një kornize të praruar “e vendosa” në një mur të zgjedhur të përfytyrimit tim. Në murin ku vura “peizazhin tim” nuk ekspozova asnjë punim tjetër. Prej disa kohëve, “Pamje nga Uji i Ftohtë“ qëndron aty vetëm dhe, unë e shoh me lehtësi e kënaqësi sa herë përmendet emri i piktorit të madh të peizazhit shqiptar, Vangjush Mio.