Nga Beqir Sina/ Shtetet e Bashkuara do të heqë grupin rebel kolumbian FARC nga lista e zezë

94
Sigal

Nga Beqir SINA – New York

UASHINGTON, 23 nëntor- Administrata Biden po përgatitet të heqë grupin rebel kolumbian FARC nga lista e zezë (Blacklist) amerikane e organizatave të huaja terroriste, pesë vjet pasi rebelët nënshkruan një marrëveshje paqeje me Bogotën, thanë të martën dy persona të njohur me këtë çështje, të paktën kështu njofton Reuters. Simbas axhensise prestigjoze të lajmeve Reuters, thuhet se Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi Kongresin të martën për heqjen e planifikuar të Forcave të Armatosura Revolucionare të majta të Kolumbisë, të njohura me akronimin spanjoll FARC, dhe një njoftim zyrtar sipas saj nga Shtëpia e Bardhë, pritet në ditët në vijim. Heqja e përcaktimit Grup terrorist mund të ndihmojë në çlirimin e ndihmës së SHBA-së për projektet që përfshijnë ish-rebelët dhe të forcojë marrëveshjen në përgjithësi me një demonstrim të mëtejshëm të mbështetjes së SHBA-së, theksonë media amerikane. “Ne kemi filluar procesin e konsultimit me Kongresin për veprimet që po ndërmarrim në lidhje me FARC,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, në një konferencë për shtyp, duke shtuar se do të ketë më shumë detaje në ditët në vijim. Ai nuk pranoi të specifikonte nëse kjo do të nënkuptonte heqjen e FARC nga lista e zezë e terrorizmit, por tha se administrata Biden ishte e përkushtuar për “zbatimin dhe ruajtjen” e marrëveshjes së paqes së Kolumbisë. FARC arriti një marrëveshje paqeje me qeverinë kolumbiane në vitin 2016, duke i dhënë fund pjesës së saj në konfliktin e brendshëm të armatosur prej dekadash të vargmalit të Andeve, i cili ka lënë miliona të zhvendosur dhe më shumë se 260,000 të vdekur. Marrëveshja e 2016, u negociua me mbështetjen e atëhershme të SHBA-së, Administratën e Presidentit Barack Obama, në të cilën Joe Biden athere shërbeu si zëvendëspresident. FARC u cilësua për herë të parë si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara në tetor 1997, dhe u dizenjua në Listën e Zezë. Pas demobilizimit, guerilët hynë në politikë, duke e quajtur fillimisht veten Forca e Përbashkët Alternative Revolucionare, duke mbajtur akronimin e FARC, më pas u riemërtua si Comunes. Udhëheqja e partisë mori 10 vende në kongres pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes. Marrëveshja e paqes është përfshirë me sfida, duke përfshirë vendimin e disa ish-komandantëve – të cilët argumentuan se pakti nuk po përmbushej – për t’u kthyer në armë, si dhe vrasjet e rreth 300 ish-anëtarëve të FARC në të gjithë vendin, sipas informacioneve vendasve – grupi i avokimit Indepaz. Qeveria kolumbiane, një nga aleatët më të ngushtë të Uashingtonit në Amerikën Latine, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Biden u takua me presidentin kolumbian Ivan Duque për herë të parë në margjinat e një samiti ndërkombëtar të klimës në Skoci në fillim të këtij muaji. Nuk dihej nëse ata diskutuan perspektivat për heqjen e FARC nga lista e zezë Vendimi i administratës Biden u raportua fillimisht nga The Wall Street Journal dhe u konfirmua për Reuters nga dy burime të njohura me këtë çështje, duke përfshirë një ndihmës të Kongresit. Ndër argumentet për heqjen nga lista ishte se ish-anëtarët e FARC tani janë të përfshirë në kaq shumë aspekte të jetës politike dhe ekonomike kolumbiane, saqë ishte e vështirë të jepeshin disa lloje të ndihmës amerikane për shkak të kufizimeve të vendosura nga lista e zezë, tha një nga burimet amerikane. Siç dihet Grupet në listën e zezë përballen me ngrirjen e aseteve të SHBA-së dhe ndalimin e amerikanëve që të ofrojnë ndihmë ose të bëjnë biznes me ta.