Nesip KAÇI/ Refleksion për vizitën në Beograd

534
Sigal

*Ish-ambasador

 U bë rreth dy muaj që media e shkruar dhe ajo elektronike hapën debate të gjata për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Beograd. Shumë prej tyre mendoj se u treguan të nxituar kur e motivuan të nisur nga dëshira për protagonizëm në rajon, për të luajtur një rol aktiv në politikën ballkanike, neglizhoi rregullat e politikës së jashtme me një amatorizëm të tejskajshëm, nuk pati një platformë të strukturuar dhe objektiva të qarta por u krye në bazë të dëshirës së “ One man show”, që e vuri diplomacinë në shërbim të elektoratit për t’u prezantuar si lider i shqiptarëve për rikthimin e krenarisë së tyre për t’i dhënë  pikë vetes, nuk është njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës së jashtme, e të tjera, e të tjera. Deri këtu, boll se na prekët dhe na emocionuat. Këto që u thanë më lartë janë klishe diplomatike, mësimdhënëse për një auditor akademik, por jo më shumë. Në analizën e kësaj vizite ka shumë për të thënë po të shihen gjërat me bon sens. Analistët duhet të jenë të zhveshur nga mëritë dhe pozicionet partiake, nga sherrnaja e politikës së brendshme dhe të udhëhiqen nga interesat e kombit. Jashtë interesave të kombit dhe korifeu më i mirë i diplomacisë pëson fiasco, sado kompetent që mund të jetë. Këtë vizitë e mbështetën ndërkombëtarët, se ishte në sinkron me politikën amerikane në rajon dhe me projektin gjerman për Ballkanin, për europianët ishte një lëvizje me vend, Brukseli e cilësoi kontribut në Ballkan, Departamenti i Shtetit e quajti vizitë pozitive, ambasadorët e Kuintit: vizitë historike. Pra vlerësimi për këtë vizitë dhe nxitjen e dialogut në rajon është rritur, vizita ishte në kohën e duhur dhe shtyrja e saj do të ishte kohë e humbur. Serbia  nuk e pranon këtë rol të Shqipërisë në proceset integruese në Ballkanin Perëndimor, por kjo dihej dhe pritej. Serbët nuk e kanë përtypur dot atë që dolën humbës nga gjithë ajo çka bënë në ish-Jugosllavi, ata i dënoi e gjithë bota dhe nuk pranojnë dot përgjegjësinë e tyre. Sot, serbët duan të vënë kushte por ai që e humbet luftën nuk mund të vendosë kushte, ato i vendosin fitimtarët që është NATO dhe UCK-ja. Tensionin në Serbi përdoret nga partitë politike për marketing të brendshëm dhe nuk mund t’u faturohet shqiptarëve. Psikozën serbe në Ballkan mund ta shpjegojmë vetëm ne, ata janë nacionalistë të stazhionuar në vite, shqiptarët e Kosovës e dinë se çfarë kanë hequr prej tyre. Le të vijmë në planin kombëtar. Shqipëria është në NATO, ka një peshë në Ballkanin Perëndimor dhe një rol aktiv në rajon. Më mirë se sot kombi shqiptar nuk është ndjerë asnjë herë në historinë e re. Kosova është e lirë dhe e pavarur, kjo është fitorja më e madhe e kombit tonë, është shpërblyer dinjiteti dhe qëndresa e tij heroike shekullore. Serbët për Kosovën i kanë ngurtësuar pozitat e tyre duke mbajtur qëndrim ekstrem. Uthulla e fortë dëmton enën e saj, sepse Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, e ligjësuar nga gjykata ndërkombëtare dhe e njohur deri sot nga 110 shtete të botës, nga SHBA dhe fuqitë më të mëdha europiane. Sot ka “analistë“ në Shqipëri që  përpiqen t‘i barazojnë masakrat dhe genocidin e serbëve me nacionalizmin shqiptar, këto janë poshtëruese për shqiptarët, kjo është kundra rrymës dhe këtë e bën vetëm një “analist“ shqiptar kondrapedal, që meriton t’i thuhet specie në zhdukje. Vizita në Preshevë ishte një vlerë e shtuar. Liria dhe të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit janë të pa prekshme, po shkrijnë akujt, të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë të jenë të nivelit të serbëve në veri të Kosovës, pikat po vihen mbi “i“. Për herë të parë dilet para serbëve me dinjitet kombëtar. Asnjë shqiptar nuk mundet të pranojë për asnjë lloj arsye të trajtohet si inferior. Edi Rama guxoi t’u thotë në shtëpinë e tyre si burri burrit: jemi të barabartë, t’i thuash gjërat siç janë dhe jo t’i mbulosh me shoshë është çështje karakteri. Në një Serbi ku akoma nuk është kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, ku vazhdon ende fryma e urrejtjes për shqiptarët dhe ku Millosheviçi konsiderohet si hero, e folura drejtpërdrejt e Edi Ramës në Beograd ishte gjëja më e duhur që u bë. U hap një kapitull i ri midis dy vendeve. Edi Rama foli ballëlartë, si përfaqësues i një kombi të madh dhe shumë të vjetër në Ballkan. Kjo është një e vërtetë e madhe dhe e pamohueshme, pse të mos krenohemi për këtë. Boll me diplomacinë e strucit me fqinjët, me serbët u vendos një cak i ri. Këtu qëndron suksesi i kësaj vizite, u fol pa dorashka, pa e fshehur të vërtetën.. Serbia duhet të njohë Kosovën, ta shikojë si fqinje, të mos bjerë pre e sindromës së brendshme, sindromës së egoizmit. Ne shqiptarët nuk mund të  ç’ bëhemi, nuk mund t’i themi të bardhës e zezë dhe të zezës e bardhë, këtë e bëri qartë Edi Rama në Beograd, kjo nuk është në karakterin tonë. Kur politika nuk është e zonja, i deformon gjërat. Paqja në Ballkan është e brishtë, lumenjtë e gjakut nuk i harrojmë por gjenerata e re e politikanëve në Ballkan duhet ta pranojë Kosovën një realitet, Kosova nuk është Serbi. Në Beograd këtë herë Edi Rama komunikoi qartë dhe pa ekuivok qëndrimin e Shqipërisë, synimi i saj është Europa e madhe dhe paqja e qëndrueshme e stabiliteti në Ballkan. Vizita ishte historike në kushte të reja historike, ajo e vuri theksin në plagën serbe, njohjen e Kosovës nga Serbia duke ua thënë hapur dhe shqip, se Kosova është faktor i politikës ballkanike, marrëdhëniet Shqipëri –Serbi nuk mund të zhvillohen duke fshehur problemin e Kosovës.