Naum Prifti/ Kush e filloi luftën civile në Shqipëri: Partia Komuniste apo Balli Kombëtar?

874
Prej disa kohësh vazhdon diskutimi në shtypin shqiptar sidomos nga ithtarët e Ballit Kombëtar të cilët shkojnë deri atje sa të pohojnë se nuk ka pasur aspak luftë nacional-çlirimtare por vetëm luftë civile midis komunistëve dhe ballistëve. Vërtet midis tyre ka pasur ndeshje me armë dhe beteja por detyra jonë është të gjurmojnë të vërtetën historike se kush e filloi luftën civile në Shqipëri? Faktet historike tregojnë se luftën civile në Shqipëri e nisën ballistët dhe jo komunistët. Mjafton të marrim në shqyrtim vrasjet politike që ndodhën në vendin tonë nga viti 1942 deri në vitin 1944. Balli Kombëtar vrau në Tepelenë dy përfaqësues të lartë zyrtarë sikurse Lele Koçin dhe një personalitet tjetër të cilit s’po ia kujtoj emrin. Të dy ata komunistët i cilësuan dëshmorë të luftës dhe kaq i vërtetë është ky fakt sa Vito Koçin, djalin e Vito Koçit e dërguan për studime të larta në Rumani ku ai u diplomua për inxhinieri pyjesh dhe për shumë vjet ishte një nga specialistët më të mirë në fushën e pyjtarisë të Ministrisë së Bujqësisë. 


Seria e vrasjeve politike u shtri edhe në krahina të tjera. Në rrethin e Kolonjës një ballist vrau në zyrën e tij nënprefektin e Kolonjës, Sotir Priftin, i cili erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur atdheu u bëri thirrje bijve të tij të punonin për atdheun. Atëherë u kthyen shumë mërgimtarë të cilët punuan si arsimtarë nëpër fshatrat e Kolonjës dhe të Korçës sikurse Kiçon Prifti, Kostë Cerja, Spiro Rupi etj. Ballistin që ekzekutoi nënprefektin e rrethit Sotir Prifti një nëpunës të devotshëm dhe paqësor e akuzuan se gjasme përkrahte komunistët. Ekzekutorit të tij nuk i hyri gjemb në këmbë. Jo vetëm që shefat e Ballit Kombëtar nuk i kërkuan llogari për atë vrasje, por ka mundësi t’i kenë rrahur krahët për atë vrasje, çka lejon të kuptohet se ata e kishin dërguar vetë. Ballistët goditën për ta vrarë Kolë Mingon nga Borova kur po kthehej në fshatin në rrugën midis Ersekës dhe Borovës të akuzuar si aktivist komunist. Tregojnë se Kolë Mingoja i plagosur vazhdonte të këndonte hymnin e kavalerisë së Kuqe “Fusha, ju fusha! Fusha ju të gjera fusha! Ja kavaleri e kuqe po kalon. Ndërsa po e çonin në spitalin e Korçës. Ballistët vranë në Ersekë dy zanatçinj të kooperativës së artizanatit me dy plumba kokës se gjasme ishin simpatizantë të komunistëve në zonën e tyre të Gërmenjit. Ekzekutori as u kap, as u dënua si vrasës. Këto fakte tregojnë qartë se vëllavrasjen e filluan ballistët, ndërsa komunistët më vonë e bënë qëllim të luftës së tyre luftën kundër ballit kombëtar të cilësuar si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të armikut fashist. Kjo qe tragjedia e luftës, shqiptarë që luftonin kundër shqiptarë dhe vrisnin njëri tjetrin pa mëshirë me etiketime sipas midesë së udhëheqësve në të krahët! Shkurt mund të thuhet se luftën vëlla vrasëse e filloi Balli Kombëtar dhe e përfunduan komunistët!
Sigal