Miltiadh M. Muçi: Modeli i pushtimit të Bregdetit vazhdon

141
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Po për ngjarjen e Drimadhes, përse nuk intervistuan të informojnë publikun, çfarë ndodhi me shezllonet e djegur?

-24 orë pas ngjarjes së Velipojës, ndodhi ngjarja në Dhërmi, në plazhin e Drimadhes

– Që në fillimin e sezonit turistik duheshin shkatërruar ndërtimet pa leje në toka të pushtuara

– Në Velipojë, për shkak të vendit të shezlloneve, pati katër viktima dhe fajtorë janë përfaqësues të pushtetit     

Thuajse ka dy vjet kur ndodhi ngjarja e Qeparoit me “biznesmenin” Mihal, që tmerroi turistin spanjoll. Të gjithë u prononcuam, por pushteti, shkaktarët i shikonte tek ata që kanë zaptuar bregun e detit, dhe jo tek përfaqësuesit e tij, të ngarkuar për të administruar këtë pronë publike. Ndërsa kryeministri Rama, që  vendosi dhe mbajti për pesë vjet drejtor mikun e tij të afërt, njoftoi se, “në vitin 2020, do të nisë digjitalizimi i vijës bregdetare, që do të përmirësojë monitorimin dhe respektimin e kritereve ligjorë, për përdorimin e saj, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërorë e privatë, lënien e plazheve publike pa pagesë dhe kryerjen e veprimtarive turistike në zonën bregdetare”, atë që në pesë vjet, nuk e bëri ish-Drejtori i Agjencisë së Bregdetit. Kështu, kryeministri justifikohet vazhdimit, për të kaluar momentin që ndodh ngjarja, por aksioni i ditëve të para të qershorit tregoi se, ”bëri një vrimë në ujë”, thotë populli. Në fillimin e sezonit turistik do të shkatërronte ndërtimet pa leje në toka të zaptuara, kur duhej të merrej me sigurinë publike.

Nuk e mendoja se pas dy vitesh do të kujtonim ngjarjen e Mihalit të Qeparoit, zaptuesit të bregut të detit. Ja që digjitalizimi i vijës bregdetare, për përmirësimin dhe respektimin e kritereve ligjorë, jo vetem që “telashet” nuk i pakësoi, por u shtuan dhe sollën pasoja. Në një mënyrë tjetër si pasojë e “digjitalizimit”, brenda 24 orëve të ngjarjes së Velipojës, ndodhi ngjarja në Dhërmi, në plazhin e Drimadhes. Në Velipojë, për shkak të vendit të shezlloneve solli katër viktima dhe fajtorë janë përfaqësues të pushtetit, institucionet e turizmit, në veçanti të Agjencisë së Bregdetit. Sezoni kishte nisur, ndërsa hapësirat private, nuk ishin kontraktuar. Ngjarja fillesat i kishte në paradite dhe pas 12 orësh, ndodhi “kasaphana”, ndërsa  punonjësit e policisë nuk kishin informacion, ose e kishin dhe nuk e vlerësuan të parandalonin. Më falni ta quaj “kasaphanë” atë që ndodhi në Velipojë, por e tillë mbetet. Në pazhin e Drimadhes u dogjën gjashtëdhjetë çadra dielli.

Pushtetarët vazhdojnë të bëjnë propagandë, edhe kur ka ngjarje të tilla të rënda me disa viktima. Çfarë pret televizioni pranë qeverisë, të kishte më shumë viktima dhe jo vetëm në Velipojë, por dhe në plazhet e tjerë, ku gazetarët kishin marrë intervista me pushuesit e “lumtur”, për gjithçka që ata shijojnë në ajrin e pastërt, freskinë e ujit të detit apo liqenit, ushqimin tradicional dhe të tjera si këto? Por gazetarët e komanduar për rubrikat që kanë bërë, nuk përmendin aspak masat e sigurisë, kur prej kohësh bregut të detit i mungojnë vrojtuesit. Presin që edhe në ujë të ketë viktima?

Po për ngjarjen e Drimadhes, përse nuk intervistuan të informojnë poblikun, çfarë ndodhi me shezllonet e djegur, po me çmimet e larta për vendin, shezllonën dhe çadrën? Kaq shpejt u harrua ngjarja e Himarës, ku dy fëmijtë u tmerruan nga pronari i hotelit, që e braktisën për shkak të kushteve të papërshtatëshme, të painspektuara, të palicencuara ?

Kryeministri përsëri justifikohet, pa përmendur se çfarë kanë ndodhur, përse kanë ndodhur, përgjegjësinë e institucioneve të pushtetit, por tregon përalla si dy vjet më parë, pas ngjarjes së Mihalit të Qeparoit. Pasi në mëngjesin e ditës së ngjarjes, ka postuar një përshëndetje me pamje nga bregdeti i Velipojës, të cilën shumë shpejtë e fshinë në “Facebook”, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë të Partisë Socialiste në Vlorë, u pyet mbi ngjarjen e ndodhur në Velipojë, por iu shmang pyetjeve të gazetarëve dhe deklaroi: “Do t’ju kërkoj ndjesë për t’u larguar, sepse kam thirrur Ministrin e Brendshëm dhe disa nga drejtuesit kryesorë të Policisë për të mos humbur kohë, për të lançuar sa më shpejt një fazë të re të ristrukturimit, që është përgatitur prej kohësh, por që për arsye të mirëkuptueshme, është momenti të përshpejtohet me disa javë dhe të mos presim më, fundin e verës.”

Ja dhe zgjidhja, ‘për të mos humbur kohë dhe lançuar sa më shpejt një fazë të re të ristrukturimit të policisë që është përgatitur, por është momenti të përshpejtohet me disa javë, dhe të mos presim më fundin e verës, pra kjo ngjarje do të sjellë ristrukturimin e policisë dhe kjo na qenka zgjidhja!.

Çudi e madhe, për përallat që në njëzet vjet, t’i kemi dëgjuar dhe si fëmijët e përgjumur t’i kemi mësuar…