Mihal MONKA*/100 Vjetori i Shërbimit Informativ Shtetëror

664
Sigal

Ismail Qemal Bej Vlora, i vlerësuar  si burri më i Lartë i Shtetit Shqiptar. Figura më madhore, luftëtari i orëve të para për krijimin e një Shqipërie etnike, personaliteti më i shquar dhe më i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, intelektuali i mirëfilltë, një diplomat e drejtues më largpamës shqiptar dhe njeriu liridashës, së bashku me patriotët më të mirë shqiptarë, u betuan përjetësisht në emër të Kombit. Më 28 Nëntor 1912, i falën Shqipërisë Pavarësinë Kombëtare-Territoriale dhe mbas pushtimit të gjatë rreth 500- vjeçar Otomano-Turk, më në fund Shqipëria valëviti për herë të parë mbas duarve të Skënderbeut, Flamurin e Arbrit.

Pavarësisht se Konferenca e Londrës nuk e njohu qeverinë e Ismail Qemalit, më në fund Shqipëria kishte Kryeministrin e saj të Parë, me një Shqipëri të Pavarur. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, në kushte shumë të vështira mori një varg masash jo vetëm në fushën e ekonomisë, të kulturës kombëtare, por edhe të organizimit shtetëror, të cilat në atë kohë i hapen një rrugë të re Shqipërisë. U hodhën themele të forta të shtetit shqiptar, mbi të cilat ecën edhe sot e kësaj dite Shqipëria jonë e dashur. Pas shpalljes së pavarësisë, formimi i Qeverisë së parë shqiptare u pasua me krijimin e institucioneve të rëndësishme të shtetit të parë shqiptar, dhe midis të tjerave më 17 dhjetor 1912 u Krijua Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH). Në pikën 6 të vendimit të qeverisë së Ismail Qemalit, shkruhet: “Të organizohet një shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipërisë”. Krijimi i Shërbimit të Fshehtë Shqiptar nuk u pa vetëm si një ide, por  u konkretizua në organizimin e tij sepse u ngarkuan persona konkretë si: Lef Nosi e Barjam Curri, funksionimi i të cilit është pasuar e përsosur edhe nga qeveritë e mëvonshme.

Pa dashur të përshkruaj historikun e formimit dhe dinamikës së përsosjes, funksionimit, objektivave që ka realizuar në këto 100 vjet që janë të lidhura ngushtësisht me dallgët e fuqishme që e kanë ndjekur zhvillimet historike Shqipërinë, ndjej detyrimin që të vlerësoj dhe uroj 100 vjetorin e këtij shërbimi të domosdoshëm për ekzistencën e shtetit, si një institucion i depolitizuar, që shërben me devocion për parandalimin, zbulimin e ndërprerjen e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Nga e gjithë shoqëria shqiptare duhet vlerësuar e mbështetur fuqishëm ky institucion, sepse veprimtaria e tij ka karakter kombëtar e për rrjedhojë na shërben të gjithëve. Të respektojmë të gjitha ata punonjës që kanë kontribuar për 100 vjet, inkurajojmë ata që shërbejnë aktualisht e do të shërbejnë ndër vite, me një mendim të konceptuar e të kthjellët, me deduksion profesional, me inteligjencë e mprehtësi. Në këtë shërbim ka pasur dhe ka profesionistë trima dhe kanë rënë për shkak të detyrës bijë të lavdishëm nënash.

       Investigimi është çelësi i suksesit të çdo shteti, është nevojë sigurimi i informacionit të domosdoshëm për gjithë mekanizmin shtetëror, se përndryshe nuk merren dot vendime të drejta për garantimin e lirisë, pavarësisë, zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare. Aq më shumë kur sot, krimi i organizuar e kryesisht terrorizmi, vlerësohet si një rrezik real për sigurinë e çdo vendi, por në mënyrë të veçantë, për sigurinë e vendeve me shtete e demokraci të pakonsoliduara dhe institucione të brishta, që s’kanë as forcën dhe as përvojën e duhur për t’u përballuar efektivisht me të. Lufta ndaj tij ka përbërë në vazhdimësi një ndër drejtimet kryesore të kontributit të institucioneve ndërkombëtare për fuqizimin e institucioneve në vendet e rajonit, por në të njëjtën kohë edhe një ndër kushtet bazë që duhet të plotësojnë qeveritë e këtyre vendeve për realizimin e aspiratës së integrimit në BE dhe në NATO.

Dihet shumë mirë, se krimi i organizuar është një veprimtari që ka në themel fitimin e paligjshëm, ai trondit stabilitetin e qeverisjes dhe gërryen e shkatërron pareshtur themelet ekonomike e ligjore të shtetit. Krimi i organizuar, me përqendrim në krimin ekonomik, është bërë sot fusha me rritjen më të lartë financiare në botë. Për vet kushtet e Shqipërisë, mungesën e kulturës demokratike të trashëguar, politikanët tanë që iu vunë shpatullat ndryshimeve të mëdha në vitet 90-të, duhej ta kishin më shumë të qartë ndërtimin e një demokracie konstitucionale, sepse me përfundimin e luftës së ftohtë, ndryshimin e sistemeve politike, krijohet një vakum i pushtetit, dobësohen totalisht strukturat sociale dhe të zbatimit të ligjit, e cila sjell krijimin e një situate kaotike mjaft të favorshme për lindjen dhe lulëzimin me shpejtësi të fenomeneve dhe strukturave të krimit të organizuar. Është e pafalshme kur luhet me administratën shtetërore sa herë që ndërrohen pushtetet politike, sepse venitet mbajtja në kontroll e administratës publike, është më se e nevojshme vendosja dhe respektimi rigorozisht e rregullave dhe e përvojave të pasura që i sjellin specialistët e çdo fushe sidomos për luftën kundër korrupsionit, terrorizmit etj, prandaj dhe është bërë një fenomen me përmasa epidemike që pasiguria e profesionistëve, ka krijuar një shtrat të ngrohtë lulëzimi i krimit të organizuar. Duhet të zgjerohen barrierat e zhvillimit të tregtisë si brenda e me jashtë vendit, duke luftuar me gjithë forcën e duhur monopolet, sepse krijon fushë të lirë për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme. Privatizimi i ekonomisë publike dhe kalimi në ekonominë e tregut të lirë, shoqërohet me praktika abuzive, disekuilibra sociale, papunësi dhe varfëri masive. Një favorizim për krimin e organizuar është edhe pozita e favorshme gjeografike, si rrugë kalimi kryesor që i lidh me grupet kriminale jashtë vendit. Këto e të tjera janë bazë për lulëzimin e krimit të organizuar. Krimi i organizuar është një aktivitet kriminal, i organizuar, i vazhdueshëm dhe vetëveprues, me një strukturë të organizuar e të qëndrueshme që e perfeksionon çdo ditë, që gjithmonë është i etur për fitim dhe se domosdoshmërisht është më shumë se një aktor, qëndrojnë të bashkuar dhe koordinojnë ngushtë midis tyre. Strukturave investigative u ka munguar përvoja e organizimit të punës për evidentimin e veprimtarive të krimit të organizuar, sepse ishin mësuar me një mentalitet tjetër të veprimtarisë antishtetërore e kushtetuese, por nuk u mungonte dëshira dhe pasioni për të ndryshuar me kohën, në to kishte shumë profesionistë për njohjen që në lindje të këtyre fenomeneve, ishim shumë hulumtues e depërtues në brendësi të të panjohurës se kishin eksperiencën e parimeve të organizimit të punës, dhe se duhet pranuar se kemi qenë një nga vendet me rrjetin informativ më të fort në Europë. Por deri më sot, me shërbimet inteligjente është luajtur, se përndryshe nuk do të kishim vitin e mbrapshtë 1997-të, ngjarjet tragjike e makabre të Otrantos, Gërdecit, 21 janarit etj, etj. Këto shërbime nuk duhet të jenë kukulla të politikës, por të pavarura dhe shumë të pavarura bile, me një infrastrukturë ligjore inkurajuese, strukturë organike të stabilizuar, me financim me standardet e duhura dhe me mjete lëvizëse të garantuara. Kjo sepse e kundërta zhvillohet më kundërshtarin e tyre, fitimi kriminal arrin të fitojë statusin e një fitimi të pastër, jo vetëm mbulohet një krim i kryer, por hapet edhe rruga për një krim të ri. Kur kriminelët shfaqen të qetë si zotërinj me kollare të bardha dhe me ndihmën e parasë synojnë pozita të ngjiten në krye të hierarkisë shoqërore, deformohet rëndë rrjedha normale e zhvillimit të një shoqërie dhe tronditen po ashtu rëndë të gjithë ekuilibrat socialë. Një rrezik tjetër akoma më i madh është se krimet financiare të sofistikuara dhe pastrimi i parave të pista ka tendencë të përdoren gjithnjë e më shumë për financimin e terrorizmit.

Secili të analizojë me gjakftohtësi ngjarjet e bujshme e vrasjet makabre të ndodhura në Shqipëri, si vrasje deputeti në derë të shtëpisë, vrasje e djegie të gjyqtarit e oficerit të SHISH, etj, deri më sot nuk është thënë asgjë konkrete, a mund të arrish në konkluzionin se kemi të bëjmë me veprimin e organizatave shumë të mirëorganizuara që përveçse mafias nuk i shërbejnë tjetër kujt?

       Mafia don vetëm para, prandaj edhe merr jetë njerëzish, parat e fituara i fut në proces pastrimi, e cila përbën një nga hallkat e sistemit zinxhir të riciklimit që e ka emrin krim të organizuar, prandaj edhe për të gjitha organet shtetërore, dhe sidomos shërbimeve inteligjente për nga vet natyra e zhvillimit të këtyre proceseve kriminale që është i fshehtë, luftën kundër këtyre fenomeneve e kanë një ndër prioritetet institucionale kushtetuese.

 *N.Kolonel në rezervë