Me apo pa Amerikën?

600
Sigal

Nga Vangjush Saro

Zyrtarët e lartë shqiptarë, edhe ata që drejtojnë aktualisht, vetë Kryeministri Edi Rama, gjenden në një situatë komike sa i përket marrëdhënieve me Perëndimin, domethënë me Amerikën dhe BE-në. Nuk e besoj se ka ndonjë vend a shtet tjetër në Ballkan, në Evropë jo se jo, që të jetë kaq i varur nga ‘humori’ i të huajve, të cilët, për të ngushëlluar veten, ne i quajmë partnerë. Brenda ‘barkës’ sonë të vogël, të cilën abuzimet dhe konfliktet e sajuara politike po e mbysin, ka kuptime të ndryshme për partneritetin dhe vasalitetin, për mbijetesën gjithashtu. Kjo është një histori e vjetër, tipike shqiptare, histori që është shkruar sa nga e keqja, aq edhe për shkak të prapambetjes së përgjithshme në disa aspekte.

Një ish-agjent amerikan, i propozuar për ambasador në Gjermani (Douglas Macgregor), është lëshuar këto ditë kundër shqiptarëve, duke lënë të kuptohet se NATO bëri gabim që sulmoi Serbinë dhe lejoi bërjen e Kosovës. (Disa spekulime islamiste këtu, për çka nuk mund të justifikohemi dot, janë në themel të kësaj shfryrjeje.) Por raportet herë pas here të vështira të Shqipërisë e Kosovës me Perëndimin dhe Amerikën, dyzimi i një pjese të politikës mbarëshqiptare në këto raporte, gjithashtu të çojnë në pikëpyetje dhe paqartësi…

Me të vërtetë, ç’janë për ne Perëndimi dhe Amerika? Partnerë apo padronë? Çfarë kërkojmë ne shqiptarët nga Perëndimi dhe Amerika? I duam, s’i duam, i ngremë në qiell, pastaj iu shmangemi, i shtyjmë tutje, i përflasim, pastaj prapë iu servilosemi, i thërrasim si arbitër, iu largohemi sërish dhe më pas iu lutemi edhe njëherë të mos na braktisin, më tej prapë i shtyjmë… Shikoni, vërtet e zgjata pak, por nuk është figurë stilistike, është realitet. Më kujtohet, në gjimnaz (“Raqi Qirinxhi”, Korçë) në një orë të stërvitjes ushtarake (që sapo kishte filluar të aplikohej, si fillim në klasë) një instruktor ushtarak po na fliste për ndërlidhjen, për rëndësinë e saj, lufta, komanda, Stalini, Enveri, ‘fusha, unë mali, si më dëgjon’, etj. Në një moment, një shoku ynë u afrua te radiomarrësja, mori mokrofonin në dorë dhe thirri me shaka: “Hello!” Instruktori ushtarak zbardhi sytë, pastaj u nxeh, madje humbi toruan, filloi të ulërinte si bishë: “Mooos! Ç’na bëre, more i poshtër? Po kjo është një parrullë armike, o faqezi… Hiq duart nga radiomarrësja! Skandaaal!” Oficeri ishte i ri, ishte edhe letrar e shkruante poezi. Por ajo “Hello!” e kishte bërë një grusht. Dhe askush nuk e dinte si mund të shkonte puna më tej. Ai nuk pushonte së bërtituri, thamë se do të shkulte flokët, do t’i binte murit me kokë, me grushta… “Të mblidhet shkooolla, ku është sekretari i partiiisë, i riniiisë, drejtooori…” Që t’i marr me radhë, drejtor ishte Guri Pandeli, një burrë i urtë, i pabujë dhe që s’ua vinte veshin ekstremistëve; sekretare e rinisë (jo e klasës, por e gjimnazit madje) ishte Elidiana Abazi (Canaj), shoqja jonë e klasës, vajzë dhe nxënëse e shkëlqyer, që nuk ndahej kurrë nga ne dhe nuk shiste askënd; sekretari i partisë ishte një trajnier i njohur, anipse pak strikt; kështu që nuk ndodhi kurrfarë gjëje…

E kujtoj këtë episod dhe mund të kujtoja edhe shumë episode të tjera, kur me mburrjet tona na duhej ‘të vinim përpara’ Amerikën, Anglinë, Italinë, Greqinë, ish-Jugosllavinë, BS-në, krejt botën e të mos gjenim asnjë më të mirë e më të ‘drejtë’ se veten tonë… Pastaj mendoj që sot, më shumë se gjysma e shoqeve dhe shokëve të mi të gjimnazit jetojnë në Amerikë, në Kanada dhe vende të tjera perëndimore. Dhe prapë nuk e kuptoj çfarë donim dhe çfarë duam ne shqiptarët. Asnjë nuk na pëlqen, asnjë nuk na hyn në sy, jetë e mot delirantë e patetikë, nga njëri ekstrem në tjetrin, puthim e pështyjmë pareshtur… a thua kishim dhe kemi në dorë fatet e të gjithëve. Kurse vetë fati ynë është kaq i trishtë! Si është e mundur që nuk gjejmë dot asnjëherë normalitetin, raportin e duhur me të tjerët?

Prapë restrospektivë. Në fillim të viteve ‘90, kur ia behu në Tiranë edhe Xh. Bejker nga SHBA, në sheshin ‘Skënderbej’ u bë një miting e madh dhe u fol për demokraci, për përparim, për miqësinë me Perëndimin, për Amerikën… Një nga psikopatët që drejtonte atë miting, në një moment iu kërkoi pjesëmarrësve që në nder të Amerikës e të mysafirit të lartë… të uleshin në gjunjë. Një pjesë e madhe në shesh, u bindën sakaq a thua do të faleshin… Kam qenë në atë miting me një nga shokët e mi më të afërt, Koço Broka, me profesion ekonomist, me përkatësi politike socialist, por një nga njerëzit më të ndershëm dhe më kërkues që kam njohur. Filloi mes nesh një dialog se ç’duhej të bënim, të rrinim apo të iknim; ajo thirrje idiote për gjunjëzim, na trazoi shumë, mbase ende sot na bën me nerva… (Nga kjo ‘dashuri’ e madhe, e shtirur, më pas, çuditërisht, ‘historia’ e marrëdhënieve të opozitës së atëhershme me Amerikën, në dukje vetëm me ambasadorët e saj, shënoi vetëm konflikte dhe moskuptime, ku binte në sy protagonizmi i politikanit më të diskutuar e më të diskutueshëm të tranzicionit, Sali Berisha.)

Edhe sot, shteti shqiptar është ulur në gjunjë përpara Amerikës e Perëndimit dhe veç tund kokën e bën “Amen!” Ja ky patetizëm shekullor, kjo endje nga njëri skaj në tjetrin, ky servilizëm i turpshëm, kjo shtirje e ulët, kjo bindje me sytë mbyllur e kjo sjellje prej argati, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë. Nuk paska rëndësi flasim apo jo me njëri-tjetrin, këtu e në Kosovë, nuk paska rëndësi nëse na duhet mes vedi ndonjë marrëveshje, nuk paska rëndësi nëse kemi ndonjë platformë për ta bashkuar vendin e për të vënë mbi baza luajaliteti marrëdhëniet me këdo… E ‘rëndësishme’ është vetëm të mos mërzitet Amerika, e ‘rëndësishme’ është vetëm të mos mërzitet BE-ja. Pra, hajde t’i biem në gjunjë e t’i bëjmë lepe-peqe Amerikës! Hajde t’i biem në gjunjë e t’i bëjmë lepe-peqe BE-së! Se ç’bëhet në vend, se si autoritarizmi dhe abuzimi janë kthyer në program, se si ndëshkimet orientohen politikisht e sipas tarafeve, se si shkon tatëpjetë shteti, të dyja shtetet, këtë e gëlltisin njerëzit…

Vetëm një naiv ose një keqdashës nuk e kupton se sa rëndësi kanë marrëdhëniet me Amerikën e Perëndimin në tërësi. Por duhet të jesh një mijë herë naiv të mendosh se ata janë kthyer nga ne dhe nuk mendojnë gjë tjetër e nuk kanë interes tjetër… veç të na shpëtojnë ne, të na nxjerrin në dritë ne, të na bëjnë ne… vendin më të lumtur të Ballkanit. O, ç’mjerim! Në një nga qeveritë e shkuara socialiste, një nga ish-Ministrat e Jashtëm mori dikur rrugën gjer në Brazil e Argjentinë; as ai vetë s’e dinte ç’kërkonte gjer atje. Kjo kakofoni, kjo dritëshkurtësi na ka mbërthyer edhe sot e gjithë ditën. Shikoni, unë bëj çfarë të dua, shkatërroj e ndërtoj si të dua, bredh si të dua, ndëshkoj si të dua; dhe ju vë poshtë, sepse kam me vete Amerikën… Në fakt, askush nuk e ka me vete atë. Ajo, në parim, mbështet demokracinë; por në realitet, mbron interesat e saj në rajon. Është e pamundur që duke qenë i vogël të diktosh apo të mbijetosh  i vetmuar. Gjithsesi – se lamë nam jetë e mot – më e pakta, në programet e qeverive dhe të forcave politike, fjala ‘dinjitet’ duhet shkruar me shkronja të mëdha e duhet cilësuar kuotë.