Më 25 prill shqiptarët do votojnë për drejtësinë dhe jo padrejtësinë

658
Sigal

Nga Ervis Vata*

Neni 4 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë që: E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.

Gjatë të gjithë viteve të qeverisjes së rilindjes e drejta jo vetëm që nuk ka qenë baza apo ka shërbyer për kufizuar veprimtarinë e shtetit, por rilindja ka vepruar në paligjshmëri dhe në shkelje të vazhdueshme kushtetuese.

Paligjshmëria triumfoi me votimin me 69 dhe jo 84 vota të Prokuroses së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku në vitin 2017, term që nuk parashikohet në Kushtetutë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, e më pas me kapjen e institucioneve të hetimit, me vendosjen e familjarëve dhe militantëve të rilindjes në krye të institucioneve të reja të drejtësisë.

Drejtësia u kap duke u shndërruar në padrejtësi. Në mungesë llogaridhënie të ekzekutivit. Me daljen jashtë funksioni të Gjykatës Kushtetuese qeveria ishte e lirë në anti-kushtetutshmërinë e saj duke firmosur PPP prej qindra miliona eurosh, duke zhvilluar zgjedhje vendore mono-partiake, duke prishur Teatrin Kombëtar dhe duke nxitur qëllimisht konflikte institucionale dhe politike për të krijuar diversion ndaj opinionit publik që të sfumoheshin mega-skandalet dhe planet e errëta në dëm të integritetit tonë territorial dhe kombëtar.

Mungesa e llogaridhënies ndaj drejtësisë dhe kontrolli nga ajo mbi ekzekutivin bëri që rilindja, përmes akteve normative apo urdhrash të lëshuara nga facebook-u, të shkeleshin të drejtat e shqiptarëve gjatë pandemisë. Për më tepër, edhe gjatë kësaj urgjence shëndetësore, abuzimet me tenderat dhe PPP si nga pushteti qendror dhe ai vendor vazhduan edhe më fitimprurës për oligarkët. Duke i zhvatur shqiptarët edhe në ditët e tyre më të vështira.

Në mungesë të Gjykatës së Lartē janë akumuluar 35 mijē dosje të cilat nëse fillojnë të shqyrtohen sot kërkojnë 30 vjet të përfundojnë, ndërkohë ky mal dosjesh shtohet dita-ditës dhe qytetarëve të thjeshtë u privohet drejtësia e merituar. Kujtojmë gjithashtu se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.

Shteti i së drejtës do të thotë lidhje të ngushtë dhe reciproke midis shtetit dhe së drejtës. Kjo lidhje është zhbërë që do të thotë kemi vite që jemi në shtetin e së padrejtës.

E gjitha kjo për shkak të ambicies e qeverisë për ta kapur drejtësinë e madje për ta zhbërë atë. Reforma në Drejtësi ka shkaktuar kaos në të gjitha hallkat duke rezultuar në një eksperiment jo vetëm të dështuar por edhe të rrezikshëm pasi edhe procesi i vetting-ut është kryer në mënyrë selektive, me gjyqtarë të ndaluar për mos-deklarim shumash të vogla parashë, ndërkohë të tjerë si rasti i Ardian Dvoranit me 80 mijë euro dhe u punoi e u pagua me vite të tëra përtej mandatit të tij.

Ky kaos në drejtësi ka shkaktuar vonesa në shqyrtimet e dosjeve në të gjitha shkallët e gjyqsorit dhe madje shumë shpejt nuk do ketë më gjyqtarë në gjykatat e apelit.

Reformën shqiptare në drejtësi e kanë refuzuar si shembull Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera pasi nuk prodhon drejtësi por padrejtësi.

Qeveria justifikohet se është më mirë një djep bosh sesa me djajtë brenda. Jo. Kjo është e gabuar. Drejtësia nuk ka djaj apo engjëj. Politika ka. Nëse qeveria nuk do ishte kaq djallëzore në kapjen e drejtësisë atëherë Shqipëria do ishte shteti i së drejtës dhe jo i së padrejtës. Drejtësia është përmbledhja e të gjitha detyrimeve morale, shoqërore dhe qeverisëse.

Kushti që një vend të zhvillohet dhe të jetë demokratik është drejtësia. Sa më pavarur të jetë ajo aq më shumë zhvillohet vendi dhe emancipohet shoqëria.

Ndaj 25 prilli do jetë më shumë sesa një ditë zgjedhjesh. Do jetë një referendum për të kthyer vendin në shinat e demokracisë e cila bazohet mbi ndarjen dhe kontrollin e pushteteve. Ku drejtësia prevalon dhe qeveria i nështrohet Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

25 prilli do jetë dita kur shqiptarët do votojnë për drejtësinë dhe jo padrejtësinë.

*Avokat, (Sekretar i Përgjithshëm, i LSI – Durrës)