Martin Cukalla/Zemërimi dhe zemërakët

739
Sigal

Ishte i bukur ai zemërim studentor ashtu si filloi. Ndjenjë e çiltër!
Një zemërim i ligjshëm njerëzish të lirë në të drejtën e tyre për t‘u ndritur, por të nëpërkëmbur keqas e lodhshëm nga një ngrehinë shtypëse që ka në dorë ca firma e ca nota…
Ishin të gjithë studentët të zemëruar dhe jo vetëm për atë gjë të shpifur që u komunikohej me një copë letër bakalli varur në një mur të ftohtë. Ishin të zemëruar për gjithë hallet e tyre!
Dhe britën: Njëzëri, fuqishëm, pastër… Kryeministri, zhytur në trëndafilinë e tij zyrtare, ngriti kokën përtueshëm e tha: Ç‘janë këta mbetës që ulërasin?!
Opozita konglomeratike dimërake ishte në rrugë duke britur për hallin e vet të radhës dhe bëri të avitet: T‘u plotësohen të gjitha kërkesat…dhe menjëherë!
Normal të dy qëndrimet në një ambient të një strukture politike të sklerotizuar: “Establishment“ e quan këtë gjendje kopeja e stërmadhe e mendimit modern shqiptar. Studentët hodhën hapin e dytë të madh në zemërimin e tyre: Larg thonjtë e partive politike nga demonstrata jonë!…
Ambienti i turbulluar i jetës shoqërore shqiptare filloi të rishtresëzohej e të krijonte pamje të reja me shpresë të rrjedhave të reja… Kryeministri dolli nga shtrati i trëndafiltë pushtetor e tha: Mirë, ejani të bisedojmë!, -dhe çuditërisht shtoi, -Këto që kërkoni nuk janë të gjitha, i plotësojmë ato dhe më tepër se ato! Presidenti foli si nga retë: Dëgjojeni zërin e studentëve! Opozita konglomeratike dimërake nuk pati zë tjetër veçse: Të iki Rama, ai është e keqja e studentëve! Zemërimi i studentëve zgjati çuditërisht më shumë se një ndjenjë, ishte një vrull i ri energjie që kërkonte zgjimin e krejt shoqërisë. Si ndjenjë, zemërimi për këtë duhet: Të lëvrijë më shpejt gjaku dhe të vihen në punë sektorët e fjetur të trurit! Studentët e zemëruar thanë: Kryeministër, kërkesat janë të qarta, plotësoi ato dhe eja të bisedojmë! Këtu situata ngriu: Kryeministri për habinë e vet, ndoshta pa se reforma që kishte ndërmarrë në arsim kishte frenuar rrënimin përfundimtar të arsimimit, por as kishte pastruar, as kishte shëruar kalbëzimin e tij. Ç’duhej bërë?! Opozita konglomeratike dhe dimërake mobilizoi aradhat mediatike të saj dhe militantët në e pranë fakulteteve për të zënë disi vend në ajrin e demonstratës.
Zemërimi i gjatë të shndërron në zemërak!

Jo të gjithë mund të bëhen zemërakë. E pashë njërin dje: Djalë i ri, me një pankartë të hapur përgjatë gjoksit, ecte para meje. Për moshën shprehte një krenari të rritur, thuajse të ishte një jakobin i ardhur nga koha e Revolucionit francez. Në të vërtetë parulla që mbante fillonte me fjalën REVOLUCION. Nuk e lexoja dot siluetën mbrapsht të krejt parullës. Na ndali semafori i kuq. Ai u kthye brinjas meje dhe vështronte drejt makinat që ecnin përkundër. parulla e tij duhej të qe për shoferët një lloj tabele rruge në gjoksin e një djaloshi. Po, kurrkush nuk çante kokën! Unë vështroja ngjyrën e zbehtë të dritës që ngrihej nga fytyra e djaloshit dhe ndjeva keqardhje. Një zvetënim komik i tragjikes që ecën udhëve të kotësisë!

Po, le të kthehem tek zemërakët!


Për hir të së vërtetës, zemërakët e parë u shfaqën ata të opozitës konglomeratike dimërore. Opozita lufton për pozitë dhe është në të drejtën e saj të bëjë zemërakun për çdo gjë që i mbushet mendja se ai vlen asaj që përpiqet të arrijë: Të vijë në pushtet! Ndrydhur për shumë net dimërore në errësirën e Astirit vetëm për t‘u filmuar si forca më aktive rebeluese kundër padrejtësive të pushtetit të sotëm dhe për të bërë të stërnjohura anatemat e mallkimeve dhe sharjeve, iu duk se i erdhi rasti i artë në shteg: Zemërimi i flaktë i studentëve do të ndizte flakë zemërimin e fjetur të popullit dhe…ja: Bacë u kry! Populli nuk deshi t‘ia dijë dhe hovi studentor u mek. Zemërake tanimë opozita vijoi në bëmat veta… Nuk do të ishte më mirë të ulte kryet, të dëgjonte mirë studentët, të verifikonte mirë problemet dhe mandej të nxirrte programin e ri të saj edhe për ligjin e arsimit të lartë edhe për kërkesat studentore, edhe për më tutje në përgjigje të Kryeministrit gjëm(b)ëbërës. Nuk e bëri, vijoi rrugën e vjetër sikur në Shqipëri të ishte demonstrata e parë që bëhej. Shkoi më tej. E krahasoi me ato të `90-ës për t‘i veshur vellon e dalë boje antikomuniste. Shqipëria nuk ka vuajtur nga mungesa e demonstratave dhe rebelimeve popullore. Shqipëria ka vuajtur e vuan nga pushtimi i demonstratave prej partive politike të sklerotizuara. Pikërisht ndërhyrja e partive në qëndrimet e demonstruesve solli degradimin tragjiko-komik të një lëvizjeje bukur të vrullshme, që ngjalli shumë emocione, në sintoni kjo me motin dimëror. Teoricienët e shumtë ngordhalaqë deri në mërzi e zhurmaxhinj të padurueshëm mund të më ngrihen kundër, nëse kanë kohë të më lexojnë, me parulla si ai studenti i mjerë me atë Revolucion në gjoks. Çështja këtu nuk shtrohet, a do merret politika apo jo me problemet dhe lëvizjet shoqërore? Detyrë e politikës aktive është të analizojë fenomenet social ekonomike të vendit që në bërthamën e tyre dhe t‘ia përshtati programin e vet tendencave të zhvillimit progresiv. Shtetari më i shquar në historinë e shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali Bej Vlora, thotë: “Në çështjet shtetërore janë interesat ato që udhëheqin politikën dhe frymëzojnë qëndrimet” .

Parë në këtë këndvështrim qartësohen edhe qëndrimet politike të mbajtura ndaj lëvizjes së studentëve të zemëruar:

  • Qëndrimi kryesor është ai i thuajse tërë analistëve dhe të gjithë opozitarëve vëllezër me kopaçe në dorë: Rama ra moralisht…të rrëzohet Rama…të anulohet ligji për arsimin e lartë… këto janë që pollën të keqen… të plotësohen kërkesat siç i kërkojnë studentët. Në zhvillimet aktuale të Shqipërisë ky është zëri më i fuqishëm mediatik, gati shurdhues dhe bezdisës në përditshmërinë e tij. Në të vërtetë është zëri i një ngrehine njerëzore, në daç quajeni “Establishment“ siç e përdorin disa që bëjnë modernin. Ky është një institucion legal i opozitarëve dhe disi ilegal në të majtën që administron pushtetin, i krijuar në vitet e tranzicionit. Është një institucion i vjetruar, i kalbur, shtypës, me rrënjë nëpër të gjitha qelizat e jetës politike dhe ekonomiko-sociale dhe me histori të gjitha zhvillimet dramatike të tranzicionit tonë. Ai mbijetoi e mbijeton për shkak të interesave thjeshtësisht ekonomike që lidhin njerëz fare të ndryshëm në temperament, në formim, në hierarkinë politike e në administratë, por që kanë thuajse të përbashkët mungesën e zgjuarsisë dhe të kurajës për të ndërmarrë në liri udhën e vështirë të ngritjes së jetës së tyre jo mbi hiletë morale e paligjshmëritë e fshehura. U belbëzua në demonstratë dhe shembja e këtij “Establishment“, por siç ndodh rëndom në turmë, iu vesh qeverisë dhe u shua.
  • Qëndrimi tjetër është ai i Kryeministrit, është ky që në fund të fundit u intereson studentëve, popullit dhe zhvillimit të demokracisë qeverisëse në vend.
    Duke e zhveshur nga ekstravagancat karakteristike vetjake dhe shpotitë cinike alla Konica, qëndrimi i Edi Ramës përmblidhet: Më zgjuat nga ëndrra trëndafili për reformën në arsim…kërkesat janë të drejta dhe gjendja është më keq e për më shumë masa, ejani të punojmë bashkë…!
                Është ky një qëndrim elektoral?

Natyrisht dhe nuk mund të ndodhë ndryshe me një njeri që ka synuar pushtetin dhe është në krye të pushtetit ekzekutiv duke zotëruar njëherësh edhe kuvendin ligjvënës si kryetar i partisë fitimtare në shumicë me zgjedhje popullore.

  • Një tip liberali kontravers e ka të lehtë të ngjitë karrierën politike, por e ka të vështirë të ruajë frymën liberale kur është në majën e pushtetit. Trashëgimia e tranzicionit, nga ana tjetër, kishte krijuar një situatë që kërkonte reforma të thella e një vullnet politik të hekurt për t‘i bërë ato. Një situatë kjo dramatikisht komplekse dhe shumë interesante në zhvillimet e saj. Edi Rama ndërmori disa masa që cenonin jo një e dy, por mijëra dhe krejt familjet shqiptare siç qenë ato me faturat e papaguara të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, dhe rriti çmimet e tyre për t‘i balancuar me kostot. Duken dhe u trajtuan si antipopullore këto masa, koha vërtetoi se populli i pranoi. Këto masa, për të mos u tallur siç bëjnë shumë e i quajnë “reforma“, kishin brenda të drejtën dhe moralin shqiptar për të drejtën.
  • Për të mos e tjerrë gjatë me shembuj, studentët zbuluan me zemërimin e tyre, jo se reforma në arsim ishte antipopullore, por se ajo nuk kishte zbërthyer krejt gjendjen e plagëve të arsimimit në vend. U përcaktuan ca masa shtesë. A janë të plota? Koha do tregojë, por e sigurt është që, në kushtet kur administrata lokale dhe qendrore nuk e bëjnë detyrën e tyre për të raportuar të vërtetat e mëdha që vuan vendi, kur media jep vetëm lajme rruge e klubesh, kur analistët analizojnë fraza jo gjendje, kur specialistët e mirëfilltë plaken në vetminë e pagës a të pensionit të tyre… një bashkëbisedim serioz i qeverisë me studentët e pedagogët anë e kënd vendit do të ishte shtegu që do të shpinte në një zgjidhje shteruese zhvillimi për arsimin e lartë e më shumë. Këtu ende mbetet problemi kryesor:
  • A e ka kuptuar kryeministri se Shqipëria nuk është trëndafilia e fushatave elektorale të pushtetit dhe e qendrave të rikostruktuara të qytezave të fjetura periferike, nuk është as egërsia e luftës së shpresëhumburve të opozitës konglomeratike dhe dimërake për karrigen e tij kryeministrore?
  • A e ka kuptuar kryeministri se gjendja që zbuloi zemërimi studentor vijon ende i patrazuar edhe në sektorin e drejtësisë ku në të vërtetë ka filluar e zbatohet një reformë e thellë pastrimi, në sektorin e shëndetësisë, në pushtetin lokal e në administratën qendrore etj?
    Tentakulat e kalbëzimit të një shoqërie në të vërtetë janë shtypje dhe mungesë zhvillimi, barazie e drejtësie. I takon edhe popullit të veprojë gjallërisht dhe i zemëruar kundër këtij “Establishmenti“, apo siç e thërras unë në gjuhën tonë të bukur shqipe, kundër kësaj ngrehine qelbësirash. Dhe populli e bën detyrën e vet, në radhë të parë kur çdo qytetar që i mohohet e drejta për një a tjetër arsye të pa arsyeshme, zemërohet dhe nuk pranon shtypjen. Pastaj më tej…?!