Maqedonia: Një vend i vogël me një problem gjigant rus

754
Sigal

Nga Frank Shkreli

Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë që në Maqedoni do të mbahet referendumi për ndryshimin e emrit të vendit nga Republika e Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Është zhvilluar një fushatë e ashpër për këtë referendum të rëndësishëm – jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin – midis palëve kundërshtare maqedonase, ndërsa merret me mend se shumica e shqiptarëve në atë vend e mbështesin referendumin për ndryshimin e emrit të shtetit ku jetojnë. Pas tri dekada mosmarrëveshjesh mbi emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, midis Shkupit dhe Athinës, ministrat e jashtëm të dy vendeve, në prani të Kryeministrit grek, Alexis Tsipras, Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarëve të lartë të BE-së dhe OKB-së nënshkruan, qershorin që kaloi, marrëveshjen për emrin e ri të ish-Republikës Jugosllave. Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Prespë, një zonë kjo që kufizohet me Greqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë w që pritet t’i hapë rrugën Shkupit për anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Mirëpo, kjo mundësi ka shkaktuar një garë gjeopolitike në atë vend, midis Perëndimit dhe Rusisë e cila po përdor të gjitha mënyrat që ka në dispozicion, për të minuar marrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit, me qëllim që të bllokojë edhe anëtarësimin e mundshëm të Maqedonisë në NATO. Ndërkohë që Moska ka ndërmarrë një fushatë propagandistike të ashpër dhe të gjithanshme, sidomos në mediat sociale, duke përhapur lajme të rreme, vendet demokratike perëndimore kanë shprehur, në mënyrë transparente, mbështetjen e tyre në favor të referendumit, duke dërguar në Shkup zyrtarë të lartë, për të bindur qytetarët e ish-Republikës Jugosllave që të votojnë në favor të ndryshimit të emrit, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, Federica Mogherini-n Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian dhe Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Xhejms N. Mattis. Duke cituar Kancelaren Merkel, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, u shpreh gjatë vizitës së tij në Shkup se, “Qytetarët tuaj do të përdorin këtë mundësi demokratike për të çuar përpara të ardhmen e vendit tuaj, ndërkohë që do të votoni në referendum për të çuar vendin tuaj edhe drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa hidhni votën më të rëndësishme në historinë e vendit tuaj. Ne jemi të vetëdijshëm ndaj kësaj vote komplekse për popullin tuaj, por ne ju mbështetim që ju të ushtroni të drejtën e sovranitetit të votës suaj si dhe të ushtroni përgjegjësinë demokratike për të votuar”, ka thënë zyrtari i lartë mbrojtjes amerikane gjatë vizitës së tij në Shkup kohët e fundit. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes ka nënvizuar gjithashtu se, “Nuk ka asnjë dyshim, që Rusia ka transferuar fonde të mëdha dhe, se rusët kanë ndërmarrë fushata të gjithanshme për të influencuar votën, në referendumin e të dielës që vjen”, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, “me qëllim që pikërisht, të bllokohet mundësia e këtij vendi që të anëtarësohet në NATO”. Por, Sekretari Xhejms Mattis në mbështetje të miratimit të referendumit për ndryshimin e emrit nga ana e votuesve të Republikës së Maqedonisë, u shpreh duke cituar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg se, “Duke iu bashkuar NATO-s, ju do të siguroni një karrige të barabartë, në tavolinën e aleancës ushtarake më të suksesshme që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit, së bashku me 29-vende të tjera anëtare të angazhuara për të mbrojtur ju dhe sigurinë tuaj”… Ju do t’i bashkoheni (si vendi anëtar i 30-të, në qoftë se zgjidhni këtë rrugë) një aleance ushtarake në të cilën vende të vogla e të mëdha, punojnë së bashku — në mbrojtje të parimeve të përbashkëta të sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe të lirisë, kundër ndërhyrjeve të jashtme, ndërkohë që të tjerët përpiqen t’i minojnë këto parime, duke filluar nga Siria e deri në Ukrainë”, një referencë e qartë kjo e zyrtarit të lartë amerikan, ndaj ndërhyrjeve ruse në këto vende.

Një prej metodave që ka zgjedhur Moska për të minuar rezultatin e referendumit të dielën që vjen në Maqedoni, është përhapja e lajmeve të rreme dhe sulmet kibernetike. Zyrtarët e NATO-s thonë se kanë ndihmuar Maqedoninë për të kundërshtuar fushatën ruse. “Shohim se Rusia po përpiqet të ndërhyjë dhe të përhapi disinformacion, por Rusia nuk po fiton” mbështetje, megjithëse, sipas tij, Moska “po vepron në nivele të ndryshme dhe me me mjete të ndryshme”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për gazetën “Nju Jork Tajms”. Por edhe sipas diplomatëve perëndimorë, të cilët citohen nga media amerikane, përfshirë “Nju Jork Tajms” dhe “Washington Post”, çdo ditë shfaqen 40 uebsajte të reja me të cilat u bëhet thirrje votuesve të Republikës së Maqedonisë që të bojkotojnë referendumin. Njoftohet se këto uebsajte, origjina e të cilave është jashtë Maqedonisë, përputhen me modelet e mëparshme të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet e tjera në të kaluarën, përfshirë edhe ato në Shtetet e Bashkuara. Disa prej këtyre uebsajteve, sipas medieve amerikane, me qëllim nxitin edhe tensionet etnike me shqiptarët në Maqedoni, ndërsa bëjnë pyetjen provokuese: “A do të lejoni shqiptarët t’ua ndryshojnë emrin” e vendit?” Gjatë vizitës së tij në Shkup, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Mattis nuk përmendi Rusinë me emër, por ka theksuar nevojën për të luftuar, “aktivitetin kibernetik qëllim-keq, që kërcënon demokracitë tona”. Përpjekjet e Moskës për të minuar referendumin e të dielës që vjen në Maqedoni, janë në përputhje të plotë me politikën afatgjatë të Rusisë putiniste për të ruajtur dhe për të përhapur influencën e saj në Ballkanin Perëndimor. Dy vjet më parë, Moska kishte orkestruar një grusht-shteti në Mal të Zi për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të atij vendi, me qëllim për të parandaluar anëtarësimin e Podgoricës në NATO. “Një prej objektivave kryesore të Rusisë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë është që ajo të kundërshtojë NATO-n në çdo hap që ndërmerr aleanca perëndimore”, citohet të ketë thënë për “Nju Jork Tajms”, Xhejms H. Mackey, Shef i Zyrës Euro-Atlantike dhe Partneritet Global të NATO-s, duke shtuar se, “Për derisa rusët mendojnë, se mund të shkaktojnë turbullira diku, ata do të përpiqen të bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë ai. Bazuar në aktivitetet ruse të kohëve të fundit në Maqedoni, në mbështetje të bojkotimit të referendumit për ndryshimin e emrit të ish-Republikës Jugosllave, Moska, siç e ka traditë, po peshkon në ujërat e turbullta të Ballkanit Perëndimor, megjithëse Maqedonia nuk përbën asnjë kërcënim që mund të merret me mend, ndaj Rusisë. Ky pra, është problemi i madh rus me të cilin Maqedonia e vogël përballet me arushën e madhe ruse në referendumin e së dielës për ndryshimin e emrit, një vendim që, në qoftë se miratohet, do të mundësojë anëtarësimin e Shkupit në aleancën e NATO-s. Por ashtu siç përfundon editorialin me të njëjtin titull si më lart, gazeta “Washington Post”, se cilido qoftë përfundimi i referendumit për ndryshimin e emrit, të dielën tjetër në Maqedoni, një mesazh që vjen nga Maqedonia është i qartë: “Putini është i vendosur të minojë Perëndimin dhe institucionet e tij kudo dhe kurdoherë që të ketë mundësi”, madje edhe në një vend të vogël si Maqedonia, me të cilin nuk ka kufij të përbashkët dhe që nuk përbën asnjë kërcënim politik as ushtarak ndaj Rusisë, por për të vetmen arsye se, “Çdo sukses i demokracive, sado i vogël qoftë, shikohet si një kërcënim vdekjeprurës” nga ana e Vladimir Putinit, përfundon editorialin e saj gazeta e kryeqytetit amerikan, “Washington Post”. Vota në favor të referendumit për ndryshimin e emrit të vendit – gjë që do të çonte në anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën e NATO-s — do të konsiderohej prej Rusisë si një humbje e madhe për të dhe si një fitore për Perëndimin. Kjo është arsyeja, pra, që Rusia përbën një problem të madh për Maqedoninë e vogël në referendumin e të dielës që vjen.