Maks Tufa: Qyteti pa shërbime policore, kaos në trafikun e makinave, degradon rendi e qetësia

538
Policia e Elbasanit punon me gjysmën e efektivit, pasi gjysma tjetër po trajnohet për fushatën e 18 qershorit 2017
Ka mbi 2-3 muaj që qyteti Elbasanit gjendet pothuajse pa shërbimin policor ose më mirë me gjysmën e efektivit, pavarësisht se qysh në muajin nëntor 2016 janë veshur me uniformën blu dhjetëra rekrutë të rinj. Qyteti ka mbetur pothuajse pa shërbime policore, duke nisur nga shërbimi Qarkullimit Rrugor, shërbimet e tjera që sigurojnë rendin dhe qetësinë, duke krijuar kaos, duke stimuluar aksidente, duke stimuluar akte kriminale në rrugët dhe rrugicat e qytetit. Interesimit të “Telegraf” mbi mungesën e shërbimeve dhe pranisë së trupave policore në akset rrugore (veç atyre që shihen ditët e fundit dhe që nuk kanë lidhje me ata, që njihen si RENEA) një burim i sigurt i tha, se “gjysma e efektivave shërbejnë në Tiranë dhe në shërbime të tjera, ka urdhër dhe nisen çdo të hënë deri të diel, ndaj ka mungesa, madje edhe aksidentet javët e fundit janë mbuluar nga efektivat e Librazhdit apo Peqinit”. Me të drejtë qytetarët pyesin çdo ditë “ku është policia, ku është futur, nuk shohim këmbë polici në rrugë, ndërkohë që kaosi ka mbërthyer qytetin në gjithë sektorët jetikë”. Javën e shkuar kanë ndodhur dy aksidente në unazë dhe në rrugën Elbasan-Librazhd, dhe shërbimet policore pavarësisht se u njoftuan kanë vajtur me 25 minuta vonesë, pasi tek 129 përgjigja ishte “ja po vjen furgoni nga Peqini, ja po vjen furgoni nga Librazhdi”. Të vrarët dhe të plagosurit janë nxjerrë nga punonjësit e pikave të karburantit dhe lavazheve, ndërkohë që uniformat blu vetëm sa kryen matjet dhe telefonatat me eprorët e tyre. Ka zëra që thonë se “gjysma e efektivit po përdoret në rrethe për aksionet antikanabis”, ka zëra që thonë se “gjysma e efektivit po trajnohet për të qenë të pagabueshëm në fushatën e 18 qershorit 2017”. Por pavarësisht se çfarë po ndodh me gjysmën e efektivit, apo me urdhrat e dhëna nga lart, qytetarët paguajnë taksat dhe duan rendin, duan qetësinë, duan ta kenë policinë pranë kur ngjasin aksidente, akte kriminale, kur gjenden para dhunës verbale dhe fizike të drogaxhinjëve që kanë mbushur rrugicat dhe hyrjet e pallateve, apo kur u vjedhin në radha pensionesh dhe vizitash mjekësore paratë e kursyera xhepistët. Pothuajse çdo ditë në akset rrugore të qytetit ka të paktën 7-8 raste karambolesh makinash, motorësh , biçikletash me këmbësorë të moshave të ndryshme. Gjithçka mbyllet mes palëve, pikërisht sepse mungon ajo, policia “që duam”, mungojnë “çunat e Sajmirit”, të cilët nuk dihet sepse janë transferuar për t’u përdorur diku larg. Por më e frikshme mbetet nata për qytetarët e Elbasanit, pasi edhe kur telefonojnë tek 129, nuk marrin shërbimin e duhur, duke nisur nga përgjigja e vonuar, deri tek “telefoni është jashtë shërbimit të kërkuar”. Qytetarët me të drejtë pyesin dhe duan të dinë se, çfarë po ndodh me policinë e tyre, duan të dinë ku janë “çunat” që lëvizin me makina me targa të huaja edhe pse mbajnë uniformën blu, pasi duan të dinë edhe se ku shkojnë pikësëpari edhe taksat e tyre. 
Sigal