Lulzim BASHA/ “Mirënjohje zemrës dhe qytetarisë tiranase”

406
Sigal

Përkujtohet 100 vjetori i eksodi i familjeve të dibranëve në Tiranë, për shkak të përndjekjeve nga trojet e tyre

Sot (dje) festojmë    një nga momentet më të veçanta të historisë së një komuniteti të madh të kryeqytetit tonë, që është komunitetit dibran, pikërisht eksodin, apo ardhjen e tyre 100 vite më parë në qytetin e Tiranës. Shumë familje, duke përfshirë edhe familjen time nga babai, e kanë zanafillën e qytetarisë së tyre tiranase, pikërisht tek kjo ngjarje, një ngjarje, e cila ishte e shtytur nga faktorë të jashtëm. Nuk ishte rastësore, fakti që përfundimi i këtij eksodi ishte pikërisht në trevën e Tiranës, në qytetin e Tiranës dhe kjo ka të bëjë natyrisht më shumë faktorë,  por  faktori më i madh, më i rëndësishëm dhe më vendimtar në këtë pikëpamje, nuk ishte as toka, as gjeografia, por zemra e qytetarëve të Tiranës, e cila u hap në këtë moment të veçantë për këta njerëz në nevojë, për këta njerëz në hall dhe mbeti e hapur dhe vazhdon të mbetet e hapur edhe sot e pas 100 vitesh. Për këtë arsye, ndryshe nga shumë kryeqytete të tjera të botës,  të cilat statusin e tyre  e kanë me dekret, apo me vendime politike, kryeqyteti ynë Tirana e ka pikërisht prej këtij virtyti dhe unë dua të përfitojë nga ky rast, si kryetar i Bashkisë së Tiranës të shpreh në fillim të fjalës time, mirënjohjen më të thellë dhe përuljen me mirënjohje ndaj komuniteti autokton të Tiranës. Hapja e dyerve të shtëpive, mundësimi i vendosjes së banorëve që vinin pas një terrori dhe spastrimi etnik,  ishte një sinjal i qartë se niveli i qytetërimit, botëkuptimi  i qytetarëve të Tiranës  ishte aq i avancuar, sa që të krijonte gjenezën e zmadhimit me shpejtësi historike të qytetit dhe kthimin të tij në pikën më influente të kombit shqiptar, që është sot Tirana metropolitane, kryeqyteti i Tiranës. Natyrisht, në këtë qytet ndërthuren shumë komunitete. Sot, çdo komunitet gjeografik, krahinor i Shqipërisë gjen përfaqësimin e vet dinjitoz në Tiranë dhe mund të thotë me të drejtë se ka kontributin e tij në jetën e kryeqytetit dhe influencën që kryeqyteti ka anembanë Shqipërisë dhe trevave shqiptare, kombit shqiptar. Pa dyshim, ky proces nuk do kishte qenë as i lehtë, as i thjeshtë dhe as i vetëkuptueshëm, pa kontributin e gjithanshëm të komunitetit të tiranasve autoktonë, të cilët jo vetëm kishin kultivuar në këtë qytet, në të gjithë drejtimet e jetës, nga tregtia dhe zejet, tek prodhimi, tek hapat e parë të arsimit të mesëm e të lartë, tek infrastruktura, tek infrastruktura shpirtërore dhe qytetare, pra kishin kultivuar në çdo drejtim embrionet e asaj që ne gëzojmë këtu, si atribute të kryeqytetit të vendit.  Në këtë kontekst dhe veçanërisht në raport me të kaluarën e para 100 viteve, ka shumë rëndësi, kur analizojmë të sotmen dhe të ardhmen, të kujtojmë këto vlera dhe të kemi këtë mirënjohje, mirënjohje, e cila sot shprehet edhe në mënyrën se si vetë qytetarët e Tiranës organizuan qytetin e tyre, drejtimet e qytetit të tyre, në rrugën e “Durrësit”, rrugën e “Dibrës”, rrugën e “Elbasanit”, pra duke përkthyer vendosjen e Tiranës në zemër të infrastrukturës kombëtare. Sot, pas 100 vitesh gjërat kanë ndryshuar. Është shumë e vështirë të presh me thikë tiranasit nga dibranët, pikërisht për shkak të “shkrirjeve” familjare, krushqive dhe e njëjta vlen edhe për shumë e shumë komunitete të tjera që vijnë nga Vermoshi në Konispol, nga Mollasi në Kepin e Rodonit dhe i thonë Tiranës “shtëpia” jonë dhe është shtëpia e çdokujt që vendos ta quajë të tillë. Sot, ne përsëri hedhim sytë drejt sfidave të kësaj gjenerate, sfida të cilat janë tonat për t’i përmbushur dhe do i përmbushim. Brenda pak ditësh, unë do të kem kënaqësinë e veçantë si kryetar i Bashkisë, por edhe si banor i hershëm i zonës, të jem i pranishëm në rikualifikimin urban të rrugës së “Dibrës”, e cila po përfundon me parametrat më modernë të mundshëm, duke i dhënë komunitetit autokton dhe të vjetër të kësaj zone rrugën që meritonin dhe që nuk e kanë pasur prej shumë kohësh. Kjo kënaqësi do ishte e cunguar, nëse unë nuk do të ndaja me ata banorë, me të gjithë ju sot këtu, me kryetarin e komunës së Dibrës dhe me shumë e shumë bashkëqytetarë nga Tirana, Dibra, Mati, Shkupi, Tetova e anembanë Shqipëria lajmin e gëzuar se ky në fakt është vetëm përfundimi i një projekti madhor, i cili është premtuar për t’u realizuar në 24 muajt e ardhshëm nga Kryeministri Sali Berisha dhe kjo është rruga e Arbrit, rrugë e cila do të përthyejë në mënyrë të paimagjinueshme edhe distancën fizike midis Tiranës e Dibrës, pasi distanca shpirtërore ka avulluar prej kohësh. Me këtë rrugë ne do të bëjmë të mundur që nga qendra e Dibrës së Madhe, e sheshit “Skënderbej”, me një shpejtësi mesatare prej 80 km në orë, ne të gjendemi pranë shtëpive të njeri tjetrit në më pak se 60 minuta. .Kështu po vazhdojmë, që ato rrugë të cilat shprehnin antropologjinë kryeqytetase të tiranasve edhe para se Tirana të shpallej kryeqytet, rruga e “Elbasanit”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Durrësit”, rruga e Kombit që hyn sot përmes rrugës së Durrësit, kthehen në fakt në një realitet infrastrukturor dhe më të vërtetë këto qytete Dibra, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora, të gjithë qendrat e mëdha të Shqipërisë të kthehen në realitete të prekshme brenda një kohe të shkurtër, të paimagjinueshme 4 apo 8 vite më parë. Të mos harrojmë se në themel të kësaj ndodhen shumë gjëra, guximi dhe vendosmëria për të vepruar në shërbim të interesave të vendit dhe interesave të qytetarëve, vizioni por i përkthyer me vullnet të hekurt politik në vepra, angazhimi ditë e natë për të mbajtur fjalën e dhënë por mbi të gjitha ndodhet ai virtyt, i cili mundësoi që edhe ne të ndodhemi sot këtu në këtë sallë e të diskutojmë këtë temë, dashuria për njeri tjetrin, për bashkëqytetarët që buron nga vlerat më të larta të besimit në Zot, nga vlerat më të larta të bashkëjetesës qytetare, vlera për të cilat sot edhe njëherë, me mirënjohjen më të thellë i themi faleminderit komunitetit autokton të qytetarëve të Tiranës. Mirënjohje!