Luan SHMILLI / Luftë spiunësh midis SHBA-ve dhe Rusisë

624
Sigal

FBI ka zbuluar një rrjet prej 11 personash rusë që grumbullonin sekrete ushtarake amerikane. Duke përmendur edhe spiunët e Shqipërisë

Rishfaqen në skenat “teatrale” të qeverisjeve të vendeve të ndryshme hijet dhe profilet e shumta të shërbimeve sekrete. Dhe nuk janë vetëm atje ku ka tym dhe flakë, luftë dhe të vrarë si: në Irak, Afganistan, Libi a Siri, por dhe në vende të tjera. Në Shqipëri, për shembull, flitet tashmë edhe hapur se shërbimet e vjetra sekrete sllave dhe ato greke pas lirisë së Kosovës dhe zgjimit të çështjes së Çamërisë, në jugun e marrë në tavolinë më 1913 pabesisht nga Greqia, janë rritur aktivitetet dhe veprimtaritë agjenturore të këtyre shteteve. Në media kanë shpërthyer akuza se, tre agjentë sekret grekë janë shumë të fuqishëm në qeverinë shqiptare dhe kanë diktuar gjer dhe tek preferenca greke për kufirin e detit jugor, duke rritur hapësirën detare greke e zvogëluar atë shqiptare me disa qindra kilometër katror ujera gjë që me shumë vështirësi, por pa ndëshkime, u pezullua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Një tjetër akuzë ka dalë në sipërfaqe ditët e fundit ku, shtypi akuzon se kryeministri favorizon një gazetar, i cili besohet se është agjent i vjetër i një shteti fqinj. Më parë ka qenë sërish kryeministri që në limitet e kohës shpalli dhe e përgëzoi si president të ardhshëm, një gazetar të oborrit të tij, por që e pezulloi menjëherë sapo i diktuan qenien e gazetarit informator të ish-sigurimit të shtetit monist a agjent i shërbimeve të huaja. Me parë vet kryeministri aktual i qeverisë shqiptare ka qenë akuzuar në parlament nga deputeti kurajoz Spartak Braho, si agjent i vjetër i shtetit fqinjë madje duke iu zbardhur edhe pseudonimi. E vërteta është se kryeministri aktual jo vetëm nuk replikoi, nuk kundërshtoi e deponoi në gjykatë deputetin, por koha ka treguar se nëse nuk ka zbardhur dosjen e tij, mund ta ketë blerë me garanci postesh dhe pse jo para ose kërcënim deputetin, i cili jo vetëm nuk e ka përsëritur akuzën, por me disa “shokë” partie është bërë pjesë qeverisje me agjentin e tij edhe sot kryeministër. Duhet thënë se shtypi shqiptar ka zierë kohët e fundit me temën “spiunë të të huajve”, temë kjo që duket merr fillesë institucionale kur heroit kryesor shqiptar Skënderbeut i doli agjent nipi i tij Hamza Kastrioti. Me pas Turqia për të mbajtur vendin nën pushtim “bleu shqiptarë”, u dha poste dhe para për të mbajtur popullin e tyre rebel nën perandorinë. Edhe sot kujtohen agjenturat serbe dhe greke si blenë komandantin turk të garnizonit të Janinës, Esad Pashën, që dhuroi Janinën pa luftë duke bëre që grekët të shpopullonin qytetin me vrasje dhe përzënie të 40 mijë shqiptarëve… Edhe në dorëzimin e Shkodrës malazezëve, ka diktuar Esad Pasha, që ua dhuroi fqinjëve, të cilët u përzunë vetëm pas gjashtë ultimatumesh të Italisë e Austro- Hungarisë (lexo “kronike ballkanike”). Më tej është mbreti Zog ai që bëri aleancë të fshehtë me jugosllavët, të cilët e sollën në pushtet duke përzënë qeverinë demokratike të Fan Nolit. Edhe Italia ka pasur agjentë të saj në Shqipëri, të cilët i përdori për të mos u rebeluar në kryengritje populli pas tradhtisë me ikje dhe pasuri me vete të Zogut… Sllavët, sipas librit “KGB- dokumente sekrete kishin Koci Xoxën agjent të tyre dhe pas tij një tjetër drejtues politik ardhur në krye të politikës, ka bërë zëvendësimin e tij këtë radhë të suksesshëm dhe me vazhdimësi forcash dhe projektesh. Krushovi duket qartë në një përplasje të viteve ’60, kur nuk pranonte delegacionin shqiptar dhe ndërpreu edhe mbledhjen, mendohet se ishte i mirinformuar për drejtuesin e delegacionit, kujt i shërbente… Me tej Shqipëria “ngrysej e gdhihej” me armiq, pushkatime, internime, burgje, gjer sa shpalli “i përzënë prej Krushovit, me gojë të diktatorit të proletarëve, “poliagjentin kryeministër”, i cili i kish vrarë veten “version zyrtar” duke lënë një letër ku akuzonte “Jagot”, pra spiunët… Mund të shtjellohet shumë kjo temë e nxehtë mbajtur “top sekret”, s’dihet përse nga ata që drejtojnë shtetin e përbetohen për “virgjëri spiunazhi”. Kohët e fundit ka shpërthyer një tjetër “plagë”, e cila duket se ka marrë një jetë njeriu, ndërsa disa agjentë të shërbimit sekret shqiptar janë zhdukur pa lënë gjurmë. Bëhet fjalë për të zhdukurin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, për të cilin drejtësia shqiptare këto ditë ka rihapur dyert e gjykimit dhe zbardhjes. Serish këtu lakohet kryeministri aktual, i cili në vend të shprehet dhe ndihmojë, ka zgjedhur heshtjen. Përse-ja duket se nuk është enigmë, por nuk dihet nëse drejtësia do zbardh të vërtetën. Një gjë duket se shqiptarët e dinë mirë, agjenturat e huaja, ato fqinje kryesisht, nëse e kanë kapur shtetin e mjerë shqiptar nuk e kanë kapur sot! Sot ato mund të jenë në delir gjersa me ose padashje i kthejnë kokëposhtë edhe flamurin kombëtar, pasi ja djegin publikisht në Maqedoni, Serbi e gjer në stadiumin e futbollit, në Xhenova, si ndodhi vitin e shkuar! Natyrisht, shqiptarët nuk janë nacionalistë! Patriotë po! Ndërsa qeverisja plotë dyshime të thuhet. Dhe kjo nga çfarë ka ndodhur dhe gatuar edhe skutave të errëta! Natyrisht, spiunazhi nuk është shpikje shqiptare dhe ndodh vetëm në Shqipëri. Aspak. Madje ndodh edhe në vende të fuqishme. Si në Amerikë ku ditët e fundit, përzierë me fushatën elektorale, shfaqet dhe atje, si në Shqipëri, spiunazhi. Dhe bëhet katalizator, sa shpërthyes aq zjarrndezës në fushatën e dyshes për në shtëpinë e Bardhë, Obama-Romney. Ata, ngjitur në “dyluftimin”e parë, bënë globin të qëndroi një çast dhe të kuptojë se Romney fitoi duelin, por Obama “kokulur” garanton ende fitore me ndershmërinë dhe të vërtetat e mëdha. Të enjten patëm dhe një përplasje tjetër viganësh. Rusia në përplasje me SHBA, për një “Spy Story”, e denjë për romanet dhe filmat e rinj 3D në qarkullim. Agjenturizëm. Dhe në qendër të operacioneve sekrete janë industritë ushtarake të Uashingtonit.

Agjencitë e lajmeve dhe shtypi bëjnë të ditur se nga FBI është çmontuar një rrjet i gjerë spunazhi, të gjithë të lindur në ish- Bashkimin Sovjetik dhe që eksportonin ilegalisht sekrete të ushtrisë amerikane për t’i vënë në shërbim të shërbimit sekret rus. Tetë nga këta spiunë janë arrestuar në Houtson, në Teksas, ndërsa tre të tjerë ja kanë dalë të largohen dhe mbërrijnë në Moskë. Bëhet fjalë për gjashtë meshkuj dhe pesë femra me moshë nga 31 vjeç gjer në 58, të gjithë të akuzuar se janë pjesë e një komploti që ka fillesë vitin 2008 dhe ka në epiqendër dobësimin e SHBA.

Ndërmjet këtyre 11 personave 007, është edhe një person i konsideruar truri i grupit, që ka çuar përpara rrjetin. Është një ish-emigrant i mbërritur në Amerikë, i cili ka fituar miliona dollarë me një ndërmarrje eksporti, e cila e ka bërë të realizojë “ëndrrën amerikane”. Është Aleksandër Fishenko, 46 vjeç i lindur në Kazakistan dhe jetuar në San Pieterburg, para se të stabilizohej në SHBA më 1994. Ai njihet si titullar i dy shoqërive: “Ark Elektronics” në Houston dhe “Apex System”, në Moskë. Nëpërmjet këtyre dy shoqërive, në harkun e dhjetë vjetëve, ai ka eksportuar ilegalisht teknologji ushtarake amerikane me një vlerë mbi 50 milion dollarë. Bëhet fjalë veçanërisht për komponentë elektronikë ushtarak të klasifikuar “sekret” si çip dhe mikroprocesorë, të përdorura kryesisht në ambiente ushtarake dhe aparatura sekrete si radarë, sisteme përgjimi në largësi mbi 7 kilometër, kamera për vëzhgime të detajuara dhe precizuara nga satelitë hapësinorë, sisteme drejtimi detonatorë etj… Të gjitha këto prodhime teknologjike të kohëve më të fundit, paraqesin kujdes dhe vëmendje edhe brenda kufijve të SHBA, duke ushtruar kontroll të rreptë, ndërsa rezultojnë se janë eksportuar nga “James Bond” rusë të cilët ja kanë arritur të falsifikojnë edhe dokumentacionet. Ata kanë shënuar pajisje për peshkim, kur pjesët janë për nëndetëse bërthamore… Fishenko rriskon 12 vjet burg, pasi është ai manovruesi dhe urdhëruesi i veprimtarisë agjenturore. Natyrisht Moska ka reaguar duke deklaruar se: “veprimtaria e të ndaluarve nga FBI është kriminale dhe aspak veprimtari e jonë agjenturore”. Kjo duket kartë e rregullt publicitare shfajësimi, më shumë se sa “përgjegjësi agjenturore, duke i larë duart me te kapurit”, kundërsulmon pala tjetër, që ndërkohë kanë nxjerrë një listë të zezë me 165 shoqëri të huaja të lidhura me aktivitetin e të arrestuarve. Sipas disa opinionistëve amerikanë faktet janë reale dhe koha do të tregojë edhe më mirë aktivitetin e agjentëve rusë, por momenti që shpall kapjen e tyre është e lidhur edhe me fushatën elektorale, ku kandidati republikan, Mitt Romney nxjerr pasqyrën për të parë amerikanët “armikun gjeopolitik numër një të SHBA, Rusinë” duke u kujtuar amerikanëve votues se “Obama është tepër dorëlëshuar kundër Moskës”.

Për “Telegraf” nga Italia