Luan SHAHOLLARI/ Dhjamë nga pleshti!

579
Sigal

Nga forma, por edhe nga përmbajtja, ky vendim përbën një rutinë nga vitet e kaluara. Tani, kur kanë mbetur vetëm tre muaj nga mbyllja e vitit, qeveria më tepër do të krijojë imazhin e një “qeverie në dietë”, se i dhimbsen edhe qindarkat, pasi në fakt pak mund të pritet nga masat e këtij vendimi.

Në këtë vendim të bien në sy fjalët kyçe: disiplinim, lejim, reduktim, ngrirje, pezullim, minimizim, mospërdorim, bllokim, të cilat shpesh përsëriten me njëra- tjetrën dhe i japin një aktit një ton urdhërues, gati ushtarak. Në titull përdoret fjala “disiplinim” për kohën e ardhshme, duke nënkuptuar se gjatë nëntë muajve të shkuar, shpenzimet e buxhetit kanë qenë të padisiplinuara. Në fakt nuk ka instrument më të disiplinuar në duart e qeverisë se sa Buxheti i Shtetit, i cili miratohet me ligj nga Kuvendi dhe kush e shkel atë (pak shanse ka për këtë) përballet me sanksione që shkojnë nga gjobat deri tek masat administrative e penale. Më mirë titullit do t’i shkonte fjala “shkurtim” ndonëse e dyshimtë nga pikëpamja ligjore, pasi nuk mund të shkurtohen me një akt nënligjor, shpenzimet e miratuara me akt ligj.

Pika 1 e vendimit i jep të drejtë ministrit të financave të lejojë ose jo prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime operative të njësive të qeverisjes qendrore, pasi ka  vlerësuar burimet e financimit, edhe pse  këto janë të parashikuara në buxhetin e shtetit. Në këtë mënyrë krijohet një hallkë e re burokratike ekstra-ligjore, në një kohë kur shumë mirë mund të bëhej një vlerësim i përgjithshëm se cilat projekte kanë mundësi financimi dhe cilat jo dhe të mbyllej këtu procesi. Mesa duket qeveria vazhdon të ndjekë një praktikë që e kemi përdorur në vitin 2002, kur kërkesat për financime projektesh mblidheshin deng në zyrën e ministrit të financave të kohës K.Islami dhe kur ndërhyrjet për t’i miratuar ato vinin nga “të katër anët”! Dihet se atëherë buxhetet ishin të vogla, për rrjedhojë edhe ndërhyrjet do të ishin më të shpeshta, po çuditem se si nuk paskan ndryshuar metodë edhe pas më se një dekade, kur tani buxhetet janë të mëdha e historike! (Të paktën kështu shprehet kryeministri).

Në pikën 2 parashikohet që masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare të reduktohet 20 për qind për çdo përfitues sipas një vendimi të vitit 2010, që origjinën e ka akoma më parë, që më 2002. Sa do të kursehej nga një masë e tillë? Pavarësisht sa do të ishte shuma, asaj do t’i shkonte shumë bukur shprehja “të nxjerrësh dhjamë nga pleshti”. Çuditem edhe për këtë, se si e paskan lënë në fuqi deri më sot! Në vitin 2002 mund të vendoseshin masa të tilla pasi kishte më pak kompani celulare dhe çmimet ishin më të larta, po si mund të justifikohet tani, kur edhe qytetari më i thjeshtë i ka mundësitë ta mbajë një apo dy celularë? Pse, fjala vjen, për 4 mijë lekë në muaj “vuan” një drejtor drejtorie në një Ministri?  Dhe Qeveria e “këputka në mes” këtë drejtor duke ia hequr 800 lekë? Akoma mbahen këto shtesa? Mund të ruhet një mbulim i arsyeshëm, deri tek sekretari i përgjithshëm në ministri, por jo më tej. Nëse mendohet se kjo i shërben punës atëherë do të ishte më mirë t’i rritej paga mujore se sa të bëheshin veprime  të tepërta llogaritjesh.

Pika 3 urdhëron që çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, (nuk jepet as ndonjë sqarim se ç’kuptohet me termin “e përgjithshme”) që është i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit. Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave. Ec e gjeje se cilat janë “tepër specifike” dhe cilat jo.  Duket qartë se ministri i financave e ka vënë veten mbi ministrat e tjerë!

Pika 4 është më tepër shtojcë e pikës 3 dhe parashikon pezullimin e kërkesave për inicimin e akteve të KM për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore. Kështu nuk shtohet punësimi edhe atëherë kur përcaktohet me ligj e le më pastaj të hapen vende pune ku masat qeveritare publike ndikojnë indirekt. Veprime të mirëfillta arbitrare.

Sipas pikës 5, fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk përdoret për veprimtari social – kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012. Një masë krejt arbitrare edhe kjo! Si mund të ndërhyhet kaq thellë në “punët e brendshme” të një njësie qeverisjeje? Më saktë do të ishte të mos përdoreshin për disa lloje, por jo për të gjitha!

Pika 6 redukton shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme nëpërmjet minimizimit të udhëtimeve, përjashtuar ato të një rëndësie të veçantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish duke disiplinuar kryerjen e këtyre udhëtimeve me miratimin i ministrit/titullarit të institucionit qendror dhe deri tek merrja paraprakisht e miratimit të ministrit të Financave. Kjo duket si deklarative, do isha kurioz sa valutë do t’i kursente buxhetit të shtetit.

Pika 7 bllokon trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012. Po si mund të bëhen veprime kaq ekstreme, kur mund të lindë nevojë për ndonjë specializim të domosdoshëm?

Një përmbajtje të përafërt ka edhe pika 8, dhe e fundit,  e cila redukton në 50 për qind fondet buxhetore të papërdorura për trajnimet/seminaret/kurset, përfshirë këtu edhe trajnimet e ITAP-it brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore.

Një vendim me shumë masa në letër, dhe pak pará në buxhet. Në raste të tilla të ngjashme populli shprehet : “të nxjerrësh dhjamë nga pleshti”.

Kjo “kozmetikë” me sa duket do të jetë “hyrja” e një varg shkurtimesh të vërteta  (disa miliarda lekë) që Qeveria do t’i paraqesë për shqyrtim së shpejti Kuvendit, pasi të ardhurat e buxhetit (edhe pse historike) nuk përballojnë shpenzimet e miratuara me ligj. Ky është viti  i tretë që qeveria i shkurton shpenzimet, gjë që tregon se tani nuk kemi të bëjmë thjesht me efekte të krizës nga jashtë, por edhe nga brenda.

Shënim: Kur isha duke e përfunduar këtë shkrim më ra në sy njoftim nga Gjirokastra, ku nënat e 500 fëmijëve që kanë lindur dy vjetët e fundit në këtë qark nuk e kanë marrë shpërblimin prej 5 mijë lekë për fëmijë që parashikohet me ligj. (Panorama 14.9.2012) .Duke u interesuar më tej, doli se kjo gjendje është në të gjitha qarqet e vendit. Me këtë rast do t’i  sugjeroja qeverisë që kursimet që do të dalin nga vendimi i mësipërm të shkonin për këta fëmijë para se ata të arrinin moshën për në kopsht!