Kuvendi: Gati projektligji, ja kush përfiton më shumë se gjysmë milionë lekë në muaj

158

Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”

Nga njëra anë duan të ulin pensionet dhe të heqin ato suplementare, nga ana tjetër gati ligji për pensionet e reja  speciale për miqtë dhe familjen nepotike

Ende pa u shuar jehona e fjalës në podiumin e Kuvendit të Shqipërisë nga ish-drejtori i ISSH dhe më vonë ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj për heqjen e pesionit suplementar ,një tjetër skandal ka filluar të përgatitet nga qeveria Rama, çka përbën edhe hipokrizinë më të madhe ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj pensionistëve që janë në kushtet e mbijetesës. Ndryshe nga pensionistët e vendeve të tjera në Europë, por edhe në rajon që kanë pensione dinjitoze dhe  në këto muaj me virozat të Covid-19, në Greqi, Maqedoni, Kosovë etj, pensionistët përveç pensionit morën edhe shpërblime. Ndërkohë që në çdo fundviti në këto vende dhe në Europë pensionistët marin nga qeveritë e tyre shpërblime për kontributet ndër vite që arrijnë nga 800 deri 1200 euro për person. Ja ky është trajtim dinjitoz. Ndërkohë që përveç trajtimit financiar, shëndetësia, pushimet, udhëtimet, ushqimet ,dritat ,uji e të tjera ju ofrohen me ulje. Por një gjë e tillë nuk ndodh me pensionistët shqiptar të cilëve kërkohet tu ulen pensionet duke hequr pensionet suplementare. Dhe këtu më të prekur janë ish-ushtarakët, minatorët, të përndjekurit, naftëtarët, pedagogët dhe ata që kanë pasur vlersime për kontribute gjatë kohës së sistemit të kaluar. Fjalimi i Beqajt dhe ndërhyrja e Ramës ishte një lojë për të testuar nëse do kishte reagim apo jo. Me dhjetra veteranë të nderuar të luftës dhe punës, dhe punonjës të minierave dhe naftës kanë reaguar me shkrime të ndryshme në gazetën “Telegraf” gjatë javës, duke shprehur indinjatën se ne pensionistëve na duan vetëm për vota. Por ka ardhur koha që ta ndëshkojmë këtë qeveri që e sollëm në pushtet dhe jo vetëm që na mashtroi dhe nuk na i rriti pensionet, por po kërkojnë që ti ulin ato. Mjafton të heqësh një koncesion (PPP) dhe pensionet rriten me dyfishin e tyre. Vetëm koncesioni i djegjes së plehrave për tre qytete,Tiranë, Elbasan dhe Fier u mer shqiptarëve rreth 500 miliardë lekë të vjetra ose 370 milionë euro. Një tjetër e ardhur që do mbushte arkën e shtetit është edhe koncesioni i naftës. Asnjë qindarkë nuk futet në financat e këtij vendi ndërkohë që për 7 vite të qeverisjes së Rilindjes nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë 7 miliardë litra naftë e barabartë me rreth 10 miliardë dollarë ( 7 miliardë litra naftë x 1.5 USD  çmimi për 1 litër = me 10 miliardë  dollarë). Pra në çdo vit fitohen nga nafta 1.5 miliardë USD. Me këtë shumë  do të rriteshin të gjitha pensionet me 100% pasi 500 milionë USD duhen për pensionet, rreth 400 milionë USD  për rrogat e administratës që edhe ato të rriteshin 100% , dhe të mbetej edhe një shumë tjetër për investimet. Pra po flasim vetëm fitimet nga nafta, pa llogaritur minierat, energjinë dhe HEC e trashëguara nga koha e PPSH-së. Nuk kemi llogaritur as taksat ,as tatimet e qytetarëve dhe bizneseve. Madje nuk kemi llogaritur as kreditë që kapin shifrat 1 miliardë USD për çdo në vit të marra nga qeveria Rama. Qeveria e Rilindjes e mori pushtetin në 2013 me 5.9 miliardë euro borxhe ( 1990-2013) dhe sot duke i shtuar edhe kredinë  që do meret për tërmetin dhe këto që janë dhënë  për koronavirusin, shuma arrin në 14 miliardë euro. Pra 8 miliardë euro për 7 vjet. Një tmerr i vërtetë dhe varfëria në vend që të ishte lehtësuar është shtuar akoma më shumë, duke e çuar vendin në greminë. Dhe në këtë vazhdë, del në mes të parlamentit një ministër dhe përfaqësues i komisionit parlamentar për ekonominë dhe financat dhe kërkon të ulen pensionet ?! Kryeministri deklaron pas pak ditësh se unë nuk di gjë dhe Beqaj e ka thënë nga mendja e tij. Kë të besojmë ? Po na duket si ato batutat e kohës së socializmit ku  Pal Vata thoshte se: “Unë dhe Enveri nuk dimë gjë, por e ka bërë Mehmeti me kokën e tij”. Sa për të qeshur ,aq edhe për të qarë. E në këto kushte qeveria shqiptare ka gati një tjetër projekt-ligj ku do tu jepen pensione suplementare dhe speciale një kategorie të caktuar njerëzish pse jo dhe miqsh, por me kusht që ajo të jetë deri në  580 mijë lejë të vjetra në muaj.

Projektligj i ri në Parlament për pensione, pikërisht nga e njëjta sallë ku u kërkua të hiqen pensionet suplementare të atyre që e kanë fituar në këto 30 vite

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili u shton kategoritë e personave që përfitojnë pension special nga shtetit, nëse kanë dhënë kontribut dhe kanë spikatur në profesionet e tyre. Nisma sipas “Shqip” është propozuar nga qeveria që në shkurt të këtij viti dhe që pritet të miratohet nga Parlamenti në ditët në vijim, shton sportistët si një kategori e re, për të përfituar pension të posaçëm.Projektligji ndryshon shkronjën ‘b’ të nenit 5 të ligjit për sigurimet shoqërore të vitit 1993, duke parashikuar që njerëzit, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e sportit kanë të drejtë të përfitojnë pension shtetëror të posaçëm.Në relacionin e projektligjit, qeveria sqaron Kuvendin se “duke marrë shkas nga rëndësia e sportit dhe e kontributit të dhënë ndër vite nga sportistë elitarë në këtë fushë, propozohet që të drejtën për të përfituar pension të posaçëm ta kenë edhe këta individë. Ndryshimi që propozohet me këtë projektligj shihet si përparësi në motivimin e individëve për gjithëpërfshirjen e tyre në fushën e sportit”. Për hartimin e këtij projektligji ka kontribuar ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nisma është dërguar për mendim në ministrinë e Drejtësisë, e cila është shprehur dakord me sugjerimet. Më pas qeveria e ka dërguar në Kuvend, i cili e ka përfshirë në axhendën e punimeve.Ligji aktual në fuqi parashikon se pension special shtetëror kanë të drejtë të përfitojnë politikanët me rezultate të dallueshme në politikë, njerëzit e shkencës, kulturës, arteve dhe ekonomisë.Gjithashtu kanë të drejtë të përfitojnë personat që kanë vuajtur nga persekutimi politik në rrëgjimin komunist si dhe personat që kanë marrë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta.Pensioni u posaçëm është shtesë mbi pensionin që iu takon këtyre kategorive nga sigurimet shoqërore ose edhe pension i vetëm nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Shuma e pensionit të posaçëm është 29.000 lekë të rinj në muaj, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë. Ajo është katërfishi i pensionit social, shuma e të cilit është 7.262 lekë të rinj në muaj. Shuma e pensionit të posaçëm plus shumën e pensionit e pleqërisë nuk mund ta kalojë shifrën prej 58.000 lekësh të rinj në muaj ose 580 mijë lejë të vjetra në muaj. Me sa duket këto pensione do të zëvendësojnë pensionet e mëparshme duke përdhosur punën, djersën ,sakrificat dhe vuajtjet e qindra individëve dhe familjeve të tyre në vitet e mëparshme.