“Kush bën shtambën, bën dhe vegjën..! ’’

1042
Evdal NURI 

“Kjo shtambë e ka vegjën kaq të fortë, sa që po e mban gjallë, edhe pse i ka ardhur koha për t’u thyer”. Ajo është e mbushur me mëkate të shumëllojshme e përsëri s’ po thyhet! Këto muhabete i dëgjojmë shpesh në diskutimet që i kemi pa “bereqet “, ne intelektualët e papunë, që mbase as na pyet e as na dëgjon njeri! Kur ia tregova një mikut tim, A .Nurellarit idenë e një shkrimi të tillë, ai m’u përgjigj: “A do të jemi ne atëherë?” Pyetja shtrohet më thjesht ajkoma: “A do t’i zërë ndëshkimi për gjynahet që ka bërë secili në punën e jetën e tij, dhe kur?” Kohë më parë më kanë treguar këtë histori. Në vitet ’30, të shekullit të kaluar një shqiptar pas një emigrimi 10-vjeçar po kthehej për në Atdhe. Udhëtimi bëhej me vapor e zgjaste muaj. Një ditë së bashku me shokët loznin letra në verandën e vaporit. Pranë kishte një trastë me dollarë që e mbante me vete, mbase kishte frikë se mos ia vidhnin. Ç’ndodhi? Një majmun (që në atë kohë mbaheshin në vapore) ia mori trastën e u ngjit në shtyllën e vaporit. Hapi trastën e filloi t’i hedhë dollarët në ajër. Shumica ra në kuvertën e vaporit, një pjesë në oqean. I shqetësuar e i mërzitur mblodhi dollarët që ishin në vapor. Shoku që po lozte e pyeti. Ç’punë ke bërë në Amerikë? Shisja qumësht. Do t’më tregosh të drejtën. A i ke hedhur ujë qumështit? Po, por pak! Dëgjo miku im ! Dollarët që të ranë në det janë ato që i ke fituar nga uji që i ke hedhur qumështit. Ato kanë qenë haram. Të tjerat i ke hallall. Çojua kalamajve! 

1- Harami është haram ! 
Para disa ditëve isha në Petrelë. Jo në vilat që janë pranë TEG-ut, (edhe ato janë shumë të bukura ), por më lart. Ç’të shikoje! Me dhjetëra vila “përrallore”. Shumë hektarë tokë të zëna . Pashë një botë tjetër. Shoqëruesi (banor i zonës) më tregonte vilat që vetëm imagjinata mund t’i prekë! Ai më thoshte me emra e mbiemra. Kjo është e filanit, kurse ajo e fistëkut. Ajo atje e x-it , kurse kjo e y-it. Të gjithë emra të dëgjuar të politikës, biznesit, drejtësisë, mediave. E di sa kushtojnë? Çmimet shkojnë nga 700 – 1 milion euro. Mendova, ç’aftësi të veçantë kanë këta njerëz? I kemi dëgjuar s’i flasin e ç’nivel diskutimi bëjnë. “Janë mjeshtër për të abuzuar me këtë shtet.” më sqaroi shoqëruesi. E “rropën” këtë vend. Shtetin e drejtësinë e kanë të tyre. Ca ata e ca këta. Tani zihen se kush ta ketë më tepër për vete! Kur i pyet për këtë vilë apo atë pasuri, të thonë: “Kam marrë kredi!” .“Kredia” është rruga më “bindëse” dhe e sofistikuar për të mbuluar korrupsionin! Tek ne, kur i varfëri merr diçka që s’i takon, quhet hajdut e futet në burg. Të pasurit kur i zbulohen miliona euro abuzime, quhen ‘të korruptuar’ e kaq! I varfëri kursen gjithë jetën që të mos vdesë i varfër, e përsëri i varfër vdes! I pasuri harxhon gjithë jetën e përsëri i pasur mbetet. Pra, e keqja tek ne nuk na vjen nga të varfrit që s’kanë të hanë, por nga të pasurit që s’kanë ngopur. Kur u ktheva në Tiranë takova një pensionist të nderuar. Për t’u liruar nga ç’ kisha parë ia tregova. E dini s’i m’u përgjigj. Edhe në Boston s’i gjen ato vila! Kam vajzën atje e s’kam parë vila kaq luksoze! Sa të pasur një grup njerëzish e, sa të varfër shumica! Është e çuditshme se politikanët tanë janë “kompetentë” të “japin mend” dhe flasin, jo vetëm për politikën, por dhe për sportin, artin, kulturën, modën, mjedisin, kuzhinën e gjithçka tjetër, kurse për “zanatin” që paguhen ”ngelen në klasë”! Mirë që nga shteti s’kanë frikë, por s’pyesin as nga Zoti! “Le që ata s’besojnë në Zot, se po të besonin do t’na kishin bashkuar e jo ndarë.”, m’u përgjigj miku im. Të kuptohemi, unë vura në dukje ç’pashë. Nuk dua të akuzoj asnjë, prandaj s’po përdor emra. Kush i ka vënë me djersë e ndershmëri, hallall e pastë. Të tjerët që kanë shfrytëzuar postin e në rrugë korruptive janë pasuruar, harrëm ta kenë! Edhe Zoti thotë: “Hallalli është hallall e Harami është haram”. Nëse kjo histori që tregova në fillim të shkrimit, do të praktikohej tek pasanikët tanë, qumështi i tyre do të kishte shumë ujë. E, s’i rrjedhojë, në det do kishin përfunduar shumica e pronave, vilave e dollarëve, ngase ato janë haram. 2-Intelektualët më të varfrit Bisedonim mes shokësh e miqsh, si Prof. Dr Hysen Kordha, ish kuadër i lartë ushtarak dhe Xh. Baxhija pse janë aq të varfër intelektualët që s’u morëm me politikë…? Ne dimë se politika është arti i të drejtuarit të një shteti dhe jo arti të pasuruarit si ndodh tek ne! Si s’ka një politikan të varfër tek ne?! Por ja që politikanët tanë janë kthyer në mjeshtër për t’u pasuruar e përfituar. Ata rrinë duke akuzuar të tjerët, duke mos zënë në gojë, “ndershmërinë” e vet! Në filozofi thuhet: “Qenia shoqërore përcakton ndërgjegjen shoqërore”. Njeriu jeton, flet diskuton me njerëzit në përputhje me kushtet ekonomiko-sociale. Diskutimet e të pasurve zhvillohen në përputhje me qenien e tyre. Fjala vjen, ata diskutojnë se në cilin shtet do shkojnë tani në fund-viti për festat? Me ç’avion do të udhëtojnë? Ne diskutojmë, sa e kemi pensionin? Kush do t’i paguajë kafet sot? Kjo është qenia, ky është mendimi e diskutimi i intelektualëve, që dekada të tëra i kanë dhënë mend edhe atyre që sot “po na japin mend”. Të kuptohemi, jo se s’kanë mend, këta e shumë të tjerë, por varfëria i ka ulur kokën. Në fakt gjumin e bëjmë të qetë, por na ka mbetur vetëm emri, megjithatë edhe kjo s’është pak. Kohë më parë thoshin, se sa të fillojë Vetingu e do ta pësojnë. Më vonë, ja sa të ikë Kryeprokurori. Tani kanë filluar “lojën” e Kryeprokurorëve të përkohshëm e të përhershëm. Ja u zgjodh njeri. Keni për të parë që do të nxjerrin “yçkla të tjera! Të dy palët kanë strategjinë e tyre e “kapen në kushtetutë”, duke e interpretuar atë sipas interesit të tyre. S’dimë dhe ne kujt t’i besojmë? Po dëgjojmë Vetingu, Reforma në drejtësi, Kryeprokurori, po kur do të zbatohen? Ne në anët tona themi: “Kur t’i bëhet qejfi Agait, i ka dalë shpirti fukarait”. Po presim dhe dy-tre muaj. Por mos na i shtyjnë nga pranvera e më vonë vera! A do të mund të shohim të gjithë”bëmat” e tyre? U “lodhën” ata së foluri për “ndershmërinë” e tyre, por dhe ne së dëgjuari. Na është sosur durimi e mërzitur televizori, mbasi kudo shohim të njëjtat fytyra e po ato fjalë. Tani s’i do vejë puna…? E vërtetë, ndërkohë kur partitë, e quajnë veten “fitimtarë” për reformën në drejtësi, po edhe kjo po zvarritet si edhe vetingu! Njerëzit e zakonshëm, ata që kanë hequr mbi shpinë padrejtësitë e drejtësisë, ende janë të stepur, për të besuar një mbarësi. Peshorja e drejtësisë është anuar kaq keq e kaq njëanshëm, sa që vetëm mendimi se mund të fillojë nivelimi i saj, është i pakapshëm. A do të zbatohen çka na rekomandojnë ndërkombëtarët? Kjo është kryesorja. Porosia nga BE dhe i ShBA është që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja. 27 vjet na ka gërryer korrupsioni. Por këto institucione, do të mund t’i rezistojnë presioneve që s’do të jenë të vogla!? Të shohim, shpresat i kemi te ndërkombëtarët, se këtë tanët…!? Duket se po afrohet dita për larjen e “mëkateve”. Ata kërkojnë të fitojnë kohë. Të zvarrisin gjithçka që ka të bëjë me ta, duke zbatuar taktikën: Mbrojtja më e mirë është sulmi. Kam frikë se s’po i zë gjumi, pasi po vjen dita e ndëshkimit? Por përsëri pyes: “Kush bën, shtambën bën dhe vegjën “. Mos kanë menduar dhe për “vegjën”?! Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme, sepse do të jetë e fortë përpjekja që të shpëtojë shtambën e zullumeve që po rrukulliset, por s’po thyhet ! Deri tani ka rezistuar! Më vonë s’di ç’të them! Të shohim, unë jam skeptik…?!


Sigal