“Kudo batakçinj, që mendojnë veç rrjepjen…!?”

830
Sigal

Evdal NURI

1-Të jetuara

Unë kisha dëgjuar, por tani kam bindjen se kudo duan të na “rrjepin”! Isha në Durrës. M’u prish celulari. Vajta në një qendër servisi. Pa e parë më tha:

– S’kam kohë tani, lëre dhe pas dy ditëve hajde ta marrësh.

– Sa kushton?- i thashë.

– Nuk e përcaktoj dot tani, Kur e pa që do të ikja, bëri sikur e pa e më “sqaroi”: Kur bateria bie nën tre volt… e kështu dhe ashtu, por theksoi, se kushton shumë!

Erdha në Tiranë e çova tek një i njohur. S’ka gjë më tha, e ka fajin karikuesi. Pagova 300 lekë, gjithçka në rregull. Një vajze i ngeli makina në rrugë. Mori karro-atrecin dhe e çoi në servis. Me ta parë i thanë: “Ka kambion automatike”. Ajo bën afërsisht sa kushton makina. Pasi panë shqetësimin e vajzës, gjetën rrugën e “shpëtimit”:

– Kemi ne një të përdorur, bën 700 euro, por punon shumë mirë. S’kishte kaq lekë e u largua. E çoi diku tjetër. I ndërruan dy bobina. Pagoi 10.000 leke dhe makina ecën për mrekulli. Pra, përdorin lloj-lloj marifetesh, vetëm për ta hedhur.

Një rast për të qeshur

Njëri kishte larë makinën në disa lavazhe. Një ditë iu shpua goma. Kur donte t’i vinte gomën rezervë, pa një të vjetër. Ia kishin ndërruar! Raste të tilla ka sa të duash. Kudo ka zanatçinj jo të ndershëm. E keqja është se, dhe kur i shkon prapë për të njëjtin defekt të thonë:

-Jo… radhën e parë s’kishte këtë, kishte atë tjetrën, që unë ta rregullova. Tani ka këtë, e vënë dorën diku. E ku e di “i ziu” njeri se ç’kishte kohë më parë e ç’ka tani ? Thonë se klienti është “mbret”. Kjo vetëm në Shqipëri nuk zbatohet. Klienti tek ne është viktima! Ky është problem i kudo ndodhur tek ne. Fitimet e këtyre matrapazëve janë të mëdha. Atëherë si do zgjidhet ky problem…? Unë s’marr vesh nga këto punë, por diçka mund të bëhet. Ka inxhinierë të zotë. Ka përvojë botërore. Fjala vjen, pse të mos krijohen qendra të specializuara për të përcaktuar defektet e makinave e me një dokument ta rregullojnë në servise sipas një çmimi të caktuar? Kjo do të ishte një nga rrugët e zgjidhjes, por ka dhe shumë rrugë të tjera.

 2- Të dëgjuara!

Një shok më tregonte: “Kaloja te shkolla “Kosova”. Pranë më qëndroi një makinë Fuoristradë. Një meso- burrë i mbajtur më thirri e me një shqipe të deformuar: “Skuzate, una Italiano, jo mirë shqip. Ekspozita Toptani per rroba .Tepër tre kostumi”. Kur e pa që unë hezitova, vazhdoi miku im, fillojë t’më bindë. “Pa lekë ty! Unë loja kazino ne Tajvani. Humb 7000 euro. Jo hiki dot me avion. Hiki me traget, e merri këto kostumi për 40.000 lekë.” I hutuar, por dhe i befasuar nga veshja, por dhe nga makina i thashë se 30.000 kam, ja kthehu miku im! No problem, më dha çamtën, mori lekët e u largua.” Kur hap çamtën, shoh vetëm tre xhaketa të vjetra! Shkurt, ishte shqiptar që ma hodhi! I lumtë, por më pas vazhdoi “sherri” me gruan! Ç’të duhet ty të qëndrosh? Ti asnjëherë s’ke blerë rroba vetë! Ku të gjejnë ty…?

Rast tjetër

Tek “Ali Demi” .Qëndron një taksi para një çift që dukeshin të mbajtur e të zënë nga pamja. Zbret një djalë zeshkan e i propozon çiftit një komplet enësh . Ky e quajti vetën Slloven, që “banoka në Sarandë” e paska ardhur nga një shoqatë bamirësie me rastin e pashkëve. Këto enë janë për t’u falur. Kur gruaja i tha lëri këtu, ai u përgjigj: “Jooo bije në shtëpi.” Tek hyrja e pallatit pa disa fqinjë, “Mos i thoni këtyre, se një komplet kam vetëm për ju.” Në shtëpi, hapi valixhen e bukur e nxori një tigan e disa tenxhere . “Këto i keni falas, por do të paguani doganë që bën 300 euro”, sqaroi batakçiu.  –Jo, i tha gruaja. Ne jemi pensionistë e s’kemi 300 euro, merri e ik. Pse ikte ? Po s’patët lekë, keni ndonjë arturinë, unazë floriri ose flori të përdorur? Përfundimisht pas një debati të gjatë batakçiu , zhvati 60000 lekë e 20 euro! Pas disa ditëve, sqaroi shoku e takova tek “Kafe- Flora”.I dhashë të njohur, se isha ai që më kishte dhënë një komplet kuzhine. Me një shqipe të plotë më tha: “S’jam unë, më ngatërroni me ndonjë tjetër.” Të tillë janë. Ka raste që burra të veshur e të krekosur hiqen si tatimorë. Kanë gjetur ndonjë karton, të vijnë e të bërë presion për këtë ose atë shkelje! Në fund të thonë, ta mbyllim këtë: “I ndajmë 50.000 lekë ti e 50.000 unë!” Tek një shitës vjen një grua e blen 150.000 lekë mall. Ja erdhi burri me makinë, po i vendos në bagazh e të jap lekët. Hipi në makinë e u largua. Hajde gjeje…? Një farmaciste tregonte: “Sa hapa qepenin më vjen një burrë më lot në sy. Kam vajzën për operacion në një spital privat, po më vdes. Vuri duart në kokë e qante! Më duhen 300.000 lekë. Ti s’më njeh, por gruaja ka vite që merr ilaçet këtu! Më erdhi shumë keq dhe ia dhashë . Në atë gjendje që ishte dhe një milion t’më kishte kërkuar do t’ia jepja. Ka kaluar një vit, as ai dhe as gruaja, s’janë dukur!” Format janë nga më të sofistikuarat e të shumëllojshme aq sa s’të shkon mendja, por përmbajtja është një: Zhvatje me mashtrim! Të kuptohemi, unë po flas për të vegjlit, me pakicë, ndofta ndonjë herë tjetër do të trajtoj, pasuritë e treguar e të pa treguara, si dhe mashtrimet që bëjnë të mëdhenj me shumicë !

3-Arsyetimi për këto fenomene!

Tek ne është kthyer në normë morale, të gënjesh, t’ia hedhësh tjetrit, mashtrosh, përçmosh, dhunosh, për ta zhvatur atë! Pse ndodhin këto? Nga dembelizmi, se duam të fitojmë papunuar? Nga varfëria? Pse jemi gatuar keq? Nga një moral i cunguar? Këto tek ne ndodhin në çdo profesion! Tek televizorët, celularët, mekanikët, tek riparimet elektro-shtëpiake, analizat mjekësore, farmaci e tjerë! Ca me të hedhur e ca me të dredhur! Është interesant se, secili në vendin e tij të punës në rrugë të pandershme do të fitojë diçka, duke të dhënë mallin apo atë çka blen më shumë se sa kushton, meqenëse ti s’merr vesh nga ajo punë! Shkurt, duan t’na dëmtojnë! Shumica nuk zbulohen, por dhe po u zbulua, mbulohet. Disa nga frika s’flasin, të tjerët me korrupsion e mbulojnë! Shumica na i dredhin, s’i “bamirës”, që iu “këput shpirti!” Ka boll mashtrues ordinerë që deformojnë gjuhën e nënës e na paraqiten si të huaj e “dashkan ‘ t’na ndihmojnë!” Jo të gjithë janë të tillë. Por dhe ata që kanë mbetur dhe janë të ndershëm, në këto kushte në këtë mjedis, kanë zgjedhur rrugën e emigrimit!

4-Pse emigracioni ka mbetur rruga e shpëtimit?

Të gjendur në këtë situatë, dëshpërimi e papunësie, në një situatë krimi e ndotje sa dyfishi i Evropës. Në prezencën e batakçinjve të mëdhenj apo të vegjël, njerëzit kërkojnë shpëtim për t’u larguar. Disa shifra e fakte që të shqetësojnë, por dhe befasojnë! Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52% nga 44% që ka qenë në 2007. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin. Emigrimi i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë.

57 % e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë.

  • 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë.
  • 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri.
  • Rreth 1.4 milionë vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë, ka emigruar në Evropën Perëndimore, SHBA dhe Kanada, që nga rënia e regjimit komunist në 1991 e deri më sot.

Këto janë fakte. Jemi vendi i parë në Evropë dhe i pesti në Botë për emigrimin e popullsisë. Jemi vendi i fundit në Evropë për të ardhurat për frymë! Këto dy shifra mjaftojnë për t’u mos u mburrur, si atë të parët në monizëm kur deklaronin, që Shqipëria, “qenka vendi me nivelin më të lartë të të ushqyerit!” Në bisedë me shokun e shkollës, E. Qafa më tha: “Mjerë i ndershmi!” Mendoj se, fatkeqësisht, kishte të drejtë !