Krenarë u nisën, më krenarë u kthyen

952
Sigal

Harry Bajraktari*

“Batalioni Atlantiku” i cili u formua në Prill të vitit 1999 në SHBA, këto ditë po kremton 20 vjetorin  e themelimit të tij. Para dy dekadash nga hoteli “Royal Regency” në New York, shumë të rinj vullnetarë shqiptaro-amerikanë nisën rrugtimin e tyre historik për t’iu bashkuar UÇK-së në luftën e shenjtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ky është organizimi i parë në këtë mënyrë që është bërë ndonjëherë jashtë atdheut për të marrë pjesë në një luftë për liri, e që ka një rëndësi tejet të veçantë për faktin se këta luftëtarë të këtij batalioni u nisën nga SHBA. Shumë luftëtarë nga këtu që shkuan në luftë për t’ u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe, janë të lindur në SHBA që do të thotë se familjet e tyre arritën të edukojnë fëmijët në atë frymë që ta duan atdheun dhe vendin prej nga kanë ardhur ata vetë.

Sot pas 20 vjetësh, në mënyrë të organizuar, udhëtuan nga i njëjti vend në Kosovë dhe Shqipëri për të kujtuar këtë ngjarje të madhe historike të kombit tonë. Në mesin e këtyre luftëtarëve të rinj e të vendosur ishte edhe një vajzë shumë e re, Linda Muriqi, e cila kishte shprehur dëshirën dhe vullnetin e saj që edhe ajo të jipte kontributin për Kosovën, në luftë kundër forcave ushtarako-policore serbe.

Ideja e Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të New York-ut, në bashkëpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Shoqatën Atlantiku, me Gani Shehun kryetar, që kjo ngjarje të shënohet në mënyrë sa më dinjitoze, duke vendosur përgjatë rrugës së kombit në Kosovë dhe Shqipëri nga një flamur kuq e zi në çdo 100 metra, është një ide që simbolizon më së miri rrugëtimin historike dhe pjesëmarrjen në luftë të këtij batalioni dhe sakrificën e popullit tonë. Nga një flamur vëhet edhe për të gjithë të pagjeturit që familjet i presin me dhimbje të madhe eshtrat e tyre prej 20 vjetësh.

Mark Gjonaj ka arritur të bëjë edhe një punë shumë të rëndësishme rreth unifikimit të organizatave të shumta në komunitetin tonë, shqiptaro-amerikan.

Luftëtarët e Batalionit Atlantiku me komandantin Hysni Syla, me krenari të jashtëzakonshëm u nisën dhe shumë më krenarë u kthyen në SHBA, meqë kishin lënë Kosovën e çliruar nga një armik shekullor që kishte vrarë, masakruar, dhunuar, dëbuar e zhdukur shqiptarët për ta ndërruar strukturën e popullatës në favor të asaj serbe në Kosovë.

Luftën e Kosovës e ka mbështetur i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan në mënyra të ndryshme, qoftë materialisht, qoftë me lobim dhe me protesta të vazhdueshme në Washington dhe New York. Këtu do të theksoja edhe kontributin e Florin Krasniqit, i cili për shumë kohë ka bërë furnizimin me armë të UÇK-së  dhe mjete tjera të nevojshme.

Pjestarët e Batalionit Atlantiku sot pas 20 vjetësh janë në Kosovë e Shqipëri për të kujtuar sakrificën e madhe që bëri populli ynë për liri, që Kosovës i ka munguar me shekuj.

Tre pjestarë të këtij batalioni, tre heronj të sotëm, vëllezërit Bytyqi, Ylli, Mehmeti dhe Agroni nuk u kthyen kurrë në vendin prej nga u nisën, ata u masakruan pasi lufta kishte përfunduar nga policia serbe dhe trupat e tyre u gjetën të hudhur bashkë me shumë shqiptarë të tjerë në një varrezë masive në Serbi. Askush deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi, dhe askush nuk është dënuar, kur dihet se ata që bënë krimin në një burg ishin në pozicione të larta në policinë serbe, me emër e mbiemër.

Serbia duhet të japë gjithësesi përgjegjësi për gjithë gjenocidin e kryer në Kosovë, për mijëra e mijëra shqiptarë të vrarë: fëmijë, gra e pleq, për dëbimin masiv në zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, për numrin e madhe e të pagjeturve dhe për dhunimin e mbi 20.000 femrave. Është shumë e domosdoshme që klasa jonë politike të bëjë më shumë që Serbia të detyrohet të japë llogari para drejtësisë sonë dhe asaj ndërkombëtare për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Sot, pas 20 vjetësh, çdo gjë është ndryshe. Kosova ka bërë ndryshim, por jo aq sa është pritur. Duhet më shumë vullnet dhe punë për të ecur ajo drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe një demokracie integruese evropiane.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro -amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.