Kozma GJINI/ Tendencë apo eksperiment?

492
Sigal

 A është edhe bujqësia një sfidë që mund, dhe duhet, fituar? Kështu, e copëzuar në ngastra, do të shkojë në Evropë bujqësia jonë? Politikanët tanë kur janë ndodhur në vështirësi për votimet i janë drejtuar elektoratit rural, dhe kryesisht atij të lëkundur. Iu kanë premtuar lehtësimin e kushteve të jetesës, rrugë, ujë, transport, ulje çmimesh për naftën, plehrat…rimbursim…dhe së fundi…si dolën fermerët? Të humbur. Ndodhur në këto situata, fshatari ynë po i zgjidh vetë hallet e tij. Në fillimet e demokracisë, nga dëshira për të hyrë sa më parë në fushën e integrimit me tregun evropian, fermerët,  sipas modelit “Shih rrushi rrushin dhe piqet”, e mbollën të gjithë sipërfaqen me presh. Këdo të pyesje të përgjigjej se tokën e kam mbjellë presh. Besimi mbështetej në argument. Sepse dikush nga tregtarët e huaj kishte ardhur me makina në fshatrat dhe ua kishte marrë të gjithë sasinë e preshit që kishin në arë, madje edhe të pazhvilluarin. I huaji i mbushi kamionët me presh dhe u tha fshatarëve: “Mbillni sa më shumë presh. Kaq kishin dashur fshatarët. Ku kishin parë ndonjëherë të jepnin mallin e të merrnin paret në dorë! Aq më tepër kur të vjen tjetri e ta merr mallin te dera e shtëpisë. Kështu, gojë më gojë, fjala mori dhenë dhe vitin tjetër kudo që të hidhje sytë në parcelat e fshatrave do të shikoje se jeshilonte preshi. Të gjithë sipërfaqen e tokës e kishin mbjellë me presh. Por, të gjorëve, u mbeti preshi në ugar. Do vij sivjet e do vijë motin tjetër… i huaji s’u duk atë vit. Fshatarët u dogjën dhe mësuan nga ky pësim.

Fermerët në  Gorre, Divjakë, Krutje, Këmishtaj, Remas e kudo, të flasin me keqardhje se për bujqësinë është folur shumë, sa ç’është lënë edhe pas dore. Ndodhur në këtë situatë, ata po gjejnë vetë rrugëdaljen nga ky kolaps bujqësor dhe ia kanë dalë apo s’ia kanë dalë, është e vështirë të thuhet, por mbijetojnë. Mbijetojnë me mjaft sakrifica e shpenzime. Fshatarit tonë kurrë nuk i ka munguar vullneti dhe dëshira për të punuar, por këto dy dekadat e fundit atij i është dashur të kryejë edhe rolin e bujkut, të agronomit, të drejtuesit, menaxhuesit e marketingut. I ndodhur në këtë amulli “specialist për gjithçka”, ai po eksperimenton duke humbur. Duke humbur jo vetëm energjitë e tij fizike e morale (sepse i ziu njeri këto s’i bën hesap), por mbi të gjitha nuk po mendon për borxhin që është futur deri në grykë për t’i shërbyer tokës nga mbjellja deri në vjeljen e shitjen e prodhimeve. Koston financiare të prodhimeve të tij nuk ka kandar që ta peshojë. Për ditë e më tepër rriten çmimet e plehrave kimike, të pesticideve. Toka kërkon një varg shërbimesh zinxhir që lidhen me: naftën, plugimin, shkrifërimin, sigurimin e farës, mbjelljen, plehërimin, prashitjen, ujitjen, deri te transporti i prodhimit e nxjerrja në  treg? Çfarë tregu? Dalin karshi tregtarëve të pakicës për të marrë pesë lekë që s’i kompensojnë as rrugëtimin. Nuk është për të gjithë kjo gjë, sepse ka edhe të tillë që e filluan që ditën e parë “fito duke humbur” dhe i mësoi sado pak loja e tregut, por pjesa dërrmuese po vuajnë për të dalë nga kolapsi. Fshatari ynë ka një detyrim financiar ndaj shtetit për tokën. Por çfarë do të paguajë ai kur nuk ka siguruar as bukën e gojës me kulturat që mbjell? Ai është bërë pesimist, sepse kur shkon në treg, sorollatet nga tregtarët e shumicës të cilët ia ulin çmimin e produkteve deri në injorim. Dhe pastaj… sapo i kthejnë kurrizin fshatarit, e ngrenë çmimin për çdo kg. duke ia shitur konsumatorit me dyfishin e blerjes. Vini re panxharin e kuq si u rrit këtë 15 ditësh nga 12 në 20-25 lekë. Pse mos? Kush do ta kontrollojw, kur organizmat kompetente flenë gjumë? Në disa zona vitet e fundit po vihet re një tendencë e re e progresive. Disa fermerë dëshirojnë të aplikojnë punën me kontratë me porositësit (tregtarët e mëdhenj), por janë mes dilemës se kontrata të vë përpara zgjidhjes ligjore, në rast mosplotësimi të kritereve. Ku t’i gjejë fshatari këto para për të mbuluar dëmin? Këtu fillon tërheqja. Kështu që disa fermerë bëjnë sikur fitojnë, bien  e ngrihen, kurse disa rrëzohen e zhyten për të mos e marrë më veten. Të vjen keq kur shikon fshatarin që  robtohet tërë ditën në arë dhe nuk di se çfarë bëhet në arenën hapësinore të fushave të tjera, dhe e merr gjumi duke parë televizorin. Fermerët tanë duke parë se nuk po e gjejnë dot se çfarë bimësh duhet të mbjellin sot, e çfarë mot, kultivojnë pak nga të gjitha çdo vit. Një pjesë e mirë ju sulën serave dhe po të shikosh sot, janë të rrallë ata që s’kanë sera. Por nuk është kjo zgjidhja. Aktualisht ka një prirje që e çon pak më tej idenë e serave se në mos shumë, pak apo diçka do të marrin. Nga dëshira që të zënë kohën e humbur, fermerët po ia japin shpirtin tokës, por nuk po i prekin frytet e djersës së tyre. Ndodhur në këtë mëdyshje, fermeri po hyn në rrugë pa krye me tokën dhe disa syresh po ia japin dikujt me qira tokën apo e kanë lërë djerrë. Mirëpo në “oborrin” e fshatit u duk përsëri tregtari i huaj…ai që dikur u kishte blerë preshin. Obobo, thanë fshatarët, ç’fatkeqësi. Ai, pasi i ngarkoi të gjithë preshin e fshatarëve, i pyeti: “Ku i keni kooperativat? Unë s’do të trokas derë më derë të mbledh preshin tuaj!”. Çfarë the, more, thanë fshatarë, Kooperativë? Pu, pu, pu! Sa e dëgjuan këtë fjalë i kthyen kurrizin të huajit. Por i huaji s’hoqi dorë e u tha se do t’i ndihmonte ata më mirë po t’i kishin tokat të bashkuara në sipërfaqe të mëdha që të fuste këtu makinerinë e të dilte në fund të fshatit. Nuk u mbushej mendja fshatarëve. Pa u morën iniciativa e u bënë tentativa edhe nga inteligjenca jonë agrare që të niste së paku kjo praktikë “kooperativë” dhe me kalimin e kohës do të mësonin, por jo që jo fshati. I huaji pruri këtu edhe asistencë teknike. Specialistët nga vendet e përparuara evropiane dhanë praktikisht ndihmën e tyre, por nuk e realizuan që nuk e realizuan një të tillë bashkësi. Atëherë ata, kur ikën, morën me vete (për të marrë përvojë) edhe disa nga fermerët tanë që të shikonin se si kanë organizuar kooperativat e si kanë përparuar fermerët e atij vendi. Vërtetë fshatarët ishin habitur me prodhimet e homologëve evropianë…me kooperativat. Ama kjo qenka kooperativa!, thanë fermerët, po kjo është lule. Dhe me atë vrull erdhën ta aplikonin këtë përvojë në vendin e tyre, por ngecën në batakun e rutinës së përditshme, në mungesën e legjislacionit të detajuar të iniciativës private dhe të tërhequr më tepër nga frika e mëdyshjes mes tokës në përdorim dhe në pronësi dhe i hynë sërish belit me krahë.

Vijuan praktikën e përditshme të mbjelljes së tokës një copë misër, një copë grurë, një copë presh, pak sera me domate, speca a tranguj etj. Vërtet kaq i “pagdhendur” qenka fshatari ynë? Jo. Ai është shumë i dhënë pas tokës, është shumë punëtorë, e dashuron tokën, por ka nevojë për konsulencë, për veprime konkrete, të prekshme, bindëse…që në organizimet e reja të jetë vetë  objekt dhe subjekt në promovimin e të tilla bashkimeve, sepse kështu do të arrihet që të kapërcehen edhe droja nga “kooperativa”. Fermeri ka shumë probleme për të zgjidhur, por një problem është mungesa e ujit për bimët. Ku ta gjejnë ujin? Disa e kanë zgjidhur me mjete rrethanore, duke bërë puse në tokën e tyre e duke vënë pompat në fushë apo të tjerë që e marrin ujin nga kanalet me ujë të ndenjur. Shoqatat e ujit nuk funksionojnë dhe kjo bën që fermerët të ndjehen debitor ndaj tyre e të mos kenë gojë të kërkojnë pikën e ujit. Dhe kujtojnë me nostalgji kohën e shkuar,…kur uji i rezervuarit të Thanës shkonte deri në Grabian e Kryekuq. Po rrugët për transportin e prodhimit? Rrugëve mund të hysh vetëm me qerre. A nxirret prodhimi me krahë e me çizme nga fusha? Kanalet e ujit që vinte dikur nga Thana kanë mbetur  pa pikën e ujit dimër-verë. A duhet të ndjehet edhe në këtë drejtim dora e shtetit? Përse ndodhin përmbytjet? Arsyeja është, sepse sot nuk ka kanalizime. “Dikur ne e bënim hendekun nga një parcelë te tjetra deri në 1 metër të thellë, kurse sot bëhet një rrëke sa nuk kullon as ujin e një sqote”. Si të mos ndodhin përmbytje kur zihen (mbushen) kanalet kulluese e ujitëse me mbeturina? Vet fermerët duhet ta zgjidhin me iniciativë këtë problem në marrëveshje me njëri-tjetrin. Shteti duhet të krenohet dhe të ketë gojë të flasë për sukseset e bujqësisë sonë, atëherë kur ta ndjejë fermeri këtë sukses, kur vërtet arritjet e tij t’u afrohen atyre të evropianëve. Të vjen keq sot të shikosh me hektarë të tërë tokash, që kanë mbetur pa mbjellë. Të ndodhur në këtë kolaps planifikimi, fshatari po ecën me moton: eksperimento dhe të dalë ku të dalë. Vitet e fundit është vënë re tendenca e mbjelljes së plantacioneve me pemë frutore. Plantacione? Merret vesh: plantacione me dy tre dynym tokë! Megjithatë, po hyn diçka e re. Nëse mbjellja e ullinjve, paksa e nxitur nga dora e shtetit, bëri diçka për fermerin, që do t’i duken frytet më vonë, sot për sot, fshatari duhet të eksperimentojë akoma e po i kalon kështu jeta me eksperimente pa fund. Duhet të ndërhyhet nga shteti që fshati të kalojë” diskriminimin”. Shumica e fermerëve sot nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet me të ardhurat e krijuara, pale të bëhet fjalë për fitime. Ugareve duken copëza parcelash që vërtet janë për të lavdëruar, sepse janë mbjellë me agrume, vreshta, mollë, dardhë etj, por  sa prej tyre marrin fitim? Fermerët tanë, të etur për të punuar, i bien derës të dëgjojë qilari…për të tërhequr vëmendjen e shtetit që shteti të kontribuojë paksa që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe produktive punën, të ndjejnë dorën e konsulencës agroteknike bashkëkohore me qëllim që të kapërcejnë ngërçin e mbjelljes pa kriter të prodhimeve “pak e nga të gjitha”. Ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë e Bujqësisë në rrethe së bashku me specialistët e bazës të marrin nisma që jo vetëm fermerët të ndjehen të inkurajuar me përdorimin shkencor bashkëkohor të tokës së tyre në bashkësi që krijojnë mundësi investimesh, por të jenë edhe katalizatorët e aktorët e propozimeve emergjente që mbështesin rritjen e prodhimit bujqësor.