Kozma GJINI/ Shoqata “Myzeqeja” simbol i bashkimit të njerëzve

1132
Sigal

Me rastin e 20-vjetorit të krijimit

Afër tre vjet (pa disa javë), kur në Shqipëri sapo ishte vendosur pluralizmi, ”Mësuesi i Popullit”  Kristaq Shtëmbari, me një grup nismëtarësh, autoktonë myzeqarë, morën nismën të krijonin një bashkim vullnetarë intelektualësh që në kushtet e përplasjeve politike  të kohës, të shërbente si urë për bashkimin e njerëzve pa dallime të çfarëdolloj. Kaluan shpejt vitet dhe ja shoqata këto ditë festoi 20-vjetorin e krijimit. Sot, duke kthyer vështrimin pas, s’ka se si të mos drejtohet së pari respekti te themeluesit e saj dhe drejtuesit e mëpasëm e aktualë, të cilët kanë sakrifikuar për mbajtjen gjallë të traditës e vlerave  të trevës.

PAK HISTORI

Shoqata u lind dhe funksionon në bazë të akteve ligjore të njohura nga shteti. Shoqata Kombëtare “Myzeqeja” ka funksionuar mbi bazën e statutit të miratuar në Kuvendin Kombëtar. Së pari në qytetin e Fierit, iu bashkuan vullnetarizmit të kësaj shoqate (falë autoritetit të z.Kristaq Shtëmbari) mjaft miq, intelektualë e dashamirës, pasqyrë e vlerave të qytetarisë si:dr.Jakov Milaj,Sokrat Plaku,Vasil Prifti, Timo Lule,Zoi Bozo, Koço Boçova, Leonidha Prifti, Petraq Kote, Spiro Sota, Toli Shabani, Tajar Dine, Todi Llupi, Pandeli Mone, Themi Spiro, Llaqi Kola, Themi Perri etj.. Më pas do të krijoheshin sibijëza të saj dhe në qytete të tjera të vendit. Në vitin 1995 u krijua dega e shoqatës në qytetin e Lushnjës me kryetar z.Kozma Zegali e për të vijuar me drejtimin aktual nga studiuesi Perikli Cuko. Më 1996 z, studiuesi dhe shkrimtari Naun Kule krijoi degën e shoqatës “Myzeqeja” në qytetin e Tiranës, ku aktualisht banojnë mbi 30 mijë myzeqarë, shumë prej të cilëve shpërngulur ndër vite me detyra e kontribute të spikatura kulturore, intelektuale, artistike. Më pas do të  krijoheshin degë të reja në Ballsh, Patos, Rroskovec, Kuçovë, si dhe komunat. Drejtimin e shoqatës në Fier e kanë menaxhuar më pas mësuesi Lami Koçi e z.Vasil Prifti etj.. Kuvendi Kombëtar i Shoqatës i mbledhur fillimisht në Tiranë (në Muzeun Kombëtar-2004) e më pas në Lushnje vendosi edhe miratimin e disa degëve të krijuara si në Divjakë, Krutje, Libofshë, Ballagat, Kolonjë, Pojan, Zharrëz, Seman me drejtues respektivisht:Klodiana Kullolli, Loli Davidhi, Pandeli Zaka, Nebi Sharka, Vangjel Lushi, Vilson Mandro, Tajar Dine e Themi Spiro. Kuvendi Kombëtar rizgjodhi z. Naun Kule si kryetar dhe si zëvendës zj. Adelina Rista e Perikli Tiko, kurse sekretar z.Bahir Isufi. Shoqata Myzeqeja ka mjaft kontribute të nivelit kombëtar të cilat kanë qenë pjesë e promovimeve të formateve të ndryshme. Myzeqeja ka fatin të ndodhet në një trevë pjellore bujqësore e blegtorale, produktet e së cilës janë të njohura e të kërkuara  për vlerat e tyre në shkallë vendi  madje dalin edhe jashtë. Gjithashtu, një vlerë e padiskutueshme e qytetarisë myzeqare është prania e inteligjencës myzeqare në shkallë kombëtare në fronte të ndryshme të kulturës, artit, sportit, krijimtarisë etj.. Në qendër dhe në degët e saj janë promovuar vlerat njerëzore intelektuale të artistëve, personaliteteve  e figurave kombëtare si: Vaçe Zela, Kristaq Dhamo, Margarita Xhepa, Jakov Xoxa, Vath Korreshi, Nasho Jorgaqi, Loni Papa, Koli Xoxi,  Hysni Zela,  Marika e Vlash Kallamata, Vilson Kilica, Janaq Kilica, Sheh Ibrahim Karbunara, Faslli Haliti, Xhevat Lloshi, Iljaz Gogaj. Koli Xoxi, Agim Sinani etj..  Nuk mund të quhet shoqatë një organizim i tillë që nuk mblidhet, të gjykojë e analizojë shqetësimet mbi bazën e një platforme të miratuar kolegjialisht dhe të miratuar nga komuniteti. Shoqata “Myzeqeja” ka zhvilluar takime pune në periudha të caktuara dhe ka dalë me përgjegjësi për të reflektuar në veprimtari mbresëlënëse. Me raste festash dhe përvjetorë, janë zhvilluar dhe i është dhënë rëndësia e duhur veprimtarive që  lidhen me ngjarje pikante në historinë e kombit dhe trevës. Të tilla aktivitete janë organizuar për Kongresin Kombëtar të Lushnjës, për 100-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Libofshë,si dhe është kthyer në traditë “Sofra e Ardenicës”, në nderim të kurorëzimit në këtë manastir të dasmës së Skënderbeut,26 prill 1451, projekt i mbështetur nga bashkia dhe prefektura e Fierit. Ruajtja e traditave kulturore dhe artistike dhe promovimi i tyre në komunitet ka qenë një detyrë parësore e shoqatës. Shoqata ka vërejtur edhe shpërfilljen e ruajtjes së vlerave muzeale dhe arkivore të trevës, të cilat ruhen vetëm në stendat e muzeve  të qyteteve, kurse ato të fshatrave janë shkatërruar. Në raport u citua se model ka qenë muzeu i Divjakës i cili tashmë është fashitur deri në mosekzistencën e dokumentacionit që u mblodh me mund e shpenzime.

Nuk mund të anashkalohet rrënimi e zhdukja e materialeve figurative e dokumentare që lidhen me një ndër personalitetet e spikatura patriotike të Myzeqesë, patriotit Naun Doko Prifti, i cili ka qenë deri edhe rektor i universitetit në Tbilis (Gjeorgji). Gjysmë shekulli më parë materialet e tij erdhën nga Gjeorgjia dhe deri në vitet nëntëdhjetë ruheshin… në një dhomë muze në Libofshë, por që tashmë s’ka mbetur asnjë shenjë. Shoqata ka mbështetur dhe inkurajuar aktivitetet e zhvilluara në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë në komunat e bashkitë e  trevës. Komuna Libofshë organizoi takimin për të përkujtuar rrugëkalimin e Ismail Qemalit për në Vlorë. Bujtja e tij në Libofshë (darkën e 24 nëntorit 1912)  u përkujtua në mënyrë festive dhe dokumentare nëpërmjet disa kumtimeve. Mbresëlënëse ishte edhe veprimtaria përmbyllëse  me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë e cila u bë më 27 nëntor në sallën e shfaqjeve dhe në bashkëpunim me ish-shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë ku disa studiues, krijues e artistë sollën për të pranishmit histori dokumentare, art, kulturë e muzikë të trevës së Myzeqesë.    Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe nismën e Komunës së Gradishtës me kryetar z.Ylli Stambolliu, të cilët me mbështetjen e biznesit dhe të familjes “Presheva” përuruan memorialin e rrugëkalimit të Ismail Qemalit përmes fshatit Babunjë. Shoqata “Myzeqeja” ka edhe organin e saj (revistën me të njëjtin emër), që është botuar përmes sakrificash nga z. Naun Kule duke pasqyruar në të vlerat dhe kontributin e myzeqarëve ndër vite.

DREJTIMI I SHOQATËS

Drejtuesit e shoqatave kanë një vlerë të padiskutueshme dhe duhet të jenë të motivuar në kryerjen e kësaj detyre, krejt shoqërore. Z.Naun Kule ka qenë promotori dhe nxitësi i mjaft aktiviteteve të cilat kanë bërë jehonë në qytetet e Lushnjës, Fierit, Divjakës, Patosit, Ballshit etj. Në këto kushte është dashur që të sakrifikojë jo vetëm nga intelekti, por edhe në aspektin ekonomik, pasi kërkohet të jenë në sinkron e partner në veprimtari edhe organet e pushtetit vendor të cilat kanë marrë përsipër faturën financiare të tubimeve. Shoqata ka patur jetëgjatësi, sepse ka patur në drejtim njerëz të përkushtuar dhe mbështetje.

TAKIMI FESTIV I 20 -VJETORIT

Me rastin e 20-vjetorit të krijimit, Shoqata Atdhetare Kulturore “Myzeqeja” dhe z. Naun Kule si drejtues i saj, në bashkëpunim me pushtetin vendor të qarkut, organizuan këto ditë një takim festiv. Takimi u zhvillua në teatrin “Bylis” të Fierit më pjesëmarrjen e mjaft anëtarëve e delegatëve nga gjithë treva. Ndodheshin gjithashtu edhe titullarët vendorë: Vangjel Ndreko, kryetar i Këshillit të Qarkut Fier,  z.Baftjar Zeqaj, kr/ i Bashkisë Fier, z.Fatos Tushe kr/ i Bashkisë Lushnje, deputetët Ervin Koçi e Armando Subashi, Arben Cuko, sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës Fier etj.. Takimi ishte konceptuar në formatin e një programi tematik-argëtues ku ligjëratën kryesore e mbajti z. Naun Kule, studiues, shkrimtar dhe kryetar i Këshillit Kombëtarë të Shoqatës. Në raportin që mbajti z. Kule vuri në dukje arritjet dhe kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Myzeqesë. Me këtë rast u     vlerësuan me titullin “NDERI I MYZEQESË” disa  personalitete si:Vangjel Ndreko (kr. i kësh. Qarku Fier), Baftjar Zeqaj (kr. i Bashkisë Fier), Fatos Tushe (kr/ i Bashkisë Lushnjë), Kristaq Shtëmbari (Mësues i Popullit-pas vdekjes), Ylli Stambolliu (kr/ i komunës Gradishtë),  Kristaq Dhamo (Artist i Popullit-regjisor),  Agim Sinani, Themi Spiro e Harilla Mile.Kontribuan për mirorganizimin dhe mbarëvajtjen e takimit  Frederik Jorgaqi e Nuri Plaku.Këshilli Kombëtar  vendosi që në vitin 2014 atij t’i ngrihet bust në Lushnje e Fier, si dhe do të vendosen pllaka përkujtimore në shkollat e Zhërnecit e Zharrëzës, do të ketë botime për N. Priftin, festim të ditëlindjes në Libofshë, do të bëhen përpjekje për sjelljen e eshtrave të heroit nga  Gjeorgjia, do të kërkohet rivlerësimi i figurës së tij nga presidenti i republikës, do të ketë botime për Kongresin Kombëtar të Lushnjes, hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Myzeqesë etj.. Në interval, grupet artistike dhanë shfaqje për të pranishmit. Shoqata “Myzeqeja” apelon e fton simotrat e saj që të thellojnë bashkëpunimin mes tyre, për t’i shndërruar grupimet vullnetare në simbol të bashkimit të njerëzve në shkallë kombëtare.