Kozma GJINI/ Për prindërit e fëmijët fillestarë në shkolla

834
Sigal

(me rastin e  fillimit të vitit të ri shkollor)   

Shkolla filloi. Pse prindërit kërkojnë që fëmija i tyre të vendoset në bankën e parë? Gëzimi është i ligjshëm sa edhe shqetësimi. Fëmijët e vegjël nisin një jetë të re shkollore, shoqërore dhe familjare. Ata i mbulon ankthi para të panjohurave të shkollës. Që fëmijët të përshtaten sa më shpejt me mjedisin, mësuesin, rregullat e shkollës, duhet patjetër të ketë ndikimin e vet edhe familja. A e kanë kualifikimin e mjaftueshëm pedagogjik e metodik të gjithë prindërit për të ndikuar në mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë? Janë mësuesit ata që do të bëjnë realitet objektivat që ka shkolla për përgatitjen, mësimin dhe edukimin e fëmijëve, por kjo s’mund të realizohet pa pjesëmarrjen e prindërve, të shoqërisë. Problemi më delikat është përgatitja psikologjike, shpirtërore e fëmijëve të klasave të para me qëllim që të sigurohet një vijimësi normale për mësim. Duke qenë se formimi i përgjithshëm i fëmijëve është i ndryshëm, kjo dikton edhe trajtim të diferencuar metodik e pedagogjik nga ndikuesit. Një prind duhet të pyes veten se a është i përgatitur fëmija i tij për të jetuar në shoqëri me fëmijë të tjerë. Nëse fëmija juaj ka vijuar në kopshtin e fëmijëve e ka më të lehtë për t’u ambientuar në klasën e parë, në të kundërt prindit i dalin një sërë detyrash. Nëse ju e keni përvojën e parë me fëmijën tuaj duhet ta përgatisni atë  që të çlirohet nga emocionet dhe të jetë i aftë për të bashkëjetuar e bashkëmësuar me të tjerët. Nuk mjaftojnë vetëm këshillat tuaja, por duhet që fëmija të shoqërohet edhe me moshatarë të tjerë në mënyrë që ata vetë (të rrëzohen e të ngrihen) të shkëmbejnë mendime se si do të frekuentojnë e përgatiten për në shkollë. Prindi duhet ta njohë fëmijën me mësuesin e tij kujdestar. S’është e tepërt që prindi të interesohet se si janë kushtet e fëmijës së tij në klasë e në shkollë, se a është e përshtatshme banka, apo ka edhe ndonjë gozhdë, siç ndodh në fshat. Është shumë e rëndësishme që ju si prind të informoni hollësisht gjendjen shëndetësore të fëmijës suaj para mësuesit dhe shkollës. Predispozitat dhe shqetësimet. Meraku prindëror i “bankës së parë” është i natyrshëm, por mjafton që fëmija juaj të jetë i parapërgatitur, i edukuar të dëgjojë mirë në qetësi, të mos bëjë fjalë kur përgjigjen të tjerët, të ndjekë shpjegimin e mësuesit dhe kudo qoftë ulur, nuk krijon asnjë problem për përvetësimin e njohurive. Gjatë ditëve të para të shkollës prindërit duhet të jenë prezent më shumë se kurrë në shkollë. Fëmija ka qenë gjashtë vjet me prindërit dhe e ka të vështirë të shkëputet nga ky ambient i ngrohtë i paorganizuar në disiplinë. Fëmijët e përgatitur moralisht i shikojnë me buzëqeshje e kërshëri moshatarët e tyre që “protestojnë” kur mezi shkëputen nga duart e nënave. Kur ky bashkëpunim (shkollë-familje) është i ngushtë, i përditshëm, atëherë kemi rezultate të pritshme në përvetësimin e njohurive shkencore dhe aspektin edukativ. Janë prindërit ata që duhet të kërkojnë me insistim pranë shkollës, që veçanërisht fëmijët e klasave të para të fillores,  të mbahen afër dhe të trajtohen me takt. Theksojmë, çdo fëmijë, por veçanërisht ata që janë me prapambetje mendore. Kryerja e detyrave të shtëpisë është një detyrim me përgjegjësi për fëmijët, por detyrat nuk duhen kryer nga prindërit dhe fëmija të shërbejë si automat inaktiv. Prindi kërkohet të jetë në rolin e  katalizatorit, nxitësit, ndihmuesit për të vënë në lëvizje trurin e fëmijës gjatë kryerjes së detyrave. Ka ende fëmijë që nuk dinë të përdorin lapsin e s’mund të bëjnë dot as një vijë në fletore. Janë prindërit ata që duhet të ndikojnë në krijimin e një orari sa më të përshtatshëm ku fëmijës të mos i mungojë as loja, apo shëtitja dhe doemos koha e duhur i kushtohet mësimeve e detyrave. Vetë prindi duhet t’i kushtojë një orar të caktuar punës me fëmijën, deri sa ata të futen vetë në rrugë dhe s’ka dyshin se pastaj do ta kenë më të lehtë përshtatjen me rregullat dhe ecurinë e shkollës. Mos u tërhiqni  kurrë përpara dëshirës që ka fëmija për të mësuar e kryer detyrat, mos e humbni kurrë durimin para tyre. Duhet kërkuar nga fëmijët që të jenë të sinqertë në marrëdhëniet e tyre me prindërit, mësuesit dhe shokët e klasës. Mosha e vogël, për shkak të drojës, (se prindi do ta  qortojë për gabimet), shpesh i fshehin të metat dhe kjo ndikon për keq në formimin e tyre. Mos u pajtoni me hedhjen sa andej këtej të çantës apo këpucëve të fëmijës suaj në shtëpi. Kjo e çedukon fëmijën. Bëni rregullin me takt e durim. Të mos nënvlerësohet kjo, pasi e çorodit logjikën e fëmijëve, ku shkolla i kërkon rregull, kurse familja ia shpërdoron disiplinën. Fëmijët duhet të kenë mundësisht dhomën e tyre e të studiojnë në qetësi të plotë. Të mos lejohen fëmijët që të mësojnë e në të njëjtën kohë të shikojnë filmin. Kjo është krejtësisht jashtë normave pedagogjike dhe shëndetësore. Nëse nuk e ka kuptuar mësimin me një të lexuar atëherë vëreni ta lexojë dy, tre, pesë… shtatë herë, deri sa të organizojë trurin në vetëveprim. Më kot s’thonë se përsëritja është mëma e dijes. Në kushte shtëpiake këshillat për  fëmijët duhet të shoqërohen me “ekspertizë” kontrolluese verifikuese për të kuptuar dhe korrigjuar se sa i vëmendshëm është në punë. Këmbëngulje, deri sa të arrihet në vetëveprim e pavarësi për ta thithur mësimin në mënyrë të vetëdijshme. Të mos ngutemi që me ngritjen e zërit, me imponim, me masa ”kërcënuese” t’u mbushim mendjen menjëherë fëmijëve për gjëra që kërkojnë kohë dhe moshë. Nuk duhet pretenduar t’i bëjmë fëmijët që të mendojnë si të rriturit. Që në shtëpi prindi duhet ta mësojë fëmijën që të lexojë me zë të ultë ose me mend dhe kështu të jetë i përgatitur për në shkollë për një lexim të heshtur. Prindër!Bëni gjithçka për fëmijën tuaj që nesër të mos kemi prindër analfabetë. Natyrisht, vetë prindërit duhet të jenë modeli i një sjelljeje shembullore në familje. Ky është mësimi më i mirë për fëmijët. Respektojini fëmijët që t’ju respektojnë, dëgjojini që t’ju dëgjojnë. Dëgjoni çdo ankesë, kërkesë apo shqetësim të fëmijëve. Kërkoni prej fëmijëve t’ju informojnë si e kaluan ditën në shkollë dhe përgëzojini, e vlerësojini për sukseset. Fëmijët janë e ardhmja e për ta gjithsecili prind duhet të investojë sa më shumë sot që ata të ta shpërblejnë nesër. Mësimi dhe edukimi i fëmijëve e ka “krismën” shumë vite më pas. Sa më e organizuar të jetë familja, sa më të informuar të jenë prindërit, sa më pranë fëmijëve të jenë ata, aq më mirë do të përgatiten dhe formohen fëmijët dhe kështu do të sigurohet progresi dhe do të bëhet më efektive e ardhmja e familjes dhe e vendit.

Fëmijës i duhet besuar, por edhe mbikëqyrur. Janë të shumta arsyet që fëmija mund të mos transmetojë në shtëpi realitetin e përgjigjeve apo sjelljes në shkollë. Pohimet gojore të fëmijëve duhet të verifikohen me kryerjen e detyrave dhe me kontakte të drejtpërdrejta me mësuesit. Kur themi se fëmijët nisin një jetë të re edhe shtëpiake, duhet të kemi parasysh se ata duhet tashmë të ndjejnë një ndryshim në praktikën e përditshme të sjelljes dhe vendosjes së mjeteve shkollore dhe të veshmbathjes. Nuk lejohet që fëmijët të studiojnë së bashku me prindërit e në rrëmujën e debateve familjare e diskutimeve të filmave apo problemeve shoqërore. Duhet edukuar që në vogëli të punuarit me sistem. Sa janë të aftë fëmijët për të mësuar në mënyrë të pavarur? Kjo kërkon fillimisht disa muaj një përkujdesje me një zell e punë sistematike. Ka prindër që dorëzohen shpejt e nuk kanë durim të punojnë me fëmijët e tyre dhe i lënë ata në mëshirën e rutinës ditore. Mos kujtoni se fëmija s’e kupton padurimin tuaj. Në të njëjtën kohë mos kërkoni që menjëherë fëmijët të bëhen perfekt në organizimin e kohës dhe përvetësimin e njohurive që jep shkolla. Duhet të ushtroni fëmijën tuaj që të jetë i pavarur në kryerjen e detyrave e nxjerrjen e përfundimeve. Një rëndësi të madhe merr këtu përsëritja e fakteve dhe rregullave me qëllim që të bëhen stereotip për punën në vijim..Pjesëmarrja e disa shqisave e ndihmon për asimilimin më shpejt të mësimit. Askujt, as prindërve nuk u duhen nota fiktive, vlerësime të pamerituara, sjellje të lustruara. Të mos pranohet mendimi se të vegjël janë e ka kohë për të mësuar. Duhet kujdes me fëmijët, të cilët i qepen pa kufi televizorit apo kompjuterit dhe njëkohësisht bëjnë edhe detyrat. Truri i fëmijëve është si një letër e pastër që mund të shkruash ç’të duash mbi të. Atëherë duhet të shfrytëzohet kjo premisë  me qëllim që fëmijët të marrin sa më tepër informacion për jetën, shkencën e shoqërinë. Prindërit duhet të vlerësojnë me kujdes çdo pyetje apo paqartësi që shfaqin fëmijët. Të mos lejohet që fëmija të niset pa ngrënë në shkollë.