Kosova nuk arriti anëtarësimin në Interpol, për shkak të kundërshtimit të Serbisë

732
Sigal

Dr. Qemal Lame

Prisnim me të drejtë lajmin pozitiv për zgjerimin e Interpol-it, pasi Kosova ka arritur rezultate në reformimin dhe efektivitetin e Policisë në luftën kundër kriminalitetit dhe me të drejtë parashikohej të anëtarësohej me meritë. Por, votimi rezultoi zhgënjyes, pasi nuk u morën votat e nevojshme. Pro anëtarësimit kanë votuar 68, kundër ishin 51, ndërsa abstenuan 16 shtete. Partnerët tanë strategjikë deklaruan zhgënjimin e tyre për këtë rezultat të pamerituar për Policinë e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të mundësonte shkëmbim më të mirë të informatave mes agjencive ligj-zbatuese, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të përmirësonte sigurinë evropiane dhe atë globale. Kriminelët e organizuar brenda territorit të tyre dhe me shtrirje ndërkombëtare, bashkëpunojnë lehtësisht përtej kufijve shtetërorë. Për t’i luftuar ata në mënyrë të efektshme, edhe autoritetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është e domosdoshme të jenë në gjendje të zbulojnë e parandalojnë në kohë kriminalitetin ndërkombëtar me kontributin e shteteve që plotësojnë standardet e njohura. Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore. Për këto arsye, shumica e vendeve e kanë njohur konkretisht gjendjen dhe efektivitetin e institucioneve ligj-zbatuese dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Interpol. Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtare shprehin bindjen se shkak kryesor për këtë rezultat te votimit është fushata e gjerë kundërshtuese e Serbisë.

Politika serbe e vlerëson anëtarësimin e Kosovës si një problem politik dhe anashkalon faktin se ai është dhe mbetet thjeshtë teknik. Për këto arsye, Serbia, me mbështetjen e Rusisë, në radhë të parë, është mobilizuar me të gjithë diplomacinë e propagandën shtetërore për të frenuar dhe ulur njohjet e shtetit te Kosovës dhe anëtarësimit të institucioneve të saj në organizmat ndërkombëtare.`

Së dyti, Serbia e di se anëtarësimi i Policisë së Kosovës në Interpol do të forcojë rolin dhe efektivitetin ndërkombëtar të saj. Kështu, do të krijohen kushte më të rrezikshme për arrestimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës që mbrohen nga Policia e Serbisë.` Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kurrë nuk ka qenë e kushtëzuar me pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat negativ, të gjithë shtetet anëtare të organizmit policor ndërkombëtar, ndiejnë mungesën e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Kosovën.` Votimi kundër pranimit të Kosovës nuk i shërben interesave të përgjithshme të bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Prandaj kërkohet që Serbia ta vlerësojë objektivisht Kosovën dhe policinë e saj dhe të mos bëjë presione ndaj vendeve të tjera për për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës. Ambasada e SHBA, deklarojë menjëherë pas votimit të sotëm se : Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit.” Theksohet, se për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që t’i shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje. Në vlerësim të këtij qëndrimi, Serbia është e domosdoshme të ndryshojë politikën e saj shoviniste, të pranojë realitetin politike e gjeografi, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe të angazhohet në bashkëpunimin e barabartë e miqësinë midis të dy vendeve. Serbi ka pushtuar Kosovën dhe ka kyer gjenocid dhe krime lufte ndaj shqiptarëve. Ajo nuk mund të anashkalojë fajësinë e saj. Marrëveshja me Kosovën, kërkon domosdoshmërish që më parë të binden politikanët, klerikët dhe gjithë populli serb që të kërkojnë falje dhe të dëshmojnë gatishmërinë për bashkëpunim e miqësi për të mënjanuar krizën politike me shqiptarët dhe ndërtuar të ardhmen e përbashkët në të mirën e dy popujve tanë. Kështu do të realizohet sa më shpejt edhe anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian.` Institucionet përfaqësuese të Kosovës të mos bëjnë lëshime për kërkesat e padrejta të Beogradit për korrigjime e ndryshime të kufijve në shkëmbim të arritjes së marrëveshjes ndërshtetërore dhe anëtarësimit në organizmat ndërkombëtare.` Kemi besim se Kosova do të vazhdojë reformimin e forcimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e Interpol-it dhe OKB-së.